Në Shqipëri harta e re gjyqësore, që ka filluar të zbatohet që prej 1 shkurtit të këtij viti, ul ndjeshëm numrin e gjykatave në vend. Thuajse gjysma e tyre mbyllen dhe qytetarë e njohës të fushës juridike ngrenë shqetësime se ky riorganizim po shkakton rritje të kostove dhe vonesa në marrjen e drejtësisë. Harta e re po aplikohet në një kohë, kur në sistem mungojnë 44 % e trupës së gjyqtarëve dhe 38% të prokurorëve, si pasojë e ‘vetingut’ dhe stoku i dosjeve është i lartë. Mbështetësit e saj mendojnë se ajo pritet të sjellë shpërndarje të barabartë të drejtësisë dhe balancim të numrit të gjyqtarëve me çështjet në shqyrtim.
Në Shqipëri reforma në drejtësi e miratuar rreth 7 vite me parë ka shkaktuar në vijimësi debate, gjatë proçesit të zbatimit. Rivlerësimi i trupës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë, ose sic quhet ndryshe vetingu ka sjellë largimin e një mase të gjerë gjyqtarësh dhe prokurorësh.
Sot në sistem mungojnë përkatësisht 44 dhe 38% e tyre, dhe situata krahasuar me dy vite më parë është përkeqësuar. Së fundi nisi dhe zbatimi i hartës së re gjyqësore, që mbyll 18 nga 38 gjykata, thuaj gjysmën e tyre. Në gjithë vendin mbeten 13 gjykata të shkallës së parë nga 22 që ishin, një gjykatë apeli nga 6 të tilla, dhe dy gjykata administrative të shkallës së parë nga 6.
Që prej 1 shkurtit të këtij viti, Gjykata e Apelit në Tiranë është e vetmja e këtij lloji në vend. Avokatë dhe qytetarë të ndryshëm nga skaje të largëta të vendit, shprehin shqetësim kur thonë se tani e kanë më të vështirë për të marrë drejtësi.
Kostot janë rritur ndjeshëm shprehet për Zërin e Amerikës Suela Koxhioni, avokate nga qyteti i Vlorës ku Gjykata e Apelit është mbyllur.
“Shërbimet tona, ne tarifojmë në bazë të tarifave të vendosura nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, të cilat bazohen në ekzistencën e gjykatave të Apelit, të cilat ishin 6 dhe tani është vetëm një, dhe rrjedhimisht dhe distancës fizike. Tani lind nevoja për ndryshim të këtyre tarifave sepse unë nuk mund t’i marr klientit tim të njëjtën pagesë kur unë e përfaqësoja në Vlorë ndërkohë që unë vij në Tiranë. Kostoja shkon 10 mijë lekë të reja për ne që vijmë nga Vlora, nga 500 që ishte në Vlorë, po një tjetër që është më larg, se imagjinoj dot”- tha për Zërin e Amerikës, Suela Koxhioni, avokate nga qyteti i Vlorës.
“ Unë jam avokate nga Kukësi dhe kisha si juridiksion Gjykatën e Apelit në Shkodër. Aty çështjet gjykoheshin në kohë të shpejtë, këtu kjo nuk ndodh. Sapo dola nga zyra e informacionit, u interesova për 3 – 4 çështje që ndjek. Nuk kërkova informacion për më shumë sepse, kur nuk mora informacion për këto, i lashtë të tjerat. Nëse në Shkodër kishte çështje të vitit 2022, këtu në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ka dosje të vitit 2019 pa u shqyrtuar. Është drejtësi e mohuar mendoj unë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Aurora Guska, avokate nga qyteti i Kukësit.
“Si çdo fillim edhe ky është i vështirë”- thotë për Zërin e Amerikës anëtarja e Gjykatës së Apelit Edlira Petri. Ajo sqaron se për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve me qëllim që të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Tiranës, në gjykatat që mbyllen ka zyra të posaçme shërbimi, që funksionojnë për të marrë informacione, depozituar kërkesa, tërhequr vendime, apo për të marrë dokumenta nga arkivat.
“Ndonjëherë besoj se argumentat për shtimin e kostove nuk janë reale, nuk marrin peshë përballë nevojës për të patur një gjykatë të vetme Apeli, e cila shumë shpejt do shkojë drejt unifikimit të praktikave dhe ndoshta këto janë gjëra më të rëndësishme që prevalojnë. Megjithatë ne do ta shohim, i mbetet të ardhmes. Një nga kritret qe mat besimin e qytetarëve është dhe shpërndarja e barabartë e drejtësisë. Nëse në Gjirokastër një qytetar gjykohet brenda një afati disa mujor dhe në Tiranë në Gjykatën e Apelit duhen disa vite, kjo nuk është e drejtë. Ky është një ndër kriteret, pra shpërndarja e barabartë e drejtësisë, në gjithë territorin e vendit, që i shtyu dhe hartuesit e hartës së re gjyqësore për të zgjedhur këtë model”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Edlira Petri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Optimistët e hartës së re gjyqësore mendojnë se ajo sjell balancimin e numrit të gjyqtarëve me çështjet në gjykim, por në Gjykatën e Apelit në Tiranë, kjo balancë nuk është rregulluar, të paktën për momentin. Aktualisht kjo gjykatë ka 24 nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë, dhe ngarkesa e punës është e lartë. Rreth 32 mijë dosje presin të shqyrtohen, 11 mijë prej të cilave janë transferuar nga gjykatat që u mbyllen. Kjo pritet të sjellë vonesa në gjykimin e çështjeve, ndërsa plotësimi i trupës gjyqësore nuk ka një datë apo kohë, pasi sistemi ka shumë vende bosh dhe shkolla e magjistraturës do të duhet disa vite t’i plotësojë ato.
“Me një llogaritje të thjeshtë nëse do të ishin 78 gjyqtarë me një mesatare prej 200 çështjesh që do të bënte çdo gjyqtar në vit, në fund të vitit do të kishim mbi 15 mijë çështje dhe në krahasuar me stokun që kemi sot 32 mijë dosje, llogaritja është e thjeshtë, situata nuk do të ishte kaq e vështirë sa është aktualisht”- vijoi Edlira Petri, gjyqatre në Gjykatën së Apelit, të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranë..
Komiteti Shqiptar i Helsinkit që e ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore mendon se KLGJ duhet të shohë me prioritet plotësmin e vendeve bosh. Një tjetër shqetësim lidhet me fatin e nëpunësve në gjykatat që mbyllen. KLGJ i tha Zërit të Amerikës se numri i tyre mbetet i njëjtë dhe se ata që u prekën nga mbyllja e gjykatave të apelit janë sistemuar, por Erida Skëndaj drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thotë se proçesi nuk është transparent.+
“ Nuk ka transparencë, për emrat e punonjësve, çfarë pozicioni kanë patur, dhe në çfarë vendi kanë kaluar, një proçes i cili duhet të ishte transparent, sepse po flasim për një riorganizim gjyqësor me një interes të lartë publik dhe emrat e këtyre punonjësve nuk ka pse të jenë sekret, apo informacione koefidenciale për publikun. Duhet të jetë prioritet, pasi reflektohet në përditshmërinë e punës së këtyre njerëzve që do të përballen me një numër të lartë çështjesh dhe ndikon në efiçensën e punës së tyre”- u shpreh për Zërin e Amerikës Erida Skëndaj, Drejtore ekezekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Shqetësim për ekspertët përbën dhe infrastruktura e pamjaftueshme e Gjykatës së Apelit në Tiranë, pasi në të do të ushtrojnë detyrën edhe gjyqtarët e Gjykatave të Apelit që u mbyllën si dhe një pjesë punonjësve të tyre. Po ashtu në këtë godinë kanë mbërritur mbi 10 mijë dosje nga këto gjykata dhe vështirësitë e para kanë filluar të ndjehen.
“Nuk ka asnjë kuptim të ketë vetëm një Gjykatë Apeli në gjithë vendin, edhe për arsye hapësire dhe vendi. Sot në Gjykatën e Apelit dosjet janë nëpër koridore, ngarkesa është aq e madhe sa duhen vite për të marrë drejtësi”- tha për Zërin e Amerikës Dylejman Karaj, avokat nga Tirana.
Për të përballuar fluksin e dosjeve që presin gjykim disa ambjente bodrumi në godinën e Gjykatës së apelit në Tiranë janë përshtatur si arkiv. Janë vetëm 7 salla gjykimi, dhe nëse trupa gjyqësore plotësohet me 78 gjyqtarë, nga 24 që janë aktualisht, gjërat ndërlikohen, pasi ambjentet janë të pamjaftueshme.
KLGJ i tha Zërit të Amerikës se në një plan afatgjatë është menduar ndërtimi i një godine të re, ndërsa janë akorduar disa fonde për rikonstruksionin e ambjenteve të godinës së gjykatës së Apelit në Tiranë.
Një tjetër shqetësim, sipas grupimeve që mbrojnë të drejtat e njeriut, lidhet me transferimin e të paraburgosurve nga i gjithë vendi, në institucionet e paraburgimit në kryeqytet, me qëllim për të marrë pjesë në seancat e masave të sigurisë. Ato sipas tyre janë të mbipopulluara dhe situata pritet të rëndohet më tej. Autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë thanë për Zërin e Amerikës se Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve ka marrë masat me qëllim lehtësimimin e proçesve gjyqësore, duke rritur aksesin e avokatit mbrojtës me të paraburgosurit si dhe numrin e mjeteve të transportit të tyre nga qytete të ndryshme të vendit drejt Tiranës.
Prej 1 majit edhe gjykatat e shkallës së parë riorganizohen dhe nga 22 mbeten 13. Megjithëse KLGJ dhe autoritetet zyrtare e kanë argumentuar hartën e re gjyqësore me nevojën për një drejtësi të barabartë për qytetarët si dhe me faktin se gjykatat që mbyllen nuk justifkonin numrin e nevojshëm të çështjeve për gjyqtar, ekspertët mendojnë se ky shkurtim drastik i gjykatave erdhi edhe si pasojë vendeve bosh të krijuara në sistem nga proçesi i vettingut. Plotësimi i vendeve vakante përmes prurjeve nga shkolla e magjistraturës pritet ta zbusë gradualisht volumin e punës në gjykata, por ende ky proçes vijon të mbetet kompleks pasi nuk mund të parashikohen largimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vazhdim, për shkak të rivlerësimit. Stoku i dosjeve është i lartë. Koha e dhënies së drejtësisë është rritur ndjeshëm në të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend, dhe qytetarët po përballen me një drejtësi të vonuar.
“Personalisht kam dosje pensioni të vitit 2016-ës, ka ndodhur që ka ndërruar jetë paditësi dhe ende nuk i ka dalë data”- u shpreh Suela Koxhioni, avokate nga qyteti i Vlorës.
“Kam fituar disa çështje për vjetërsi pune për pensionistët. Tani këto çështje janë në Gjykatën e Apelit. Këtu shkon 5-6 vjet shqyrtimi. A do mundet ai njeri ta gëzojë pensionin e tij? Kjo për mua është shumë shqetësuese”- vijoi Aurora Guska, avokate nga qyteti i Vlorës.