Përkundër vështirësive ekonomike, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës edhe këtë vit nuk kursejnë kur është fjala për kremtimin e Vitit të Ri
SHKUP/TIRANË/ PRISHTINË – Përkundër vështirësive ekonomike me të cilat përballet rajoni, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës edhe këtë vit nuk kursejnë kur është fjala për kremtimin e Vitit të Ri.
Në bazë të të dhënave nga agjencitë turistike, liberalizimi i vizave dhe hyrja në treg të aviokompanive me buxhet të ulët janë disa nga lehtësimet të cilat në masë të madhe kanë ndikuar që qytetarët e shteteve të lartpërmendura natën e ndërimit të motmoteve ta kalojnë në njërin nga metropolet evropiane, por të shumtë janë ata që preferojnë njërin nga shtetet fqinje.
Gjorgji Viçkov, në cilësi të kryetarit të Odës Ekonomike për Turizëm të Maqedonisë thotë se destinacionet që zgjojnë interesin e qytetarëve janë kryesisht metropolet evropiane përveç në rastin me Parisin për të cilin ka rënë interesi pas ngjarjeve tragjike atje.
Sa i përket çmimeve, ato dallojnë varësisht nga aranzhmani me avion ose me autobus.
“Aranzhmanet të cilat i përdorin qytetarët e Maqedonisë janë për dy natë në njërin nga shtetet më të afërta me transport ajrorë. Çmimet arrijnë në disa qindra euro”, tha Viçkov.
Ndërkohë agjencitë turistike të cilat në kuadër të shërbimeve të tyre ofrojnë pako të Vitit të Ri thonë se qytetarët edhe këtë vit preferojnë metropolet evropiane nga shkaku i fluturimeve me aeroplanë të buxhetit të ulët.
“Stambolli është gjithmonë destinacion atraktiv i cili joshë turistët tanë, por kemi edhe udhëtime me autobusë p.sh., në Vjenë, Bukuresht, Budapest. Pra ka interesim, nuk mund të them se është zvogëluar”, tha Anja Shevqenko, menaxhere në një agjenci turistike të Shkupit.
Liridona Saliu, menaxhere në një tjetër angjenci turistike tregon se destinacionet më të kërkuara janë pushimoret në Bullgari dhe Turqi, ku spikasin Antalia dhe Stambolli. Te kjo e fundit, siç njoftoi ajo, mund të qëndrohet për katër ditë të tëra për vetëm 120 euro, përfshirë hotelin dhe pritjen e Vitit të Ri. E pyetur të bëjë një krahasim me vitin e kaluar, ajo tha tha se këtë vit ndoshta interesimi është pak më i ulët.
“Vitin e kaluar ka patur më shumë interesim, ndoshta është herët të flas, por mendoj se do të ketë interesim edhe këtë vit, sepse çmimet janë të volitshme”, tha Aliu.
Ndërkohë, qytetërët e anketuar të Shkupit me preferencë të ndryshme. Dikush thotë se do të udhëtojë jasht vendit, e dikush tjetër preferon ambientin familjar.
“Po bëhemi gati. Vetura është gati, do të ulem dhe do të udhëtoj për në Zvicër”, tha një qytetar. Ka të tillë të cilët ndërrimin e motmoteve do ta presin në shtëpi. “Do të jem në shtëpi. Do të vijnë fëmijët bashkë me nipërit dhe do të jetë hareshëm”, tha një qytetare e Shkupit.
“Për Vitin e Ri kam bërë plane të shkoj jashtë shtetit. Dëshiroj të bëjë një shëtitje por akoma nuk kam vendosur se ku”, tha një tjetër qytetar i anketuar.
Neralda Bejko, një operatore turistike nga Tirana për Anadolu Agency thotë se destinacionet më të preferuara janë ato destinacione që përfshijnë pushimet për festat e fundit vitit janë ato që kanë ski dhe kanë borë si, Mavrovë, Kolashin si dhe disa vende që janë në Kosovë ku mund të përmendet Borku apo Prizreni.
Duke qenë se ka pak mundësi akomodimi edhe turet e shkurtëra janë të preferuara në këtë periudhë thotë Bejko dhe shton duke thënë se këto ture janë ekonomike dhe jo shumë të shtrenjta.
Bejko shpjegon se destinacioni më i preferuar i qytetarëve të Shqipërisë është Kolashini i cili për monetin është i tejmbushur sipas saj dhe më pas vjen Mavrova e cila po gjithashtu është e mbushur.
Ajo tha se krahas vizitave tursitike biletat më të shumta në këto festa të fundvitit janë ato me destinacion Italinë dhe Greqinë por destinacioni më i madh si dhe biletat më të shumta të shitura janë ato drejt Italisë.
Nga ana tjetër Bejko duke bërë një krahasim me vitet e kaluara thotë se ky vit është më i zbehtë përsa i përket shitjeve të paketave turistike dhe biletave.
Në rastin e Kosovës, përkundër pohimeve të përfaqësuesve të agjencive turistike se kosovarët janë të interesuar për pritjen e Vitit të Ri 2016 jashtë vendit, qytetarët e anketuar thonë të kundërtën duke u deklaruar se do të qëndrojnë në qytetet e tyre.
Sipas të dhënave të prezantuara nga agjencitë turistike, udhëtimet më të kërkuara dhe preferuara për pritjen e Vitit të Ri 2016 jashtë vendit janë ato në Turqi, qoftë për shkak të çmimeve më të volitshme apo edhe për shkak të faktit se për udhëtim në Turqi nuk nevojiten vizat.
Varësisht nga kualiteti i akomodimit në hotele dhe biletat e aeroplanit, udhëtimi i organizuar në grup dhe qëndrimi katërditor i pritjes së Vitit të Ri në Stamboll, kushton nga 250 deri në 300 euro për person.
Një pako e ngjashme për pritjen e Vitit të Ri në Romë kushton 350 euro për person. Agjencitë turistike, sipas kërkesave të klientëve, kanë edhe pako individuale të pritjes së natës më festive të vitit në ski qendrat si Banjsko ose Borovec, në Bullgari, si dhe në Mavrovë të Maqedonisë.
Për dallim nga viti i kaluar kur një nga destinimet më të kërkuara ishte Dubai, sivjet vërehet se kriza ekonomike e ka bërë të veten dhe qytetarët kërkojnë pako turistike më të lira, theksojnë në agjenci turistike.
Nga ana tjetër, qytetarët thonë se Vitin e Ri 2016 do ta presin në gjirin familjar dhe nëpër sheshe të qyteteve të Kosovës.
I riu Meriton Gashi për AA thotë se Vitin e Ri do ta pres në Prishtinë, nën qiell të hapur.
“Vitin e Ri do ta pres në shesh, ku do të mbahet koncerti… çmimet nëpër lokale janë shumë të shtrenjta, sepse ky është kryeqytet dhe njerëzit vijnë që ta vizitojnë”, thotë Gashi.
Drita nga Prishtina planifikon ta pres Vitin e Ri në gjirin familjar.
“Natën e parë të Vitit të Ri po planifikoj ta pres në gjirin e familjes, ndërsa të dytën dhe të tretën me shoqëri”, thotë Drita.
Studenti i vitit të parë të Fakultetit të Arteve Dramaturgjike, degës së aktrimit, Mentor Shileku nga Prishtina thotë se Vitin e Ri do ta pres me familje, por edhe do të udhëtojë pak.
“Po planifikoj që natën e parë të Viti të Ri ta kaloj me familje, si gjithmonë dhe ashtu si duhet. Natën e dytë do të dalim me shoqëri dhe do të shkojmë në Bogë (qendër turistike malore në Bjeshkët e Rugovës, perëndim të Kosovës) dhe atje do ta kalojmë edhe natën e tretë”, thotë Mentori për AA.
Sipas një tradite në tri dekadat e fundit, nata e ndërrimit të motmoteve kryesisht pritet në gjirin familjar dhe më pas, rinia del nëpër sheshe dhe lokale, kurse pritja e organizuar nëpër lokale dhe restorante është më e preferuar natën e 1 dhe 2 janarit.
Komentet