Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë ka nervozuar Shkupin dhe Beogradin, teksa presidenti Aleksandër Vuçiç dhe homologu i tij Stevo Pendarovski e kanë cilësuar si “skandal”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kryer një vizitë joformale në Tetovë ku ka takuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka dënuar faktin që brenda territorin e tyre është organizuar një manifestim në të cilin nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë.
Për këtë ka reaguar ashpër edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Pendarovski ka kërkuar që ligji të merret me organizatorët, pasi ata përhapën ide shoviniste, që ndezin urrejtje dhe provokim nacionalisht duke komentuar përdorimin e flamujve “Autochtonus” gjatë këtyre tubimeve.
“Theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha përfaqëson ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat themelore të Marrëveshjes Kornizë, si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, thuhet në reagimin e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, me rastin e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka bërë thirrje që organizatorët e tubimeve në Tetovë e Çair të sanksionohen ligjërisht.
”Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. I bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë t’i kryejnë procedurat e parapara”, nënvizoi Pendarovski në reagim.
Më tej, Pendarovski ka reaguar edhe me riemërtimin e një rruge në Çair me emrin e Adem Demaçit.
“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit, sipas reagimit të Pendarovskit, është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet.
Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, ku duhet të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, thuhet në reagimin e Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski.
Ndërkohë, në lidhje me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë ashpër ka reaguar edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ai e quajti vizitën një skandal pasi sipas Vuçiçit, Kurti promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe”.
“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç.bw