Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se në rrugën për anëtarësim në Këshill të Evropës nuk do të cenojnë vlerat që përbëjnë Kosovën.
Ajo u shpreh e bindur se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës “është thjesht çështje kohe”.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka shkruar Osmani në “X” të premten.
Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj vendeve që e kanë mbështetur Kosovën deri tani.
“Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut herët apo vonë”, ka shkruar presidentja.
Më 16 prill, kur Asambleja Parlamentare e kësaj organizate votoi pro Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg” anëtarësimit në organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut. Një muaj më vonë, kur Komiteti i Ministrave të KiE-së do të merrte vendimin përfundimtar për Kosovën, ajo nuk u fut fare në rend dite.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, u shpreh se këtë e shkaktoi qëndrimi i disa vendeve që Kosova ta pranojë fillimisht draftstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar publikisht një gjë të tillë Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, fillimisht, e refuzoi këtë kusht, por në një përpjekje të minutave të fundit për ta ndryshuar situatën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u shpreh se ka njoftuar Këshillin e Evropës përmes një letre, se Kosova po e përgatit draft-statutin, për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.
Në reagim pas letrës së Gërvallës, Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të QUINT-it – SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë – ka thënë se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Të premten më vonë, kryesuesja e deritanshme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE), Dominique Hasler, ka thënë se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.bw