Në Shqipëri Gjykata e posaçme konfirmoi sot të njejtën masë sigurie ndaj Jamarbër Malltezit, dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha. Zoti Malltezi u arrestua të shtunën nën dyshimet për të paktën dy vepra penale që lidhen me procedurat e privatizimit të ish klubit sportive Partizani dhe ndërtimin në sipërfaqen e tij të një kompleksi pallatesh. Gjykata la po ashtu në fuqi dhe masën e detyrimit për paraqitje për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Avokatët mbrojtës hodhën poshtë dyshimet për shkelje nga ana e klientëve të tyre. Rasti i ish kryeministrit Berisha pritet të shqyrtohet nesër, në një seancë tjetër, duke qenë e ai nuk ka firmosur dokumentin për marrje dijeni të vendimit të gjykatës për masat e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Zoti Berisha edhe sot hodhi poshtë akuzat ndaj tij duke e konsideruar vendimin e Gykatës dhe Prokurorisë si “një kosh me gënjeshtra dhe manipulime”
Për Jamarbër Malltezin, Prokuroria thotë se ai dyshohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin Sali Berisha, duke qenë se sipas saj, duke shfrytëzuar pozitën e kreut të qeverisë, ka marrë përfitime gjatë procesit të privatizimit të ish klubit sportiv Partizani, ndërsa ka arritur të përfitojë në formën e fitimeve të kompanisë, e cila hyri në marrëdhënie për ndërtimin e kompleksit të pallateve afro 5.4 milionë euro. Sipas prokurorisë ai është paraqitur si investitor në punimet e ndërtimit të pallateve pa investuar dhe ka kryer veprime financiare e transaksione për të fshehur origjinën e parave të përfituara, e për këtë arsye dyshohet se ka kryer dhe “pastrim parash”
Seanca e sotme e gjykatës për shqyrtimin e masës së sigurisë arrest me burg u shty disa herë, me kërkesën e avokatëve për t’u njohur më mirë me dosjen. Vetëm në mbrëmje gjykata doli me vendim duke konfirmuar të njëjtat masa sigurie, si për Malltezin ashtu dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, kompania e të cilit realizoi punimet. Bektashi dyshohet po ashtu për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” si dhe “pastrim parash”.
Pas përfundimit të seancës, sikundër dhe në sallë, avokatët mbrojtës deklaruan se klientët e tyre janë të pafajshëm.
“Të akuzosh dikë se është trashëgimtar i ligjshëm i një familjeje të mirënjohur tiranase, siç është familja Begeja, se ka lidhur një marrëdhënieje kontraktore me trashëgimtarin e një tjetër familjeje tiranase është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime po cënohet standardi i sigurisë juridike”, u shpreh avokati Klodian Skënderi i cili mbron Malltezin.
Edhe avokatja Vasilika Hysi, e ndërtuesit Bektashi u shpreh se “nuk ka asnjë lloj elementi të veprës penale të parashikuara apo të pretenduara nga akuza”.
E paqartë ishte situata me ish kryeministrin Sali Berisha, i cili nuk ka pranuar të firmosë aktin me të cilin vërtetohet se ka marrë dijeni për vendimin e gjykatës. Ndaj tij po ashtu është vendosur detyrim për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. “Ky është një proces i parregullt ligjor. Në momentin që zoti Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar si vendim, ai nuk është pjesë e këtij procesi. “Këtë ngërç procedurial duhet ta zgjidhin ata që e krijuan”, deklaroi avokati i tij, Genc Gjokutaj. Pasdite Gjykata e Posaçme bëri të ditur se seanca për zotin Berisha është parashikuar për ditën e nesërme, pas mesditës. Më herët, përfaqësuesë të policisë gjyqësore, kishin qenë në banesën e zotit Berisha, për t’i komunikuar akuzën.
Për ish kryeministrin, prokuroria dyshon se ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore” duke ndërhyrë për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që favorizuan familjet e pronarëve të tokës, mes të cilëve dhe dhëndri i tij, se ka nxitur kontrolle për të ushtruar presion për përfundimin e procedurave të privatizimit apo se strukturat shtetërore janë vënë në dispozicion të dhëndrit të tij për realizimin e procedurave të privatizimit.
Vendimi i gjykatës është një dokument 200 faqesh, për të cilin zoti Berisha deklaroi sot se “është një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze, të cilat faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë të vendosura ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im”.
Zoti Berisha përdori një gjuhë të ashpër dhe me epitete të shumta ndaj prokurorëve të çështjes, duke këmbëngulur se “nuk janë në gjendje të japin as dhe një provë, fakt apo dokument të vetëm, se në procedurat e privatizimit të klubit Partizani është shkelur ndonjë ligj, normë apo praktikë ligjore”.
Kur kanë kaluar gati 48 orë nga zbatimi i vendimeve të gjykatës, sot për herë të parë për këtë rast u shpreh publikisht dhe zoti Gazmend Bardhi, i cili gëzon mbështetjen e një grupi jo të vogël deputetësh demokrat, e që së fundmi u afrua me zotin Berisha dhe grupin e tij, pas kundërshtive për rizgjedhjen e zotit Lulzim Basha si kryetar i PD-së.
Zoti Bardhi i mëshoi tezës se Prokuroria e Posaçme do të duhej të kishte kërkuar autorizimin e parlamentit për masat e sigurisë ndaj ish kryeministrit.
“Të dyja masat e sigurisë kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së zotit Sali Berisha, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK-ut”.
Ai, sikundër dhe vetë zoti Berisha, i referohen nenit 73, pika 2 e kushtetuës, e cila në fakt nuk flet për kufizim të lirisë, por përmend vetëm rastin e heqjes së lirisë apo kontrollit të banesës së një deputeti, si kushte për të kërkuar autorizim nga parlamenti.