Qeveria shqiptare në dhjetor të 2014 me një shpejtësi rrufe, firmosi vendimin për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku 14 institucione janë përgjigjur brenda ditës.
Një hetim i gjatë nga SPAK, me trurin e skenarit të inceneratorëve Mirel Mërtirin i cili në Elbasan, ka ekspozuar bashkëjetuesen e tij, Stela Gugallja, e cila pa asnjë lekë në xhep themelon një kompani dhe me 100 lekë vërsulet dhe merr një kontratë koncesionare 24 milionë euro, më pas me lekë të marra borxh nëpër banka fillon investimi në momentin që qeveria shqiptare paguan këstet e asaj që do ta quante kontratë PPP, por që në fakt nuk ishte e tillë, por ishte një investim publik i shtrirë në vite.
CNA i është drejtuar me një shkresë Eco-Elb Sh.A, e cila është kompania që bën administrimin e inceneratorit të Elbasanit, pasi e ka marrë me qira për dy vite rresht sepse inceneratori është i sekuestruar për shkak të hetimeve të bëra nga SPAK-u, kur nën akuzë janë Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Alqi Bllako, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe shumë zyratrë të tjerë, nga hetimet në Elbasan u zbuluan dhe kompani që shisni sheqer, por prisnin fatura betoni, një evazion fiskal, korrupsion e të tjerë.
Por le të ngelemi tek dokumentet tona.
Pse inceneratori i Elbasanit ka ikur për lesh?
Mjafton të shikosh përgjigjen e administratorit të këtij investimi.
Në përgjigjen e dhënë për ‘cna’ theksohen afatet e marrjes me qira të inceneratorit , trajtimi i mbetjeve me djegie në Elbasan.
Në pikën 1 thuhet se inceneratori i Elbasanit ka punuar vetëm 24 ditë në vitin 2022 ku dhe ka prodhuar 75.9 MWh energji elektrike.
“Në 28.03.2022 kur shoqëria “Eco-Elb” sh.a mori në admnistrim impiantin e përpunimit të mbetjeve urbane, impianti ishte i fikur.Stafi teknik realizoi ndezjen e impiantit për një periudhë rreth 24 ditë, ku u testua procesi i djegies së mbetjeve dhe u monitoruan parametrat e këtij procesi.
Në vitin 2023 ndezja e impiantit të përpunimit të mbetjeve u realizuar në muajin Prill dhe vazhdoi funksionimin e tij deri në Dhjetor të 2023.
Gjatë kësaj kohe janë shfaqur defekte të cilat kanë çuar deri në fikje të detyruar të impiantit, por me riparimin e defekteve ka vazhduar përsëri funksionimin. Aktualisht që nga data 21.12.2023 impianti është në remont”, thuhet në përgjigje.
Pra në një vit, gjatë 2022-shit ku diskutohet fort çështja e inceneratorëve, ai ka funksionuar vetëm 24 ditë dhe sipas të dhënave zyratre ai djeg deri në 90 ton mbetje në ditë dhe ka djegur rreth 2100 ton mbetje për qarkun e Elbasanit që në fakt është hiç asgjë me atë që pretendohet të kishim në Elbasan, një vit më parë, në verën e vitit 2023 ku e pamë se si digjej mali i mbetjeve tek inceneratori i Elbasanit.
Sipas të dhënave zyrtare të pikës 1 dhe përgjigjes që ju e shihni në dokument thuhet se, në vitin 2023 ndezja e impiantit u realizua në muajin Prill, pra gjatë gjithë 2022 punoi vetëm 24 ditë dhe e rindezin në Prill, por theksohet se ka qenë në punë deri në dhjetor.
Por gjatë kësaj kohe ka pasur defekte të cilat kanë çuar shpesh në fikjen e detyruar të impiantit dhe është rikthyer sërish në funksionim. Nga data 21 dhjetor sipas informacionit zyrtar impianti është në remont. Gjatë vitit 2023 ka punuar shumë pak, ka patur shumë defekte dhe tani ka hyrë prapë në remont.
Një incenerator i ri i paguar 24 milionë euro që duhet të përfundonte në vitin 2021, t’i dorëzohej shtetit me çelësa në dorë, tani ka shfaqur defekte që pas vitit të parë në punë dhe nuk ka bërë një vit të plotë pune, por ka bërë disa ditë pune apo disa muaj punë.
“Sasia e energjisë që jepet 75.9 MWh është vetëm për vitin 2022 gjatë kohës që turbina ishte në funksion” thuhet në përgjigjen zyrtare.
Pra sipas saj, turbina, aktualisht pra nga prilli ku është ndezur në 2023, nuk është në funksion. Inceneratori i Elbasanit funksionon thjesht dhe vetëm si një kazan me naftë.
Sipas të dhënave problematikat kryesore janë defektet në turbinë që e përmendëm dhe më sipër mosprodhimi i energjisë dhe kaldaja si dhe disa pajisje elektrike, ku përflitet se ka një impiant elektrik të defektuar, i cili bën të pamundur lidhjen e turbinës me kaldajën, prodhimin e energjisë e të tjera detaje teknike. Por, kompania Sh.A, thotë se kostoja 25 mijë lekë të vjetra apo 2500 lekë ose 25 euro/ton nuk i mbulon kostot për inceneratorin.
Në Elbasan nuk kemi një incenerator të mirfilltë, por kemi një kazan me naftë i cili herë ka prodhuar dhe herë jo energji elektrike, ka punuar shumë pak dhe tashmë është futur sërish në remont.
Një incenerator 24 milionë euro që futet në remont dy vite pasi ka dorëzuar çelësat, që nuk i punon turbina, që ka defekte elektrike, që ka probleme me kaldajën dhe mund të quhet thjesht dhe vetëm incenerator që ka ikur për lesh dhe është kthyer në një kazan me naftë, që ndizet dhe fiket nga halli për të justifikuar një abuzim, një vjedhje dhe një skandal me investimin e inceneratorëve siç është ai i Elbasanit.