Një prej punimeve më të pëlqyera “Sting Like a Bee” (thumbo si një bletë), u shit për 425 mijë dollarë, dhjetë herë më shumë se sa ishte parashikuar përpara shitjes
Një koleksion i rrallë i përbërë nga vizatimet, skicat dhe pikturat e boksierit të famshëm, Muhamed Ali u shitën në një ankand për rreth 1 milion dollarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC-së, në shtëpinë e ankandeve “Bonhams” në New York të SHBA-së u shitën nëpërmjet një ankandi rreth 26 vepra arti.
Një prej punimeve më të pëlqyera “Sting Like a Bee” (thumbo si një bletë), u shit për 425 mijë dollarë, dhjetë herë më shumë se sa ishte parashikuar përpara shitjes.
“Veprat e tij trajtojnë tema që përshkruajnë zemrën e tij”
Muhamed Ali, një nga boksierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, njihej me anën e tij si aktivist dhe poet, por ka më pak informacione lidhur me aftësitë e tij artistike.
Helen Hall, drejtoresha e kulturës popullore në “Bonhams” tha se Ali është inkurajuar nga babai i tij i cili ishte një artist profesionit dhe se ai gjatë gjithë kohës ka vizatuar dhe pikturuar. “Muhamed Ali ishte një ikonë kulturore që përcaktoi një brez. Veprat e tij trajtojnë tema që përshkruajnë zemrën e tij të tilla si boksin, të drejtat civile, fenë, paqen botërore dhe parimet njerëzore”, shtoi Hall.
Veprat u nxorën në ankand nga Rodney Hilton Brown, miku i Ali dhe koleksionist arti i cili ka thënë se boksieri tre pikturat e para të tij i ka realizuar pas një ndeshjeje në Boston në vitin 1977.
Bëhet e ditur se veprat u shitën tre herë më shumë se sa pritej, në gjithsej për 945.524 dollarë.
Sipas Reuters, piktura e vitit 1979 me fjalët “I Love You America” në telajon me ngjyra të kuqe, të bardhë dhe blu u shit për 150 mijë dollarë ndërsa një skicë me kalem që krahason islamin me krishterimin u shit për 24 mijë dollarë.
Boksieri i famshëm Ali ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare në vitin 2016. Ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit.
Komentet