Mësuesia është një profesion që nuk po preferohet më nga të rinjtë shqiptarë. Teksa sot nisi viti i ri akademik, disa nga universitetet shqiptare kanë njohur rritje të shifrave, por disa rënie.
Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se në Universitetin “Fan S.Noli” në Korçë këtë vit janë regjistruar 487 studentë, 30 më pak se viti i kaluar.
Programet e preferuara edhe për këtë vit mbeten Infermieria, Edukimi Fizik dhe Sporte, Financa, Mamia dhe programi i ri Inxhinieri Informatike.
Degët që kanë pasur më pak interes janë gjuhë pakicash, histori gjeografi, gjuhë frënge dhe disa degë të Fakultetit Bujqësor.
Edhe Programi i studimit që ka qenë dikur Filozofi dhe është riorganizuar në shkenca politike ka interes të ulët të studentëve.
Interes tjetër studentët kanë treguar në fushën e ekonomisë ndërsa pas mbeten programet e edukimit (mësuesia) ku interes ka por është më i ulët se vitet e tjera.
Sipas informacioneve do ketë edhe programe që do të mbyllen këtë vit, por vendimi do të merret pas mbledhjes së senatit ndërkohë që e konfirmuar mbetet Ekonomiksi i cili prej 3 vitesh nuk ka pasur asnjë regjistrim.
Në total në Universitetin e Korçës për këtë vit akademik do të ulen në auditore rreth 2400 studentë.
Po kështu në Gjirokastër programet e mësuesisë rezultojnë me një rënie të numrit të studentëve. Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se programi i informatikë-matematikës ka numrin më të ulët të regjistrimeve.
Ndërkohë degët më të preferuara nga të rinjtë në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ të Durrësit janë Infermieria, Financë-Kontabiliteti, Administrim-Biznesi dhe Teknologjia e Informacionit.
Ndërkohë, degët si Histori, Filozofi dhe Gazetari kanë më pak regjistrime, por nuk rrezikojnë të mbyllen gjatë këtij viti akademik.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se në pesë fakultetet e UAMD janë regjistruar 1,248 studentë, 43 më shumë se vitin e kaluar.
Universiteti ka nënshkruar kontrata me 200 biznese, ku studentët mund të kryejnë praktikat e tyre dhe të kenë mundësi punësimi pas përfundimit të studimeve bachelor.
Në total, Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit e ndjekin studimet bachelor dhe master mbi 18,000 studentë nga e gjithë Shqipëria.
Universiteti i Elbasanit ka risi këtë vit, por edhe gjatë këtij viti akademik deri tani rezulton se të gjitha degët e mësuesisë janë më pak të preferuarat.
Gazetari Fatmir Popja raportoi për “BalkanWeb” se deri më tani, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ka shënuar rritje në numrin total të regjistrimeve. Rritjen më të madhe, për vitin akademik 2024-2025, e ka patur Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave të Edukimit. Vihet në dukje një interes në rritje për programet e studimit si biznes, financë, ekonomia e drejta si dhe mësuesia për arsimin parashkollor. Programet e studimit për të cilat kanë interesin më të lartë dhe që shënojnë një numër të lartë regjistrimesh në nivel institucioni, janë ato të shkencave mjekësore teknike, teknologjitë e informacionit, edukim fizik dhe sporte si dhe disa programe me karakter profesional. Për dy programe prioritare të mësuesisë, biologji-kimi dhe matematikë-fizikë, për një numër studentësh, jepen bursa të financuara nga qeveria.
Regjistrimi i Studentëve nga Trojet: Një risi tjetër e rëndësishme për këtë vit akademik është edhe regjistrimi i studentëve nga Presheva në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ndërveprimit ndërkombëtar dhe krijimit të mundësive të reja për studentët nga rajone të ndryshme, duke forcuar rolin e universitetit si një qendër edukimi për të gjithë shqiptarët.bw