I ngarkuari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e këtij posti, takoi Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zhvilloi një takim të veçantë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Ai pati takime edhe me krerët e partive opozitare.
Pa këtyre takimeve Sorensen, ka thënë se qëllimi tij është që të shtyjë përpara procesin e dialogut.
“Ishte një takim prezantues dhe ne biseduam sesi procesi mund të vazhdojë dhe të lëvizim përpara, dhe si i tillë ishte një fillim i mirë. Qëllimi ynë është që procesi të vazhdojë dhe të lëvizim përpara”, tha Sorensen.
Ai nuk iu përgjigj pyetjeve për kompromise të mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por tha se “kjo u takon palëve ta përcaktojnë”. “Dialogu është që të pajtohemi dhe kompromiset do të caktohen nga palët. Ky është dialogu dhe këtë e kemi bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen.
Emisari i BE-së u pyet edhe për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, respektivisht qendrave për punë sociale dhe postës.
Ai tha se duhet punuar që njerëzve tu sigurohet shërbim i mirë. “Duhet të punojmë të sigurohemi që njerëzit të shërbehen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë”, u shpreh Sorensen.
Pas takimit nga Presidenca e Kosovës njoftuan se është diskutuar edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, draft-statuti i propozuar për themelimin e të cilit u refuzua të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese të vendit për vlerësim.
Osmani, siç njoftoi Presidenca, ia ka shprehur Sørensenit disa vërejtje për këtë draft-statut.
“Në takim me z. Sørensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar pas takimit.
Paraprakisht, Presidenca tha se Osmani ka theksuar “rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit”.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani “konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura”, thotë Presidenca.
“Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marreveshjes së shkurtit 2023”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme. Ajo ka theksuar se, “në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë”, siç njoftoi Presidenca.
Ndërkohë në një njoftim nga Kryeministria u bë e ditur se kryeministri Kurti kërkoi nga emisari Sørensen që “BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës”, thotë ZKM.
“Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, u bë e ditur në komunikatë.
“Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t’i dorëzohet Kosovës për gjykim”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Sorensen erdhi për herë të parë në Kosovë në një vizitë zyrtare që prej kur ka marrë postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun. Ai do ta vizitojë edhe Beogradin, pas së cilës tha se do të ulet dhe të vlerësojë se “ku jemi”. sn