Në Shqipëri ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ishte sot në Prokurorinë e Posaçme e cila po heton mbi shkelje të mundshme në dhënien me qira të bazës detare të Limionit, në periudhën kur zonja Xhaçka drejtonte ministrinë e Mbrojtjes. Në korrik të viti 2020, qeveria e dha bazën me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë, në favor të një projekti turistik që do të realizohet nga bashkimi i shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk.
Shkak për hetimet e prokurorisë u bë një kallëzim ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari, sipas të cilit do të duhej të ishte marrë miratimi dhe i Presidentit, si komandant i Forcave të armatosura. Por sipas autoriteteve, dhënia me qira nuk kërkon miratimin e kreut të Shtetit, pasi Baza Detare mbetet pjesë e Planit të Përhapjes.
Zoti Meçollari po ashtu pretendon se pronat e ushtrisë konsiderohen kapacitete operacionale e si të tilla nuk mund të trajtohen vetëm me ligjin për pronat e shtetit, por duke u mbështetur dhe në ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA”.
Ish ministrja e Mbrojtjes Xhaçka, dhe më herët ka deklaruar se nuk ka asnjë shkelje ligjore. Sipas saj procedura e ndjekur ka patur dhe dakortësinë e Forcave Detare dhe Shtabit të ushtrisë, dhe kjo procedurë garanton modernizimin e pjesës operacionale të pronës përmes investimeve në godinë, bankinë e dallgëthyese që do e bëjnë bazën ndihmëse të Forcës Detare në Limion shumë herë më operacionale.
Por pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ndërkohë, ka vendosur nën sekuestro preventive Bazën e Limionit, pasi sipas saj “disponimi i kësaj prone nga subjektet private cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare”.