Vizita e kryeministrit Edi Rama në Londër, të enjten, e para vizitë zyrtare e një kreu të qeverisë shqiptare në Downing Street 10, u zhvillua në sfondin e polemikave që prej muajsh vijojnë në Britaninë e Madhe mbi çështjen e emigrantëve që kalojnë ngushticën e La Manshit për të hyrë ilegalisht në Britani. Sipas shifrave të autoriteteve në Londër, shqiptarët, kryesisht burra, përfaqësojnë gati 25 përqind të totalit të emigrantëve që mbërritën në Britani vitin e shkuar, krahas atyre nga Afganistani, Iraku apo Siria.
Retorika e ashpër ndaj emigrantëve dhe veçanërisht identifikimi i shqiptarëve si “kriminelë” nga ana e ministres së Brendshme Suella Braverman, çoi në tensione mes Tiranës dhe Londrës nëntorin e kaluar, me kryeministrin Rama që reagoi ashpër ndaj kategorizimit në grup të shqiptarëve si keqbërës.
Edhe në deklaratat para nisjes së takimit të tij me kryeministrin britanik Rishi Sunak, zoti Rama deklaroi se “ashtu siç, jo të gjithë britanikët janë ‘James Bond’ apo ‘Mr. Bean’, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken”, tha ai duke kujtuar se janë të shumtë shqiptarët që ndërtojnë, kujdesen, gatuajnë dhe dhe këndojnë, duke sjellë rastin e këngëtares së famshme Dua Lipa.
Për këtë arsye, sipas zotit Rama “duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu”, u shpreh ai duke ju drejtuar zotit Sunak, ndërsa shtoi se “mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për t’u luftuar dhe për të fituar këtë betejë”.
Më herët gjatë një interviste për BBC-në zoti Rama kishte deklaruar se “komunitetit tonë i është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike… Ne refuzojmë dhe do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”.
Dhjetorin e kaluar dy kryeministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët ku angazhoheshin për goditjen e fenomenit të emigracionit të paligjshëm.
“Jam shumë i kënaqur me progresin e bërë në këtë drejtim”, u shpreh kryeministri britanik. Ndërsa zoti Rama nga ana e tij theksoi se “na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve.”
Në komunikatën e zyrës së kryeministrit Sunak për takimin me zotin Rama vihet në dukje se ata “u angazhuan për thellimin e punës në kuadër të Deklaratës së Përbashkët dhe Task-Forcës për të cilat u ra dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në adresimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të trafikimit të njerëzve. Ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta të nivelit të lartë, për të frenuar pikësëpari udhëtimin e njerëzve, dhe marrëveshje të mëtejshme për shkëmbimin e të dhënave dhe pasaportat”.
Sipas komunikatës “dy kryeministrat përshëndetën progresin e deritanishëm, pasi rreth 800 emigrantë të paligjshëm janë kthyer në Shqipëri që prej muajit dhjetor, veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktojnë Shqipërinë një vend të sigurt”.
Largimi i shqiptarëve të shumtë nga vendi për shkak të pamundësive ekonomike dhe hapësirave për të siguruar një jetesë më të mirë, është po ashtu një temë debate dhe në Shqipëri. Qeveria është gjendur nën akuza të përsëritura se është përgjegjëse për situatën e krijuar, veçanërisht për ikjet e të rinjve.
Kryeministri Rama nga ana e tij është mbrojtur duke argumentuar se kjo është një tendencë e përgjithshme që ka prekur shumë vende.
“Në Shqipëri ka vështirësi, sikundër kush mendon se shkon atje dhe e gjen shtruar, thjesht gabon. Por unë kurrë nuk do t’i them një të riu që, shiko ti nuk duhet ta mendosh që të provosh fatin tënd që të kapësh majat e botës. Se kjo është gjëja më e natyrshme. Ama, kurrë po ashtu nuk do t’i them dot një të riu se këtu nuk ka mundësi. Këtu ka mundësi, se po të mos kishte nuk do të kishte plot njerëz që kthehen. Nuk janë aq sa ikin. Jemi akoma në një trend që më shumë ikin se sa kthehen, por jam i sigurt se ky trend do fillojë të ndryshojë”, deklaroi zoti Rama në një takim me të rinjtë nëntorin e vitit të shkuar.
Sipas anketës kombëtare të emigracionit në familje, për vitet 2011-2019, të realizuar nga INSTAT dhe disa organizata ndërkombëtare rreth 50% e afro 177 mijë qytetarëve të larguar, janë të rinj të moshës 15-29 vjeç. Sipas studiuesve të fushës, arsyet kryesore lidhen me varfërinë, mungesën e punësimit dhe të zhvillimit në karierë.