Zbulimi i skandaleve të fundit në Shqipëri, të cilat kanë të bëjnë me punësimin në burgje, si dhe procesin e blerjes së votave në zgjedhjet e vitit 2017, ka rikthyer fuqshëm tek audienca shqiptare, Zërin e Amerikës.
Duke marrë shkas nga materialet investigative dhe reagimit të Kryeministrit Edi Rama, që e etiketoi si “kazan”, gazeta “Shekulli”, mbajti një korrespondencë me Zërin e Amerikës, për çështjen në fjalë. Elez Biberaj, shefi i seksionit të Euro Azisë, tek Zëri i Amerikës, tha se:
“Shërbimi Shqiptar i Zërit të Amerikës, ka ofruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme për zhvillimet në Shqipëri dhe unë qëndroj plotësisht pas integritetit dhe gjykimit të lajmeve. Shërbimi Shqiptar, me krenari vazhdon misionin e Zërit të Amerikës për të prodhuar gazetari me vlerë të jashtëzakonshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë dhe fuqizimin e audiencës së saj me lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara, në mënyrë që ata të mund ndërmarrin vendime për të informuar”.
Lajmet e Zërit të Amerikës kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në rrëzimin e regjimeve komuniste në Evropën Lindore, posaçërisht në rënien e komunizmit në Shqipëri.
Skandalet e qeverisë shqiptare
Zëri i Amerikës ka raportuar së fundi, dy skandale politike në Shqipëri. I pari ka të bëjë me punësimin e militantëve të Partisë Socialiste në burgje dhe tjetri, me fenomenin e blerjes të votave, nga ana e Partisë Socialiste, për zgjedhjet e vitit 2017. Sjellja e këtyre materialeve investigative, ka bërë që Kryeministri Edi Rama, të reagojë ndaj Zërit të Amerikës, duke e renditur edhe atë si “media kazani”. Por pavarësisht diversionit të Edi Ramës për reagimin ndaj materialeve të publikuara, “Zëri i Amerikës” ka publikuar një investigim të rëndë, në të cilën akuzon qeverinë e Partisë Socialiste për bashkëpunim me krimin dhe blerje votash. Janë akuza të faktuara, madje me materiale nga prokuroria, të cilat kërkojnë përgjigje serioze. Konkretisht Kryeministri Rama, për çështjen e punësimeve në burgjet tha: “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë logjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, shkruante Rama në rrjetet sociale.
Çuko përmend kryeministrin
Pse u “çmend” kryeministri dhe e etiketoi kazan Zërin e Amerikës, një gafë e barabartë me atë kur sulmoi publikisht gjatë fushatës presidenciale kandidatin, më pas president i SHBA, Donald Trump? Në përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës, drejtori i burgjeve përmend kryeministrin Rama si personin që kishte bllokuar fituesit e konkursit të burgjeve, të nisin punë. Sistemi i burgjeve në Shqipëri përbëhet nga 23 institucione të vuajtjes së dënimit dhe numëron një numër të konsiderueshëm punonjësish, si në radhët e policisë ashtu edhe në administratë. Për të dyja kategoritë, procedurat e rekrutimeve kryhen përmes konkurseve publike. Megjithatë, një konkurs publik për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët e Partisë Socialiste dhe njerëzit e lidhur me pushtetin. Konkursi publik për policë të rolit bazë u shpall në fund të marsit të kaluar dhe synonte të rekrutonte mbi 250 punonjës për 17 institucione të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Testimi u krye më 3 prill dhe thirrjes iu përgjigjën mbi 1300 kandidatë. Por përtej fasadës, ish-drejtori Çuko ankohej në mesin e muajit prill se fituesit ishin bllokuar nga kryeministri dhe se të gjithë kandidatët u përkisnin listave të Partisë. “O Gerti, gjithçka është e bllokuar nga kryeministri dhe nuk e di kur do të zhbllokohen,” thoshte Çuko më 14 prill. “Unë pres që nesër pasnesër të më thotë sa veta do fusësh nga 1 te 250. Unë s’e di ç’do të thotë ai tani,” shtohet aty. “Ki parasysh që Lushnja nuk ka asnjë vend bosh, Fieri ka 20 vende dhe kanë sjellë 200 veta. Testimi këtë herë u bë me 1358 veta dhe të gjithë ishin listat e partisë. E kishin të qartë ata, hajt se po i fusim në burgje,” shprehet Çuko sipas transkriptit të bisedës.
Hetimi për punësimin në burgje
Në shkrimin e Zërit të Amerikës, që i referohet përgjimeve telefonike të Arben Çukës, theksohet se disa deputetë, por edhe persona pranë zyrës së Kryeministrit telefonojnë për punësimin e militantëve. Ndër deputetët që kanë telefonuar përmenden edhe deputetët Ulsi Manja, Blerina Gjylameti, Klodiana Spahiu dhe Paulin Stërkaj. Ndërsa vetë deputetët kanë pohuar se kanë kërkuar informacion se pse janë bërë disa transferime punonjësish, banorë të zonës së tyre, për të cilët kanë pasur edhe ankesa. Në një tjetër rast përmendet edhe shefja e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga. Sipas këtij shkrimi, nga asistentja e Ramës, zonja Bizhga, ka ardhur interesimi për një vajzë të quajtur V.D., që kishte konkurruar për të punuar pranë Drejtorisë së Burgjeve, pasi pas vdekjes të babait të saj, punonjës i Policisë së Shtetit, ajo kishte shprehur dëshirë për të punësuar pranë Burgjeve. Ky rast ishte adresuar për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës gjatë një takimi të zhvilluar me zonja Bizhga bashkë me 20 raste të tjera, të gjithë të adresuara tek zyra e punës. V.D. kishte marrë pjesë në konkurs dhe kishte dalë fituese, por Drejtoria e Burgjeve nuk e kishte filluar ende procedurën për ta marrë në punë. Për këto arsye Motrat e Nënë Terezës kishin kërkuar sqarime nga Vali Bizhga, e cila nëpërmjet asistentes së saj ishte adresuar te Drejtori i Burgjeve për sqarime të mëtejshme. Arben Çuko, një ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste u ngjit në krye të Burgjeve në korrik të vitit 2017, por vetëm disa muaj më pas u përfshi në hetimet e Prokurorisë, për shkak të komunikimeve të tij telefonike me anëtarët e një grupi kriminal për transferimin e një të dënuari. Ai u shkarkua nga detyra pa mbushur ende vitin dhe në tetor 2018 u arrestua për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çuko i ka mohuar akuzat dhe ndodhet aktualisht në arrest shtëpie. Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se procedurat e punësimeve në Burgje janë në proces hetimi. Një drejtues i çështjes u rezervua, megjithatë të komentonte nëse ishin marrë në pyetje persona të dyshuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm, deputetë dhe zyrtarë të qeverisë.
Cilën listë bllokoi kryeministri?
Ministrja e Drejtësisë në Shqipëri, Etilda Gjonaj, përmes një prononcimi për mediat disa ditë më parë, në lidhje me punësimin militanteskt nëpër burgjet në Shqipëri, vuri në dyshim dhe kërkoi përgënjeshtrimin e kronikës së botuar nga Zëri i Amerikës, lidhur me ndikimet e politikës për emërimet në administratë. Në vetë daljen e saj zonja Gjonaj konfirmon ato që janë thënë në bisedat e përgjuara, se Kryeministri e kishte bllokuar përkohësisht listën. Fakti, që siç u shpreh zonja Gjonaj, Kryeministri ka bllokuar “jo listën e konkurrimeve, por listën e ndërhyrjeve”, provon pikërisht problemin që ngre raporti i Zërit të Amerikës, ekzistencën e ndërhyrjeve të shumta. Siç vihet në dukje në kronikë, në mars të vitit 2018, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin që i dorëzoi Kuvendit, një e treta e punësimeve në administratë bëhen me urdhër titullari dhe jashtë procedurave të ligjit.
Prokuroria hetim për publikimin e përgjimeve
Në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi më 31 janar se ka hapur hetime lidhur me publikimin dje të disa përgjimeve të një çështjeje penale të cilën ajo e ka ende nën hetim. Reagimi i Prokurorisë erdhi pas publikimit nga Zëri i Amerikës të një materiali të përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN. Dhjetëra përgjime dhe dokumente të siguruara përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hidhnin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në disa qytete të vendit. Prokuroria njoftoi se ajo po heton për veprën penale “ Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”, duke theksuar se publikimi i akteve të përgjimeve të një çështjeje penale po bëhet në kundërshtim me ligjin. Sipas Prokurorisë po bëhet verifikimi i të gjithë personave që kanë patur njohje dhe akses në aktet e bëra publike në hetim dhe gjykim. Transkriptet e përgjimeve tregonin përfshirjen në zgjedhje të vëllezërve Avdyli, drejtuesit e një grupi të dyshuar për veprimtari kriminale, si dhe lidhjet e tyre kryesisht me kryebashkiakun Vangjush Dako, i cili drejtoi edhe shtabin elektoral të Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, në zgjedhjet e vitit 2017. Përmbajtja e materialit të publikuar, u bë shkas per debate të forta në parlament mes opozitës dhe qeverisë, duke krijuar dhe situata tensioni në sallë.
Zëri i Amerikës: Përgjimet tregojnë blerjen e votave nga krimi
Zëri i Amerikës ka sjellë përpara opinioni publik një javë më parë, investigimin e realizuar nga rrjeti investigativ BIRN, për përgjimin e funksionimit të trafikut të drogës dhe përfshirjes në të, të zyrtarëve politikë. Dhjetëra përgjime dhe dokumente të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hedhin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër
Investigimi
Në katin e tretë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, zyrat e prokurorëve që drejtojnë hetimet e dosjeve 339 dhe 339/1 janë të mbushura dëng me dokumente. Fletët e fashikujve gjenden të shpërndara mbi tavolina dhe dysheme, ndërkohë që një seri kutish kartoni të mbushura me CD presin radhën për t’u zbardhur. Mbi njërën prej kutive dallon shënimi me shkrim dore “korrupsion dhe blerje votash; 42 CD”. Një kat më poshtë, katër oficerë të policisë gjyqësore transkriptojnë përgjime që datojnë nga viti 2016. Nuk ka ende një bilanc të qartë, por mbeten ende dhjetëra CD me përgjime të pa transkriptuara. Dosja hetimore 339 zuri fill në vitin 2016 me përgjimin e anëtarëve të një organizate të krimit të organizuar me bazë në Shijak dhe me fije të shpërndara në të dy skajet e Shqipërisë, të përfshirë në trafikun e heroinës dhe të kokainës. Bisedat telefonike me grupin “Avdyli” e zgjeruan rrethin e hetimeve edhe te një numër zyrtarësh dhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për korrupsion dhe falsifikime me tokat. E ndarë më vete në vitin 2017, nga dosja 339/1 është zbuluar vetëm “maja e ajsbergut”. Por të dhënat e siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi episode të dyshuara të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri elektoral pa kryer ende një reformë të thellë zgjedhore. Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN ngrenë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017. Bisedat telefonike tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.
Përfshirja e grupit “Avdyli” në shit-blerje votash nuk është një rast i izoluar. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur pas kallëzimit të Partisë Demokratike për manipulimin e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër ekspozon gjithashtu persona me precedentë si dhe aparatin shtetëror lokal në orientimin apo manipulimin e votës. Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për mbushjen e hambarit të votave fajësohet si një ndër arsyet kryesore për rrënimin e besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri. Opozita akuzon kryeministrin Rama se e ka kthyer bashkëpunimin me krimin në një strategji për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që Partia Socialiste dhe kryeministri i kanë mohuar akuzat dhe i cilësojnë ato alibi për humbjen e zgjedhjeve. Megjithatë, ekspertë të zgjedhjeve u bien kambanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike është tanimë edhe më i madh se ai i partive politike.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës. Ndërsa dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi refuzuan të komentonin mbi ecurinë e hetimeve. Në tetor 2018, prokuroria deklaroi se po hetonte edhe veprimtarinë e krye bashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako-por pa specifikuar konkretisht se për çfarë. Dako nuk i ka mohuar bisedat telefonike me vëllezërit Avdyli dhe i ka paraqitur komunikimet me ta si të barabarta me qytetarët e tjerë që e mbështesin në zgjedhje. I kontaktuar nga BIRN, Dako refuzoi të komentonte mbi marrëdhëniet e shtrira në kohë me vëllezërit Avdyli, mbi ç’mënyrë ishte ndihmuar prej tyre në zgjedhje apo nëse në këmbim, u kishte ofruar atyre zgjidhje të problemeve. “Unë nuk jam marrë asnjëherë në pyetje nga Prokuroria,” tha ai. / Gazeta Shekulli/
Komentet