“Të shikoj ndërsa ti fle.
Unë jam pranë teje, jam pranë shtratit tënd të vdekjes.
Ke veshur një tunikë të gjatë të zezë dhe të kuqe, me qëndisje sipër. Mendoj se janë lule, por nuk kam shumë kohë për t’i vëzhguar.
Unë erdha të të them lamtumirë, lamtumira më e gjatë nga të gjitha, kukulla ime e vogël.
Kështu të kam quajtur gjithmonë: Kukulla e vogël.
Nuk humb kohë për të parë lulet, shikoj fytyrën tënde dhe mendoj se sa e bukur je dhe se nuk ke qenë kurrë më e bukur se në këtë moment.
Gjithashtu mendoj se është hera e parë në jetën time që të shoh të qetë.
Mund të thuhet se një dorë delikate të ka larë nga fytyra frikën dhe mosmarrëveshjet e tua.
Të shikoj teksa fle…
Më thonë se ke vdekur.
Pyes veten, se a jam unë fajtor për këtë? …
Këtë pyetje ia bëjmë vetes gjithmonë përpara dikujt që na ka dashur dhe që na do akoma.
Ky emocion na pushton, më pas kthehet dhe në fund bindim veten se në përgjithësi nuk jemi fajtorë.
Jo fajtor, por ende përgjegjës.
Këtu je ti, edhe unë jam këtu pranë teje.
Është për shkakun tim që zemra jote pushoi së rrahuri mbrëmë.
Për shkakun tim, sepse 25 vite më parë u zgjodha partneri yt për filmin “Christine”.
Ti erdhe nga Vjena dhe unë të prisja në Paris me një buqetë me lule në duar që nuk dija ta mbaja. Por producentët më kishin thënë: “Sa të zbresë nga pasarela, shko tek ajo dhe jepi lulet”.
Prisja me lulet në duar si një budallë, në mes të një turme fotografësh…
Unë vazhdoj të mendoj për ty, për veten, për ne të dy.
Unë sot nuk do të vij në kishë as në varreza, të kërkoj falje, sepse ti e di që nuk do të mund të të mbroj nga turma e etur për argëtim.
Unë do të vij tek ty të shihemi nesër dhe do të jemi vetëm…”
Alain Delon, nga letra e lamtumirës për Romy Schneider, 1982
Komentet