Në mesin e aktiviteteve të shumta sportive veçohet “Francë 2016”, në të cilin për herë të parë pjesmarrëse do të jetë edhe kombëtarja shqiptare e futbollit
Viti 2016 do të ofrojë kënaqësi të veçantë për adhuruesit e sportit. Në mesin e aktiviteteve të shumta sportive, në rend të parë spikat Kampionati Evropian i futbollit, Francë 2016, në të cilin për herë të parë pjesmarrëse do të jetë edhe kombëtarja shqiptare e futbollit.
Por përjashtim nuk bëjnë as Lojërat Olimpike në Rio pasi edhe atje do të ketë debutim të sportit shqiptar, më konkretisht të atij kosovar, ndërkohë që xhudistja Majlinda Kelmendi pritet të sjellë medaljen e parë.
Gara e parë e nivelit më të lartë në vitin 2016 do të mbahet në Beograd. Nga 10 deri më 23 janar atje do të mbahet kampionati evropian në Vaterpollo në të cilin do të masin forcat 16 kombëtaret më të mira të kontinentit të vjetër, ndërkohë që kryeqendra serbe do të organizojë edhe kampionatin evropian në futsall nga data 2 deri më 13 shkurt.
Adhuruesit e sporteve dimërore do të mund të ndjekin kampionatin botëror të fluturimeve me ski, i cili do të mbahet në qendrën austriake Bad Mitterndorf nga 14 deri më 17 janar.
Në Poloni nga 15 deri më 31 janar do të zhvillohet kampionati evropian në hendboll për meshkuj ku do të marrin pjesë pesë kombëtare nga rajoni. (Maqedonia, Serbia, Sllovenia, Kroacia dhe Mali i Zi). Mbrojtësi i titullit është Franca e cila epitetin e më të mirit në Evropë e fitoi në kampionatin e fundit në Danimarkë.
Ruanda do të jetë nikoqir i Kupës Kombëtare të Afrikës në futboll që do të mbahet mes 16 janarit dhe 7 shkurtit, ndërsa në këtë periudhë kohore do të mbahet edhe Grand Slam-i i parë për sezonin e ri në tenis, US Open. Termini për mbajtjen e tij është caktuar mes 18 dhe 31 janar.
– Më 20 mars fillon sezoni i 6-të në Formula 1
Në ditën e shtatë të shkurtit në stadiumin Levi’s në Santa Clara të Kalifornisë do të mbahet spektakli amerikan i quajtur Super Bowl, që paraqet finalen e futbollit amerikan, njëri nga eventet më të shikuara globalisht.
NBA All-Star do të luhet në Toronto më 14 shkurt ndërsa po në SHBA do të mbahet edhe kampionati botëror në atletikë në sallë duke filluar më 17 mars.
Sezoni i ri në Formula 1, i 67-ti me radhë do të fillojë me garën e madhe të Australisë në Melburn më 20 mars. Në “cirkun më të shpejtë në botë” ashtu siç quhet ndryshe kjo garë, në vitin 2016 do të garojnë 20 pilotë. Sezoni do të përfundojë më 27 nëntor me garën në Abu Dhabi.
– Muaji maj ofron spektakle
Në Moskë mes 6 dhe 22 maj do të luhet kampionati botëror në Hokej, ndërsa për këtë muaj është caktuar të mbahet edhe gara e kultit në çiklizëm, Giro d’Italia, më konkretisht nga 6 deri më 29 maj. Kjo garë do të mbahet për të 99-tën herë ndërsa çiklistët do të duhet të kalojnë gjithsej 3 mijë e 383 kilometra në 21 etapa.
Maji është i rezervuar edhe për finalen “Final Four” në të cilën më i miri merr epitetin e klubit të kampionit evropian në basketboll për klube. Finalja do të luhet në Mercedes-Benz Arena në Berlin.
Maji ofron spektakël të vërtetë edhe në futboll. Finalja e “UEFA Evropa League” do të luhet në stadiumin “St. Jacob” në Bazel më 18 ndërsa dhjetë ditë më vonë në “San Siro” të Milanos luhet finalja e Ligës së Kampionëve.
Roland Garros, edicioni i 115 i tij fillon më 22 maj, ndërsa në këtë muaj do të mbahet edhe kampionati botëror në mundje, stili greko-romak në Indi.
Nga 3 deri më 26 qershor në SHBA do të mbahet Copa America. 16 kombëtare do të garojnë në 10 qytete të ndryshme për epitetin e më të mirit në kontinentin amerikan.
UEFA “EURO 2016” fillon më 10 qershor në Francë, ndërsa nderin për ta hapur këtë garë prestigjoze e kanë kombëtaret e Francës dhe Rumanisë në stadionin “Stade de France”. Një ditë më vonë, garat i fillon edhe kombëtarja shqiptare e futbollit në takimin kundër Zvicrës që njëherit do të shënojë debutimin në këtë garë, ndërsa përveç Zvicrës, kundërshtarë të saj do të jenë edhe Franca dhe Rumania në kuadër të grupit A.
Një tjetër event i tenisit, nga ata që njihet si “Grand Slam” është turneu i Wimbledonit i paraparë të fillojë më 27 qershor.
– Tour de France, i 103-ti me radhë –
Gara e dytë për nga rëndësia dhe pesha në çiklizëm është Tour de France, e cila vitin e ardhshëm do të mbahet për të 103-in vit radhazi mes 2 dhe 24 korrikut, ndërsa adhuruesit e “mbretëreshës së sporteve” do të kënë rastin që nga 10 korriku të ndjekin kampionatin evropian në atletikë i cili do të mbahet në Amsterdam.
Eventi kryesor për vitin 2016 padyshim se do të jetë olimpiada. Nga 5 deri më 21 gusht në Rio de Zhaneiro do të mbahen Lojërat Olimpike në të cilën sportëdashësit do të mund të ndjekin 306 gara në 28 sporte, me pjesëmarrje të 10 mijë e 500 sportistëve nga 206 shtete në mesit e të ciëve për herë të parë edhe Kosova.
Nga zhvillimet që mund të veçohen është edhe Grand Slam-i i fundit në tenis, US Open i cili fillon më 29 gusht, ndërsa në shtator fillojnë garat kualifikuese evropiane për kampionatin botëror në futboll i cili në vitin 2018 do të mbahet në Rusi. Mbetet të shihet nëse do të realizohet deklarata e kreut të Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri se Kosova mund të pranohet në UEFA dhe FIFA dhe të kyçet në njërin nga grupet kualifikuese.
Zhvillimi i fundit sportiv për vitin 2016 do të jetë kapionati evropian për hendbolliste që do të mbahet mes 4 dhe 18 dhjetorit në Suedi, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet