Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se duhet angazhuar për të mos hequr dorë në luftën për drejtësi, duke shtuar se ky angazhim është mision i jetës.
Osmani ka deklaruar të hënën se lufta për drejtësi për gratë s’është punë e vetëm një misioni apo forumi.
“Të angazhohemi për atë, s’është vetëm punë e një forumi e as e një misioni a një mandati, por bëhet mision i jetës. Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndjej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, gratë në Kosovë kanë mbijetuar në kohët më të dhimbshme.
“Rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë”, ka shtuar ajo.
“Kosova qëndron si kampione e kësaj agjende, përfshirja qëndron si gur themeltar, si përpjekje nga dita e parë…Dua të shpreh mirënjohje për partnerët tanë, institucione tona, që ta bëjnë këtë forum të suksesshëm…Në një kohë kur konfliktet vazhdojnë, agjenda për gruan, paqen dhe sigurinë është më e rëndësishme se kurrë”, ka thënë Osmani.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbledh në Prishtinë pjesëmarrës nga mbi 40 shtete
Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbahet të hënën dhe të martën në Prishtinë, në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.
Ky edicion bëhet e ditur do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Forumi WPS 2024 sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.
Bëhet e ditur se ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.
Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.
“Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej”, thuhet në njoftim. sn