Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë me të cilën dënoi sulmin e së dielës ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri, ku mbeti i vrarë një oficer i policisë dhe u plagosën dy të tjerë.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi policinë e Kosovës me datën 24 shtator 2023 si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çfarëdollojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës, në të cilën mes tjerash “konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”.
Rezoluta që u miratua me 97 vota, pas asnjë kundërshtim, pasoi një debat përgjatë të cilit u tha se është e qartë se Beogradi organizoi sulmin e së dielës, në të cilin u vranë tre pjesëtarë të grupi të armatosur.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit nuk është përfundimi i synimeve të Serbisë, për destabilizimin e skajshëm të Kosovës.
“Për mua dhe Partinë Demokratike është krejtësisht e qartë se orkestrimi dhe organizimi i sulmit terrorist mbi Republikën tonë adresën kryesore e ka në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radoiçiçit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi më pas i tyre në Serbi, lartësimi i tyre si heronj nga institucionet zyrtare të Serbisë përfshirë shpalljes atje të ditës së djeshme si ditë zie, tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin serb”, tha zoti Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se qëllimi i sulmit ishte krijimi i një realiteti të ri në veri.
“Është përgjegjësi e qeverisë dhe për këtë do ta ketë mbështetjen tonë pa asnjë kalkulim që këtë situatë ta përkthejmë në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar. E vërteta e vetme është që gjatë dy viteve të fundit pozicioni i Kosovës ka qenë i renduar, fundja jemi ende masa ndërkombëtare e sanksione, e vërteta e vetme është se në përballje të tilla bashkërendimi me aleatët është jetik. Fundja për aq sa kuptojmë gjithë, ky është veç se një fillim drejt një përshkallëzimi shtetëror të Serbisë, një replikim luftënxitës të modelit të Rusisë në Ukrainë”, tha zoti Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Serbia me mbështetjen e Rusisë po përpiqet të krijojë paqëndrueshmëri në Kosovë, ndërsa theksoi se zhvillimet kanë shkuar në drejtim të gabuar për shkak të kryeministrit Albin Kurti.
“Dy vjet me parë ju kam dërguar letër (Kryeministrit Abin) Kurtit, (presidentes Vjosa) Osmanit dhe (kryetarit të Parlamentit Glauk) Konjufcës, ju kam kërkuar, ju lutem mbështetuni, bazonu te Uashingtoni për marrëveshjen. Kurti, kryeministri ynë e ka zgjedhur të kundërtën, i ka zgjedhur (Josep) Borrellin dhe (Miroslav) Lajçakun, dhe i ka ikë Uashingtonit, i ka prishë marrëdhëniet me ta dhe ka prishë besimin me ta. Pse i zgjodhi Kurti Borellin e Lajçakun dhe jo Uashingtonin para dy vjetëve? Është me rëndësi të shtrohet kjo pyetje në parlamentin e Kosovës. Sikurse Kurti, Osmani e Konjufca ta kishin zgjedhur Uashingtonin dy vjet më herët do ta kishim marrëveshjen për njohje me Serbinë”, tha zoti Haradinaj.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se gjithë armatimi i gjetur në fshatin Banjskë ka origjinën në Serbi, ndërsa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta sanksionojë atë.
“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar atëherë ajo do ta përsëris krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan në Banjskë, janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha ai.
Serbia i ka mohuar lidhjet me grupin e armatosur që qëlloi mbi policinë e Kosovës me 24 shtator në një sulm që u cilësua si terrorist nga institucionet vendase dhe diplomatët perëndimorë.