Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë për sanksionim ndaj Serbisë, duke thënë se mos veprimi do të sjellë inkurajimin e tyre për sulme ndaj Kosovës.
“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës e Serbisë si dhe frenimi e sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”, ka thënë ajo nga konferenca në Kroaci.
Osmani ka theksuar se tashmë sipas të gjitha provave, qëllimi i grupeve terroriste që sulmuan Kosovën më 24 shtator ka qenë aneksimi i veriut, raporton RTK.
“Nëse nuk merren masa nga komuniteti euro atlantik, Serbia do të ndihet më e inkurajuar për të vazhduar me akte e sulme tjera me qëllimin përfundimtar, me atë që është dëshmuar nga të gjitha provat, aneksimi i veriut të Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Tutje ka thënë se Kosova mbetet e palëkundur në vizionin dhe përpjekjet e saj për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Osmani ka theksuar se Kosova po punon për synimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE, duke i njohur ato edhe si garanci për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në gjithë rajonin.
Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me homologun kroat, ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare qartësi strategjike, ndërkaq nga Kroacia vazhdim të bashkëpunimit për këtë sfidë të sigurisë.
“Kosova në periudhën e fundit po përballet me një prej situatave më të rënda në 25 vitet e fundit, shkaku i veprimeve hibride nëpërmjet aktiviteteve terroriste dhe agresionit të sponsorizuara dhe urdhëruar nga Serbia. Shpresoj që partnerët ndërkombëtarë do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim jo vetëm të Kosovës por gjithë rajonit”, ka thënë Osmani.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq tha se Serbia duhet t’i japë disa përgjigje, për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. Milanoviq tha në një konferencë të përbashkët për media se në bazën e ushtrisë serbe ku u dëshmua se është stërvitur grupi terrorist duhet aprovim për t’u futur aty.
“Për t’u futur aty brenda, duhet të kesh aprovimin e dikujt. Armët, trajnimet, xhirimet që kanë lënë, të gjitha këto gjëra kanë mbetur në dispozicion të Kosovës. Kroacia arriti të luftojë dhe të triumfojë ndaj Serbisë përgjatë historisë, “natyrisht me çmim shumë të madh. Janë krijuar shumë vrasje, gjëra të ndryshme, komplote”, tha ai ndër tjerash, duke iu referuar Serbisë. Por tani nuk jemi në vitin 1014, jemi në vitin 2023”, tha ai.