VOAL

VOAL

Vjosa Osmani nderon kujtimin për hebrenjtë në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit

January 27, 2021

Komentet

VOA- SPAK: Rasti Veliaj, të dhëna për “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”

Ilirian Agolli

Në Tiranë SPAK-u bëri të ditur të premten se në lidhje me hetimet që kanë përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarë të tij, ka të dhëna konkrete jo vetëm për “korrupsion pasiv”, por edhe me vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”.

SPAK ia atribuon këto gjetje hetimeve paraprake dhe provave të mbledhura deri në këtë fazë, lidhur me procedimin penal të regjistruar në muajin shkurt.

Nga hetimet e deritanishme, sipas prokurorisë, “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.

Gjatë hetimeve, po sipas prokurorisë, “janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë”.

Prokuroria e Posaçme shtoi se ky procedim u bazua në informacionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila verifikoi të dhënat dhe administroi provat dokumentare, pas kallëzimit të një shtetasi (i vetidentifikuar si N.A).

Në kuadër të këtij procedimi, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ishte të enjten për më shumë se pesë orë në SPAK. Ai nuk komentoi për gazetarët pasi doli nga Prkuroria e Posaçme.

Zoti Veliaj tha para Këshillit Bashkiak se në SPAK ai ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç u shpreh ai, “nuk ekziston”, megjithatë shtoi se ka qenë bashkëpunues me drejtësinë, ndërsa e cilësoi denoncimin si një kurth të sajuar anonim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Disa ditë më parë në SPAK ishte për afro tre orë edhe bashkëshortja e zotit Veliaj, Ajola Xoxa, në zyrat e kompanive të së cilës u bënë kontrolle nga agjentët e BKH-së, me vendim të Gjykatës së Posaçme, në fillim të dhjetorit dhe iu sekuestrua telefoni celular. Kontrolle u kryen edhe në banesat e vëllait të zotit Veliaj, të cilit iu sekuestrua telefoni celular. Gjykata e Apellit rrëzoi ankimimin e tyre kundër këtyre kontrolleve.

Ndaj zotit Veliaj nuk ka një akuzë, ndërsa vijojnë hetimet paraprake mbi procedimin penal, të nisur në shkurt për “korrupsion pasiv”, të cilit u janë shtuar tashmë edhe dyshimet e provat për korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Hovenier: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën

VOA Leonat Shehu

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën dhe rrugës së saj drejt përparimit.

Ai i bëri këto komente në takimin e tij të fundit zyrtar si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi kurora lulesh pranë shtatores së presidentit të parë të vendit Ibrahim Rugova, në qendër të Prishtinës.

Ambasadori Hovenier tha se përmbyllja e misionit te shtatorja e ish presidentit Rugova është shprehje e nderimit për atë që ai përfaqësoi.

“Këmbënguljen e tij për të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë popullit të Kosovës, këmbënguljen e tij për një shtet sovran demokratik, shumetnik e të bëgatë, këmbënguljen e tij për t’i arritur ato qëllime në mënyrë proporcionale me vlerat më të larta të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se përgjatë shërbimit të tij trevjeçar si ambasador ka bërë përpjekje që të ndihmojë përparimin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Ne duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për herë të parë në fund të viteve nëntëdhjetë, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka dyshim për përparimin dhe për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të parë realizimin e vizionit të tij për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumë etnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha ai.

“E falënderoj ambasadorin Hovenier për kontributin e tij në mbrojtjen e këtyre vlerave, për zërin e tij të fuqishëm në mbrojtjen e shtetit të pavarur, sovran, multietnik dhe në kufijtë aktual të Republikës së Kosovës”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Ajo ritheksoi siç tha rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit me aleatët e vendit, e që sipas saj ishte vlerë e ish presidentit Ibrahim Rugova

“Mbrojtja e sovranitetit dhe aleancave shkojnë bashkë dhe janë të ndërlidhura shumë ngushtë me njëra tjetrës. Kur ke miq të fuqishëm pranë, kur ke miqësi që janë të bazuara në vlera atëherë edhe populli i Kosovës edhe shteti i Kosovës, shteti sovran në mbrojtje të plotë të integriteti territorial, ecën përpara”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha muajin e kaluar se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cenimi i tyre, cenon vet Kosovën, në një referencë të qartë të mospajtimeve të qeverisë së Kosovës me aleatët rreth zhvillimeve në veri, që nxitën përplasje edhe brenda vet institucioneve.

‘Hajdut, po të zënë hakat e…’- Veliaj në SPAK, qytetarët protestë para Prokurorisë së Posaçme

Disa qytetarë kanë protestuar para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, teksa kryebashkiaku Erion Veliaj u paraqit këtë të enjte në SPAK.

Me pankarta në duar, protestuesit kanë kërkuar dënimin e Veliajt, të cilin e cilësojnë hajdut dhe mashtrues.

Image

“Mashtrues 99-sh, hajdut, po të zënë hakat e Kombinatit”, shkruhej në një nga pankartat e protestuesve.

Image

Kryebashkiaku Veliaj po jep deklarime në lidhje me hetimin e regjistuar nga SPAK, për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

BKH me urdhër të SPAK, ditë më parë i sekuestroi celularin gruas së Veliajt, Ajola Xoxës, pas një kontrolli të zhvilluar në banesën e tyre, teksa kryebashkiaku nuk ishte në Shqipëri.

Gjykata e Posaçme e Apelit dy ditë më parë, refuzoi ankimin e bërë nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit që lejoi SPAK-un ta kontrollojë dhe sekuestrojë aparatin telefonik celular.

Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi të njëjtat pretendime të ngritura kundër kontrolleve nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj dhe dy kompani, ambientet e të cilave kaluan në filtrën e agjentëve të BKH.

Albin Kurti firmos vendimin, Qeveria e Kosovës jep 1 mln euro për Luginën e Preshevës

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar dje një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë tri vendime.

Një nga vendimet është edhe ndarja e 1.108.529 euro mbështetje për të gjitha familjet shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, që në mënyrë aktive merren me bujqësi, transmeton Zeri.info.

Këto janë vendimet:

– Aprovuar Rregulloren për Procedurat dhe Kushtet e Financimit të Organizatave Sportive;

– Ndarë 1,108,529 euro mbështetje për të gjitha familjet shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, që në mënyrë aktive merren me bujqësi sipas thirrjes publike të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), duke përfshirë këtu financimin për programet nga thirrja publike e KKSH-së për avancimin dhe socializmin e fëmijëve me nevoja të veçanta;

– Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje.

LAJMI I FUNDIT- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Veliaj do të pyetet në kuadër të hetimit që po zhvillohet ndaj tij për korrupsion pasiv.

Më herët është marrë edhe dëshmia e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ushtroi kontroll në telefonin e Xoxas.

Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Ukrainë

VOA Marrë nga Reuters

Papa Françesku bëri thirrje sot për bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës që nisi me sulmin në shkallë të gjerë të Moskës, më shumë se dy vite më parë, e që ka shkaktuar me dhjetëra mijëra të vrarë.

Në fjalimin e tij në ditën e Krishtlindjes, duke iu referuar konfliktit në Ukrainë Papa bëri thirrje për “të gjetur guximin e nevojshëm për t’u hapur derën negociatave”.

Duke folur nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, para mijëra njerëzve të mbledhur në shesh, Papa tha se uronte që “zhurma e armëve në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, të ndalej”.

Ai bëri thirrje gjithashtu për gatishmëri për “dialog e për t’u takuar”, në mënyrë siç tha ai “të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Papa Françesku, i cili ka qenë Papë që nga viti 2013, u kritikua nga zyrtarët ukrainas këtë vit kur tha se vendi duhet të ketë guximin për të negociuar me qëllim dhënien fund të luftës me Rusinë.

Më parë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e kishte përjashtuar më mundësinë e bisedimeve për paqe pa rivendosjen e kufijve të Ukrainës së paraluftës.

Por zoti Zelenskiy ka treguar gatishmëri në rritje që nga momenti i rizgjedhjes së Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara, për të hyrë në negociata.

Më herët gjatë muajit dhjetor, zoti Zelenskiy hodhi idenë e një zgjidhjeje diplomatike që do të përfshinte “ngrirjen” siç tha ai të linjave aktuale të betejës dhe vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë. Rusia ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’iu bashkuar aleancën ushtarake të NATO-s.

Po sot Papa Françesku, bëri thirrje për t’i dhënë fund konflikteve, politike, sociale apo ushtarake, në vende si Libani, Mali, Mozambiku, Haiti, Venezuela dhe Nikaragua.

Shqiptarët më të frikësuarit në rajon nga inteligjenca artificiale, 46% e tyre mendojnë se IA do t’i dëmtojë njerëzit!

Nga reduktimi i nevojë për fuqi punëtore, tek.. Efektet negative në ekonomi

 

Inteligjenca artificiale është duke rritur përdorimin në popullatë nga dita në ditë, por Shqiptarët janë më të frikësuarit në Rajon në raport me efektet afatgjata në ekonomi të përdorimit të saj.

 

Anketa “Security Meter” që bëri Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në gjashtë vendet evidentoi se 46 për qind e Shqiptarëve mendonin se Inteligjenca Artificiale do t’i dëmtojë më së shumti njerëzit (Ekonominë) në 20 vitet e ardhshme, përqindja më e lartë në Rajon. Gjithashtu Serbet dhe Boshnjakët ishin të frikësuar nga ky fakt me përkatësisht 45 dhe 44% e të anketuarve mendonin se përdorimi i inteligjencës artificiale do të ishte të dëmshëm.

Po në anën tjetër Shqipëria ka gjithashtu përqindjen më të lartë të njerëzve që mendojnë se IA i ndihmon. Anketa zbuloi se 24% e shqiptarëve mendojnë se inteligjenca i ndihmon (shiko grafikun e mëposhtëm).

Përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) mund të ketë efekte negative në ekonominë shqiptare. IA mund të automatizojë procese dhe detyra, duke reduktuar nevojën për fuqi punëtore në industri të ndryshme, si shërbimet, prodhimi dhe administrata publike.

Gjithashtu përdorimi i IA mund të favorizojë më shumë ato biznese që kanë më shumë akses në teknologji dhe kapital, duke krijuar pabarazi më të mëdha midis bizneseve të mëdha dhe atyre të vogla, si dhe midis grupeve të ndryshme shoqërore.

Për shkak të mungesës së investimeve në edukimin dhe trajnimet teknologjike, shumë individë dhe kompani në vendin tonë mund të mbeten pas, duke mos qenë në gjendje të përfitojnë nga IA.

Implementimi i IA kërkon investime të mëdha fillestare për infrastrukturë teknologjike, trajnim dhe mirëmbajtje, gjë që mund të jetë e vështirë për një ekonomi në zhvillim si Shqipëria.

Industria dhe sektorët që mbështeten te aftësitë tradicionale, si artizanati dhe bujqësia, mund të ndihen të kërcënuar nga teknologjitë e reja, duke humbur rëndësinë e tyre kulturore dhe ekonomike. Nëse Shqipëria nuk zhvillon kapacitetet e veta në IA, mund të bëhet e varur nga teknologjitë dhe kompanitë e huaja, duke ulur kontrollin mbi ekonominë kombëtare.

Nga ana tjetër përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) sjell gjithashtu një sërë përfitimesh që mund të ndihmojnë në modernizimin dhe përmirësimin e shumë sektorëve.

IA mund të ndihmojë në automatizimin e proceseve dhe detyrave të përsëritura, duke ulur kohën dhe kostot e prodhimit. Kjo lejon bizneset të jenë më efikase dhe konkurruese në treg.

Në sektorët publikë, si shëndetësia, arsimi dhe administrata, IA mund të ndihmojë në digjitalizimin e proceseve, reduktimin e burokracisë dhe ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më cilësore për qytetarët. Me ndihmën e analizave të avancuara të të dhënave, IA mund të ofrojë njohuri të vlefshme për bizneset dhe qeverinë, duke përmirësuar planifikimin dhe vendimmarrjen në fusha të ndryshme.

Gjithashtu adoptimi i IA mund të nxisë zhvillimin e sektorëve të rinj ekonomikë, si teknologjia e informacionit, startup-et digjitale dhe zhvillimi i aplikacioneve, duke krijuar vende të reja pune dhe mundësi investimi./Monitor

re

 

Osmani thotë se Lista Serbe është angazhuar në akte terroriste, Petkoviq e quan këtë deklaratë të “turpshme”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se Lista Serbe është e angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenim të rendit kushtetues, ka thënë kabineti i Presidencës në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kjo deklaratë vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për këtë vendim dhe kanë bërë thirrje që procesi i certifikimit të bëhet mbi baza të standardeve ligjore dhe procedurave në përputhje me ligjet, dhe jo në bazë shqyrtimesh politike.

Sipas kabinetit të saj, Osmani beson se KQZ-ja duhet të vendosë në mënyrë të pavarur.

“Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, është cituar të ketë thënë Osmani.

Lista Serbe është ankuar për këtë vendim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa dhe vendimi pritet të bëhet publik brenda 48 orëve.

Sipas kryetarit të kësaj partie – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – Zllatan Ellek, vendimi për moscertifkim është absurd, antiserb dhe jodemokratik dhe është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

 

Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës është pyetur për të komentuar deklaratën e Osmanit dhe mundësitë për shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste, por ai ka rikujtuar se autoritetet e Kosovës kanë shpallur terroriste grupet si Brigada Veriore dhe Mbrojtja Civile dhe që Lista Serbe është e ndryshme nga karakteri, andaj nuk janë vendosur në të njëjtën kategori.

“Megjithatë, u përket organeve të ndjekjes dhe sigurisë, sidomos Prokurorisë së Shtetit dhe gjykatave, që të zbardhin shumë më tepër, dhe me shpejtësi të shtuar të sjellin drejtësi edhe mbi lidhjet e mundshme mes Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut në njërën anë, dhe Listës Serbe në anën tjetër”, ka thënë Kurti.

Petar Petkoviq, kryetar i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se deklarata “e turpshme” e presidentes Osmani vetëm konfirmon që vendimi i KQZ-së ka qenë politik dhe është marrë nën urdhrat e Kurtit.

“Vjosa dhe Kurti as nuk ia dinë për demokraci dhe as për sundim të ligjit. Me këtë qasje, Prishtina tregon se Lista Serbe dhe uniteti i serbëve është halë në sy për ta. Për këtë arsye duhet të fitojë Lista Serbe!”, ka thënë Petkoviq përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Tëitter.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se moscertifikimi i kësaj partie është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.

Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

Deri tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme. REL

UGSHPD: DREJTËSI ORBITALE PËR VELIAJN (Qurani* i Baldushkut)

 
Në dy ditë të njëpasnjëshme kur Rama, kryeministër dhe kreu i elitës së Rilindjes Socialiste, pedalon fort në të përpjetën e mbylljes së vitit 2024 duke i marrë një e nga një trofetë e monopolizuara prej vitesh kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ky i fundit po humb edhe peshën e influencës në propagandën e partisë shtet.
Çfarë i ka ndodhur të parit të kryeqytetit që është shtyrë në orbitën e Tiranës me shfaqjen më të fundit më 22 Dhjetor, 2024?
Gjeli i Detit/ Qurani i Baldushkut po promovohet për vitin e ri ndryshe nga bonusi i kryeministrit për pensionistët nga Erion Veliaj si “krenaria Tiranase”ose:- “Është një mundësi e jashtëzakonshme, për të mos e lënë këtë tokë. Kjo tokë mund të prodhojë ekonomi, mund të prodhojë mirëqenie. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, të gjithë lokalet e Tiranës, të gjithë hotelet e Tiranës, bujtinat, të blejnë vetëm gjelat e Baldushkut”.
I parë ftohtë, ky lajm në kryeqytet se çfarë po ndodh me protestat antikorrupsion sikurse dhe me trokitjen e drejtësisë në rrethin e ngushtë familjar të Erion Velisë në festat e fundvitit, propaganda dhe mjegulla mbi të vërtetën bashkohen në një.
A do t’ua shtrojë Rama Veliajn në tryezë shqiptarëve dhe njerëzit të ndjehen të ngopur nga me drejtësinë pa filluar viti i ri drejtë zgjedhjeve apo është ende herët?
Kurbani nga Hamburgu (me tigrin) dhe Baldushku me (gjel detin/quranin) janë sërish dy metafora që i ndërton një marrëdhënie e luftës për pushtet brenda elitës të rilindësve socialistë.
Vetëm dje më 23 Dhjetor, bashkëshortja e Erion Veliajt qëndroi/u mor në pyetje në SPAK prej rreth 3 orësh.
Heshtje nga Veliaj, heshtje nga skuadra e tij e kryeqytetit dhe po ashtu heshtje nga mediat që ai i influencon me justifikimin deri në zbardhjen e fakteve të vërteta. 
Për drejtësinë duhet luftuar dhe sakrifikuar, por kjo nuk ndodh mes moralit të të korruptuarve.
Standardi është eliminimi.
Por a është bashkëshortja Ajola Xoxe temë e lajmit në propagandën zyrtare të partisë-shtet në ATSH?
Postimi më i fundit për të dhe çiftin Veliaj ka qenë muaji Maj 2024 me çeljen e një ekspozite me veprat e Salvador Dalisë. Pjesa tjetër është heshtje dhe veprimtari në hije deri sa SPAK nisi një proces hetimor për pasurinë familjare të të parit të Tiranës.
Kur rrethi mbyllet kaq shumë dhe Veliaj nuk reagon dhe mbron të drejtën, përse drejtësia mbetet orbitale rreth Veliajt?
Pyetja nuk shtrohet për ndëshkimin dhe “kënaqësinë me kurbanin”, por me keq menaxhimin e qytetit me rreth 1 milion banorë, vepra dhe buxhet që i janë besuar Erion Veliajt t’i administrojë në 8 vitet e fundit.
Ashtu si mediat pranë qeverisë, pranë ideologjisë së Rilindjes Socialiste dhe më pranë kryetarit të bashkisë Tiranë nuk lanë lajme pa pasqyruar për çdo fidan të pyllit orbital të kryeqytetit, për çdo shkollë të ri konstruktuar, për çdo koncert e maratona që pushtojnë Sheshin Skënderbej gjatë gjithë vitit etj. në këtë rast përpjekje me drejtësinë heshtin. Heshtin ose fshihen pasi e njohin mirë orbitën mbrojtëse dhe luftën për pushtet brenda elitës së Rilindjes Socialiste që prej shumë vitesh me kujdes kanë rrëmbyer drejtimin e Partisë Socialiste.
Në kujtesë për lexuesin nga një shënim të muajit Maj prej UGSHPD-s me titull “RAMA SIMBOLIKISHT IA MERR BIÇIKLETËN KRYETARIT TË BASHKISË VELIAJ”*, shënimi theksonte pikërisht forcën e drejtësisë për të ndalur fluksin e parasë që investohet për propagandë brenda dhe jashtë atdheut për të siguruar zgjedhjet e 2025.
Rilindja Socialiste e kishte përgatitur strategjinë për fushatën ndërsa opozita i kishte marrë dhe do të merrte goditjet e tjera.
Duket se Rama po mbron orbitën e vet dhe po e përzë përfundimisht Veliajn pa mëshirën e festave. 
Një shprehje e kryebashkiakut nga salla e operacionit fill pas Pashkëve që u duk si kohë e fituar për të mos u paraqitur në SPAK dhe jo si “ringjallje” mes korrupsionit, ishte  “humba 2 gurë bashkë me tëmthin…” dhe menjëherë pas daljes nga SPAK pas disa javësh nisi të shpërfaqë të gjitha projektet për Tiranën si kryeqyteti i dialogut dhe kulturës Mesdhetare, i muzikës, i rinisë, i sportit, i ekselencës së studentëve, i ndihmave për të moshuarit dhe atyre në nevojë etj…etj. deri tek fidanët e pyllit orbital.
Por tani në etapën e fundit duke ditur se ku kanë shkuar paratë dhe sa afër finishit të zgjedhjeve Rilindja Socialiste është, Rama i merr Veliajt edhe “Giro D’Italia 2025”,  edhe “Medaljet e Arta” të nxënësve ekselentë, ashtu sikurse do t’i marrë atij me vështirësi edhe Tiranën.
Interesante ishte dhe simbolika e një starti të ri nga Rama kur shprehet se:-“Gara e famshme popullore, me një traditë 114-vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra-milionë teleshikues”. Këtu flasim pas zgjedhjeve 2025, kohë kur propaganda e Ramës në prag të zgjedhjeve për veprimtarinë do të jetë në kulm. Në fakt në sy të shqiptarëve Giro d’Italia mund të fillojë në një nga qytetet e sipërpërmendur, pa harruar se do të kalojë edhe nga Shëngjini për të mbaruar në Gjadër në dy qytezat e reja Italiane dhe një njëkohësisht të BE-së.
Morali në mes të korruptuarve nuk lidhet me drejtësinë, por me ruajtjen e imazhit. Veliaj dhe shumë të tjerë kanë “punuar” për pushtetin e tyre për të mbajtur me lavde një autoktrat si Edvin Rama, ndërsa ky i fundit nuk e ka problem që brenda elitës që atë e mbajnë t’i zëvendësojë kurbanet me shërbëtorë të tjerë të gatshëm. Pushtetin e korruptuar e ka si një armë mbi orbitën e vet elitë, administratë dhe patronazhistë, pasi zgjedhësit socialistë janë larg dhe opozita e popullit dhe ajo politike janë përballë.
____________________________
* Qurani- Gjeli i Detit, mish shpendi për festën e fundvitit.
 
24 Dhjetor, 2024
 
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kurti: Radoiçiq dha urdhrin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, për financim ka përgjegjësi Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Millan Radoiçiq ka dhënë urdhrin për kryerje të sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit, që ka pasur synim rrezikimin e sigurisë kombëtare.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës dhe autoriteteve të sigurisë.

Sipas tij, përkrahja që i ofron Beogradi zyrtar, atij që e ka quajtur grup terrorist të Millan Radoiçiqit, nuk mund të quhet ndryshe, pos koordinim i shtetit serb me këtë grup, për të intensifikuar luftën hibride kundër Kosovës.

“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”.

Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc.

“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, ka thënë Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Mirëpo, sipas Kurtit, sulmi ka qenë e pamundur të kryhet nga grupi i Radoçiqit, pa e pasur mbrapa shtetin serb.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë, jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike, të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, ka thënë Kurti, duke u zotuar se autoritetet janë të përkushtuara për, siç ka thënë, neutralizim të kësaj metode të mbetur serbe.

Kurti e ka prezantuar një kronologji të 15 sulmeve, që sipas tij, e kanë pasur synim për të dëmtuar Kosovën “në mënyrë terroriste” nga 30 qershori deri më 29 nëntor të këtij viti, dhe që kanë kulmuar me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Kurti ka thënë se Radoiçiq – që aktualisht besohet se është në Serbi i lirë – ka autorizuar persona për të kryer sulme në Kosovë disa herë gjatë vitit.

Millan Radoiçiq është në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi e ka pranuar organizimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Si pasojë e këtij sulmi, që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Serbia, në anën, tjetër, hedh poshtë këto akuza.

Mes tjerash, Kurti ka thënë se refuzimi i Beogradit për ta dorëzuar Radoiçiqin, ka qenë inkurajim për grupin i prin Radoiçiqi, për të vazhduar me akte tjera “kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”.

Për autoritetet e Kosovës, sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.

Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë ditë më parë se agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) janë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë, në hetimet për të gjetur fajtorët mbrapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit. REL

Protesta e opozitës- Grupi i PD kallëzim penal në SPAK kundër Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Policisë dhe zyrtarëve të Policisë së Shtetit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kallëzim penal në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës kundër Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Drejtorit të Drejtorisë Vendore Tirnaë, dhe zyrtarëve të tjerë të Policisë së Shtetit.

Grupi i PD pretendon se zyrtarët e lartpërmendur penguan tubimin, ushtruan dhunë, konsumuan 6 vepra penale.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit Gazment Bardhi ka kallzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tirnaë, dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e grupit të PD-së.

NJOFTIM PËR SHTYP

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit Gazment Bardhi ka kallzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tirnaë, dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që dëshmojnë se tubimi i njoftuar nga Partia Demokratike ishte tërësisht i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal. Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit.

Bashkëlidhur do të gjeni kallëzimin e plotë të dorëzuar sot në dy Prokurori nga kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi.bw

“U rrethova nga një grup policësh, frymëmarrja po më ngadalësohej”, Gjekmarkaj flet pas daljes nga spitali: Më ka mbetur në kujtesë egërsia e 2-3 oficerëve që…

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar përmes një deklarate publike pas daljes nga spitali, ku u shtrua pasi humbi ndjenjat gjatë protestës së opozitës ditën e djeshme.

Në deklaratën e tij, Gjekmarkaj ka hedhur akuza ndaj policisë së shtetit, duke e cilësuar sjelljen e tyre gjatë protestës si brutale dhe të motivuar politikisht.

Sipas Gjekmarkajt, gjithçka ndodhi kur ai, së bashku me shoqëruesin e tij u rrethuan nga një grup i madh policësh.

 

“I thashë me butësi dhe humor: ‘Mos më prekni, jam Agron Gjekmarkaj, nënkryetari i Kuvendit dhe deputet.’ Por reagimi i tyre ishte i dhunshëm. Më shtynë brutalisht, thyen pasqyrën e makinës dhe më ngritën në ajër. Për shkak të kësaj dhune, frymëmarrja ime u vështirësua dhe humba ndjenjat,” tha Gjekmarkaj.

Ai shtoi se ndodhi nuk ishte pasojë e ndonjë problemi shëndetësor, por e veprimeve të policisë. Deputeti u shpreh se u largua nga protesta jo me dëshirë, por sepse u detyrua të shkojë në spital për ndihmë mjekësore.

Gjekmarkaj akuzoi policinë për motivim politik në veprimet e tyre. “Ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik,” deklaroi ai, duke krahasuar sjelljen e policëve me zellin e regjimeve të vjetra totalitare.

Deputeti shfrytëzoi rastin për të falënderuar protestuesit, demokratët, qytetarët e Lezhës dhe kolegët e tij që i qëndruan pranë. Ai shprehu mirënjohje edhe për mjekët që e trajtuan në spitalin ushtarak dhe QSUT.

Deklarata e plotë e Gjekmarkajt:

Nuk do të kisha reaguar persa ndodhi dje me mua në proteste nëse policia e shtetit nuk do me fyente se dyti me deklaraten e vet publike e dizinformuese!
Nuk e pelqej as e kerkoj viktimizimin! Madje kurrë në jeten time nuk kam kerkuar as nxitur ballafaqime fizike! Nuk kam sulmuar asnjeherë askënd! Dje thjesht jam mbrojtur. I gjindur para një makine të vogel bashkë me shoqeruesin tim , punonjes i gardes, i cili u keqtrajtua gjithashtu ndonese u tregoi edhe dokumentin identifikues, u rrethova nga një grup i madh policesh ! Ju thashe mos me prekni , jam Agron Gjekmarkaj, Nen Kryetari i Kuvendit të Republikes , deputet, pedagog Universiteti me butesi gati me humor , nuk shquhem per force fizike nuk bëj palester, ndaj bëni kujdes! Me shtynë brutalisht , me shume forcë, thyen e edhe pasqyren e vetures duke me ngritur gati në ajer mua ! Me terhoqi shoqeruesi me shumë mundim dhe një djale nga Lezha permes policeve teksa ndieja frymarrjen qe po me ngadalesohej! Sapo dola nga turma e policeve duke me terhequr te tjeret humba ndjenjat! Nuk u ndieva keq se kisha probleme me shendetin por si pasoje e veprimeve të policisë! Nuk u largova nga protesta se desha të largohem, por me detyruan, nuk u largova për të shkuar në kafe apo shtepi por në spital!
Me ka mbetur në kujtesë egersia në shikim e dy tre oficerve të policisë, zelli i tyre si dikur motit kur arrestoheshin deputet e opozites në 1946 , u dukej e padrejte që dikush guxon të protestojë kunder pushtetit të tyrë se ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune! Gjithsesi ata nuk mund të shtynin një deputet në atë menyrë pa një urdher politik!
Perfitoj nga ky rast i trishtë të falenderoj të gjithë ata që mu gjinden pranë , protestuesit , demokratet e qytetaret e Lezhes, drejtuesit dhe deputetet e PD , mjeket e spitalit ushtarak dhe ata të QSUT për ekzaminimet dhe sherbimin, falenderoj qendra miq e të njohur nga vendi e Bota per atë lum mesazhesh që kam marrë prej tyre ënde në pamundesi për tu kthyer pergjigje individualisht!
Shpreh keqaerdhje të thellë për të gjithë të lenduarit e të ndaluarit të cilet perpiqen per një Shqiperi më të mirë që nuk e moren vemendjen që mora unë! Ne nuk kemi frikë!
Sot jemi në vigjilje të Krishtlindjeve ! Qofshin ato të bardha per ju dhe të gjithë shqiptaret! Të tjerat do të jenë më të mira!

Agron Gjekmarkaj
Nen Kryetar i Kuvendit të Republikes
Nën Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë!


Send this to a friend