Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi sot Partinë Demokratike nën përfaqësimin e drejtuesit të deleguar Enkelejd Alibeaj si konkurruese në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke rrëzuar kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendoi regjistrimin në zgjedhje me të njëjtin emërtim subjekti.
Pasi dëgjoi për afro dy orë përfaqësuesit ligjorë, që mbrojtën dy kërkesat me të njëjtin emër subjekti, komisioneri i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të pranojë kërkesën e paraqitur nga zoti Alibeaj, i autorizuar si drejtues nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Komisioneri Celibashi theksoi se kërkesa e paraqitur nga zoti Alibeaj plotëson kriteret dhe është e bazuar në ligjin për partitë politike dhe në regjistrimet e gjykatës së Tiranës.
Ai la 48 orë kohë për plotësimin e detajeve në dokumenta, që u vërejtën si paqartësi.
Ndërsa kërkesa e ish kryeministrit Sali Berisha u rrëzua, sepse nuk bazohej në ligj dhe nuk kishte regjistrime certifikuese nga gjykata.
Përfaqësuesit ligjorë përsëritën para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të njëjtat argumentime, që kanë shfaqur edhe në përballjet e tyre përpara gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit.
Apeli ktheu për rigjykim në shkallën e parë çështjen e përfaqësimit të Partisë Demokratike, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm, që njihte ish kryeministrin Berisha si kryetar të kësaj partie.
Partia Demokratike është zhytur prej disa kohësh në një krizë përfaqësimi, qyshkur drejtuesi i saj Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar ish kryeministrin Sali Berisha, sapo ky i fundit u përcaktua, së bashku me familjen, nga sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, si i përshtatshëm për të vizituar SHBA-të për shkak të korrupsionit domethënës dhe cënimit të demokracisë.
Zoti Basha deklaroi atëherë se Partia Demokratike nuk do të mbante kurrë në radhët dhe forumet e saj persona të shpallur non grata nga SHBA-të, aleate strategjike të saj dhe të Shqipërisë.
Ish kryeministri Berisha e hodhi poshtë si të pabazuar në prova përcaktimin nga SHBA-të dhe nisi një lëvizje për t’u kthyer në krye të Partisë Demokratike, duke sulmuar zotin Basha si një bashkëpunëtor të kryeministrit socialist Edi Rama.
Konflikti në gjirin e PD-së kulmoi me një sulm masiv të dhunshëm një vit më parë të mbështetësve të ish kryeministrit Berisha ndaj selisë qendrore të partisë, i cili u frenua falë ndërhyrjes së policisë.
Zoti Basha ia ka deleguar funksionet drejtuese të partisë kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, ndërsa të dy palët kanë zhvilluar kongrese për të zotëruar përfaqësimin e partisë, dokumente të cilat tani janë ende në gjykatë.