Drafti përfundimtar i Komisionit të Venecias, lidhur me përplasjen e vjeshtës së kaluar në Shqipëri, mes presidentit Ilir Meta dhe Parlamentit për emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetutës, i jep të drejtë, ashtu si dhe në variantin e parë të muajit mars, pozicionit të mbrojtur nga Kreu i Shteti. Teksti kundërshton gjithashtu propozimin e shumicës për të shmangur me ligj betimin e anëtarit të Gjykatës, vetëm para presidentit, në rast se ky i fundit refuzon ta bëjë këtë.
Përplasjet për emërimet u provokuan nga numri i vogël i kandidatëve që mund të kualifikoheshin, për gjashtë vende vakante (tre që duheshin emëruar nga Presidenti dhe 3 nga Parlamenti). Emrat në garë figuronin njëkohësisht në listat e të dy institucioneve.
Ndërsa presidenti Meta emëroi një nga tre kandidatët e listës së parë të tij, ai vendosi pezullimin e emërimit të kandidatit të listës së tij të dytë, duke e motivuar këtë me faktin se secili nga institucionet duhet të bënte emërimet me radhë. Dhe sipas Kreut të Shtetit, do të duhej që parlamenti të zgjidhte kandidatin e radhës nga lista e tij e parë. Nga ana e saj, shumica pati një interpretim tjetër. Sipas saj, dispozita kushtetuese, më shumë se sa rendin e emërimeve, përcakton sekuencën e të drejtës për të emëruar, duke qenë se Gjykata rinovohet çdo tre vjet me një të tretën e anëtarëve të saj.
Për këtë arsye, Parlamenti e konsideroi automatikisht të emëruar kandidaten Arta Vorpsi, e para në listën e dytë të presidentit, dhe vetë zgjodhi në një seancë të vetme, dy emra nga dy listat e veta, ndonëse, në të dyja rastet nuk pati tre kandidatë, siç përcakton Kushtetuta.
Sipas Komisionit të Venecias “në këto kushte, si dhe duke pasur parasysh faktin se procedurat e mbivendosura nuk janë rregulluar në mënyrë të qartë, nuk duket e paarsyeshme që Presidenti të konsiderojë se duhet të respektojë rendin e sekuencës. Për më tepër, nëse Presidenti do të kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët minimale të kërkuara nga Kushtetuta. Rezervat për shkak të kësaj perspektive nuk duken të pajustifikuara”, shprehet Komisioni i Venecias, duke shtuar se “pavarësisht se cili interpretim ishte i saktë, të dy organet emëruese duhej të ishin mbledhur dhe të kishin arritur një pozicion të përbashkët përpara se të vazhdonin procedurën”.
Ekspertët e Venecias i japin të drejtë presidentit për vendimin e tij për të pezulluar procedurën për zgjedhjen e kandidatit të tij nga lista e dytë, ndërkohë që socialistët e cilësuan si shkelje dhe vlerësuan të emëruar automatikisht zonjës Vorpsi. “Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet me ligj, ai ishte një reagim ndaj një situate të pasigurisë juridike, e cila nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte pushtetin e emërimit që gëzon sipas Kushtetutës dhe kjo u konfirmua nga emërimi i tij për një kandidat menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Parlamentit. Në këto rrethana, duket se është e arsyeshme të pranosh emërimin e vonuar të një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti nuk pranoi betimin e gjyqtarit që u konsiderua i emëruar automatikisht”, vlerëson Komisioni i Venecias.
Rasti i zonjës Vorpsi, e cila sipas shumicës duhej konsideruar e zgjedhur automatikisht pasi Presidenti nuk pranoi betimin e saj, bëri që socialistët të ndërmerrnin një nismë ligjore për të anashkaluar betimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm para Kreut të Shtetit. Por dhe për këtë ekspertët e Venecias janë shprehur kritikë. “Sipas mendimit të Komisionit, kushtetuetshmëria e këtij ndryshimi është e dyshimtë pasi Kushtetuta shprehet qartë se betimi duhet të jepet “para” Presidentit. Për më tepër, dispozita e miratuar është shumë e paqartë. Nëse vlerësohet e nevojshme për të shmangur ngërçin në raste të qarta abuzimi, një dispozitë e formuluar më qartë mund të miratohet në nivelin kushtetues”, vlerëson draft opinion.
Përplasja për emërimet i shtyu socialistët që këtë temë ta shtonin në argumentat e Komisionit të posaçëm parlamentar që po shqyrton prej më shumë se 10 muajsh shkarkimin e presidentit Ilir Meta, i ngritur fillimisht për shkak të vendimit të tij të qershorit të vitit të kaluar për të anulluar zjedhjet vendore, duke dekretuar më pas një tjetër datë për votimin. Por sipas Komisionit të Venecias “sjellja e Presidentit , nuk duket se justifikon shkarkimin e tij”.
Në përfundimet e tyre ekspertët e Venecias e shohin tejet probelmatike situatën e krijuar në Shqipëri, ku ende Gjykata Kushtetuese dhe ajo e lartë nuk janë plotësisht funksionale. Sipas tyre “kriza kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga një akt specifik, por është pasojë e ndërveprimit të disa faktorëve” duke vlerësuar se “procedura e nevojshme e vettingut pati efekte më të gjera nga sa parashikohej fillimisht. Si pasojë, ndër të tjera, të procedurës gjithëpërfshirëse të verifikimit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese janë bërë jofunksionale”, apo dhe se “problemet në zbatimin e dispozitave të paqarta (kushtetuese) janë përkeqësuar nga fakti se nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe nga fakti që procedura është bërë objekt i luftës ndërmjet Parlamentit dhe Presidentit”.
Draft opinion jep dhe disa rekomandime lidhur me çështjen e emërimeve. “Presidenti dhe Parlamenti (dhe Gjykata e Lartë, nëse fillon të funksionojë së shpejti) duhet të bien dakord për procedurën që duhet të ndiqet, dhe KED duhet të përputhet me këtë marrëveshje. Përndryshe, një ose më shumë prej organeve emërues do të rrezikojë të mos jetë në gjendje të bëjë një zgjedhje midis 3 kandidatëve siç kërkohet nga Kushtetuta. Sapo të ngrihet Gjykata Kushtetuese, ajo duhet të merret me këtë çështje. Në këtë situatë, derisa të arrihet një marrëveshje ose Gjykata Kushtetuese të mos jetë prononcuar, KED-ja duhet t’i dërgojë listat në Kuvend, sapo Presidenti të ketë proceduar me emërimin e tij / saj, ose pas 30 ditësh nëse ai / ajo nuk arrin ta bëjë këtë pa arsyetim”.
Rekomandime jepen dhe lidhur me rolin e KED-së, një institucion ndaj të cilit Komisioni ka shprehur kritika për mungesë transparence, duke kërkuar që “Avokati i Popullit të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të marrë pjesë si vëzhgues për hir të transparencës dhe besimit të publikut në procedurat e verifikimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve”.
Po ashtu, sa i përket vettingut , Komisioni vlerëson se “ndërsa reforma e gjyqësorit dhe procedura e vettingut mbesin prioritet dhe duhet të ecin drejt përmbylljes, duhet të vlerësohet nëse rregullat e zbatuara janë të përshtatshme dhe lejojnë një përfundim të shpejtë të procesit, veçanërisht në rast se vettingu i gjyqtarëve çon në gjykata jofunksionale, sidomos të atyre të niveleve të larta”.
Draft opinion mbyllet me një thirrje për “nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim besnik midis institucioneve shtetërore. Mandati dhe kompetencat e institucioneve shtetërore duhet të respektohen në mënyrë që ata të përmbushin objektivat e tyre legjitime institucionale, gjithmonë duke kërkuar përfitimin më të mirë për qytetarët e Shqipërisë”.
Komentet