Të ardhmen time në LDK nuk e përcaktojnë figura të caktuara të momentin apo të mandatit. Të ardhmen time në LDK gjithmonë e kam pasur dhe e kam akoma të lidhur me elektoratin e LDK-së.
Voal – Vjosa Osmani nuk e hedh poshtë mundësinë që pas konfirmimit të Kadri Veselit në krye të PDK-së Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Një situatë e tillë, sipas saj, nuk do të jetë e favorshme për LDK-në.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) edhe në të kaluarën është dëshmuar se nuk i respekton marrëveshjet. Prandaj, sipas saj, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president dhe pasi që Kadri Veseli të konfirmohet kryetar i partisë më të madhe në vend, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Këto komente deputetja Osmani i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se nëse shkohet në zgjedhje partia e saj do të ndodhet para një situate të pafavorshme.
Ajo ka folur edhe për zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të shtetit, kur nuk ishte e pranishme në seancë. “Vullneti i deputetëve të LDK-së u tregua në rundin e parë, kur Thaçi mori vetëm 50 vota. Por ndryshimi i votave në rundin e tretë, në 71, flet shumë se ka mundur të ketë presione”, është shprehur ajo. Gjatë intervistës për “Zërin” deputetja Osmani flet edhe për zgjidhjen e krizës politike në vend, për raportet me kryeministrin, Isa Mustafa, dhe për mundësinë e rikandidimit për postin e kryetares së LDK-së.
Zëri: Cili është raporti juaj personal me Isa Mustafën pas këtyre akuzave të ndërsjella dhe a ka ardhur deri aty ku ju mund të largoheni nga LDK-ja?
Osmani: Nuk është që kam pasur ndonjë raport personal, natyrisht kam pasur respekt për shkak të bashkëpunimit të gjatë që kemi pasur, kam pasur respekt njerëzor, por edhe për institucionit që ai përfaqëson. Raportet e mia kanë qenë tipike profesionale, ne kemi bashkëpunuar shumë për një kohë të gjatë, qysh nga dita e parë që unë kam filluar punën në institucionet e Kosovës. Mirëpo sulmi i tij ndaj meje dhe atë jo vetëm një herë përmes Facebook-ut por edhe në një televizion, është tipik personal. Pra tregon një mllef personal që unë s’e kuptoj dhe po ashtu tregon fakti që kemi qenë pesë deputet që nuk kemi marrë pjesë, një gjuhë seksiste, jo të drejtpërdrejtë, por në mënyrë indirekte, për arsye se kemi qenë pesë deputetë dhe katër që janë burra mendon që nuk do duhej të merrej me ta, por mendon që gjithmonë e ka më lehtë të merret me gratë në politikë, mirëpo besoj se praktika e ka treguar se nuk është ashtu.
Ndërsa, të ardhmen time në LDK nuk e përcaktojnë figura të caktuara të momentin apo të mandatit.
Të ardhmen time në LDK gjithmonë e kam pasur dhe e kam akoma të lidhur me elektoratin e LDK-së.
Natyrisht që edhe hapat e mi të ardhshëm do të përcaktohen në bashkëpunim me njerëzit brenda LDK-së që vazhdimisht me kanë përkrahur jo si individ por parimet që unë mbroj dhe çdo hap në të ardhmen do ta koordinoj me ta dhe do t’i përgjigjem elektoratit të LDK-së.
Komentet