Në Shqipëri, arrestimi i kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë, Fredi Beleri, vazhdon të provokojë acarrime në marrëdhëniet shqiptaro – greke.
Një deputet i shumicës qeverisëse në parlamentin grek Angelos Syrigos, vizitoi në spitalin e paraburgimit zotin Beleri.
Ai theksoi për mediat se moslirimi i zotit Beleri dhe pengimi i tij për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës do të sjellë një përkeqësim serioz në marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe do të ndikojë mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Qeveria shqiptare është shprehur se pavarësia e drejtësisë duhet respektuar dhe pritet fjala dhe provat e saj.
Ndërsa u mbushi tre muaj i arrestuar nën akuzën e blerjes së votës, Fredi Beleri, fitues i zgjedhjeve vendore të Himarës të 14 majit, u vizitua në spitalin e paraburgimit nga deputeti i Partisë Demokracia e Re në parlamentin grek Angelos Syrigos.
Kandidati fitues i koalicionit “Bashkë fitojmë”, pjesëtar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson pakicën greke, Beleri u ndalua nga policia pas mesnate në restorantin e tij, ndërsa sipas prokurorisë bëhet fjalë për një arrestim në flagrancë teksa ai në bashkëpunim me persona të tjerë, premtonte dhe jepte para me qëllim blerjen e votës.
Por deputeti grek Syrigos theksoi sot se Shqipëria duhet të zbatojë prezumimin e pafajësisë për shtetasit e saj dhe ta lejojë zotin Beleri të betohet si kryetar i zgjedhur i bashkisë, sepse ky ndalim përbën një dhunim të drejtës së tij civile.
Ai tha se e vizitoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës, në emër të qeverisë greke dhe partisë Demokracia e Re.
“Dështimi i autoriteteve shqiptare për të ndërmarrë masat e nevojshme për lirimin e zotit Beleri, ose për ta lejuar atë që të betohet në detyrë po krijon rrezikun shumë serioz të largimit të tij nga zyra e kryetarit. Kjo do të shkaktojë një përkeqësim serioz në marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha zoti Syrigos.
Ai theksoi se mbizotërimi i ligjit, prezumimi i pafajësisë për një person të zgjedhur si kryebashkiak dhe respektimi i të drejtave qytetare janë tre çështje po shqyrtohen me seriozitet nga Bashkimi Europian dhe mund të bëhen pengesë serioze në afrimin e Shqipërisë me BE-në dhe mbi negocitatat që pritet të nisin shumë shpejt.
“Për ne dhe Bashkimin Europian është e pakuptueshme pse një person që është zgjedhur dhe që nuk ka kaluar në gjykim, nuk mund të shkojë në zyrën e tij dhe të bëjë betimin. Kjo është shumë serioze për ne dhe nuk ka të bëjë thjesht me burgosjen. Nga 31 raste të dyshuara për korrupsion zgjedhor vetëm beleri mbahet në burgim”, tha deputeti grek Syrigos.
Arrestimi i kandidatit opozitar Fredi Beleri dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit në Himarë provokoi një acarrim në marrëdhëniet e Tiranës me Athinën, sepse ai përfaqëson Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron të drejtat e pakicës greke në Shqipëri.
Ndërsa Greqia kërkoi shpjegime në rrugë diplomatike, Kryeministri Edi Rama deklaroi përmes rrjeteve sociale pas ndalimit nga prokuroria të kandidatit të opozitës për Himarën Beleri se “duhet respektuar pavarësia e organeve të drejtësisë”, dhe bëri thirrje që “të priten me durim provat dhe fjala e drejtësisë dhe askush të mos nxitohet me përfundime politike”.
Ai shtoi se “kjo përbën një sprovë të madhe për drejtësinë lidhur me zgjedhjet, se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha zotit Beleri mandatin e drejtuesit të ardhshëm të Bashkisë së Himarës, pasi fitoi zgjedhjet e 14 majit me një diferencë të ngushtë votash përballë kandidatit socialist, Jorgo Goro, kryebashkiakut të mëparshëm.
Kryetar i këshillit bashkiak të Himarës është zgjedhur një përfaqësues i Partisë Socialiste, e cila ka numrin më të madh të këshilltarëve, një ditë pasi Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e zotit Beleri për të qenë i pranishëm në mbledhjen e parë dhe për të bërë betimin.
Edhe Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar edhe Apeli i Gjykatës së Posaçme kanë hedhur poshtë kërkesat e Belerit për masa më të lehta arresti, duke e lënë në arrest me burg, derisa bëhet fjalë për akuzën e shitblerjes së votave, të kapur në flagrancë.