Në Shqipëri, Partia Socialiste po shkon drejt një fitore shumë të thellë në të gjithë vendin. Ndonëse numërimi nuk ka përfunduar ende në 27 bashki të vendit, socialistët duket se kanë marrë kontrollin e 54 qyteteve, kundrejt vetëm 6 të fituara nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i përbërë nga demokratët e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, Partia e Lirisë e zotit Meta, dhe Partia Bashkimi për të Dretat e Njeriut dhe Demokristianët.
Ky koalicion ka fituar në Has, Mirditë, Pukë, Fushë-Arrëz, në Memaliaj si dhe në Himarë. Kjo e fundit u kthye në një pikë të nxehtë, pas arrestimit të kandidatit opozitar Fredi Beleri, nën akuzat e shitblerjes së votës. Zoti Beleri, rezultoi fitues në dy kutitë e fundit, me një diferencë prej vetëm 19 votash.
Një goditje e madhe për opozitën është qyteti i Shkodrës, bastion i saj historik, ku kandidati socialist Benet Beci, kryeson me 11 mijë vota kur kanë mbetur dhe pak kuti për t’u numëruar.
Socialistët po ashtu kanë shtrirë influencën e tyre dhe në shumë zona të tjera të vendit, që po ashtu kanë qenë kontrolluar kryesisht nga e djathta.
E vetmja bashki, që nuk është fituar as nga e majta dhe as e djathta është ajo e Finiqit, ku socialistët nuk kanë konkurruar, duke i lënë fushë të lirë përfaqësuesit të Partisë Mega, e cila mbështet kryesisht nga minoriteti grek.
Në Tiranë, kryetari aktual i Bashkisë Erion Veliaj, kryeson me gati 26 mijë vota diferencë nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi, kur janë numëruar më shumë se 60 përqind e kutive. Kandidati i “Lëvizja Bashkë”, një formacion politik, i rregjistruar pak para zgjedhjeve, Arlind Qorri, ka munudr deri tani të sigurojë një avantazh prej disa qindra votash ndaj Roland Bejkos, kandidati i Partisë Demokratike, grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Në Durrës, një qytet ku parashikohej garë e ngushtë, kandidatja socialiste Emiriana Sako udhëheq me më shumë se 55 përqind, ose me një diferencë prej afro 6 mijë votash, ndaj kandidatit të opozitës Igli Cara.