Tashmë dy vendet janë drejt diskutimit të një marrëveshjeje të re për delimitimin e kufirit detar, pas asaj që shkaktoi shumë polemika për fshehtësinë e hartimit të saj dhe mungesën e transparencës. Por historia na fton të kërkojmë shembuj të ngjashëm kur Shqipëria dhe Greqia janë marrë vesh normalisht për kufirin e tyre detar, madje me koordinata të qarta e të përcaktuara me mirëkuptim. Dhe rasti i vitit 1958 dëshmon se kufiri ynë ujor me Greqinë nuk po caktohet për herë të parë tani. Ndoshta formulimi i saktë do të ishte që “delitimitimi i përpiktë po bëhet për herë të parë”.
– Publicitet –
Po për çfarë bëhej fjalë dhe si ishte gjendja në vitin 1958, kur Shqipëria komuniste dhe Greqia mbretërore firmaosën protokollin për pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat e Luftës së Dytë? Ishte shenja e parë e shkrirjes së akujve në një kohë kur de facto dhe de jure, Greqia ishte në gjendje lufte me Shqipërinë. Vetëm nëntë vjet më herët kishin ndodhur të famshmet “provokacione të gushtit” të 1949-ës, kur ushtria qeveritare greke me ndihmë të fortë anglo-amerikane luftonte jo vetëm kundër partizanëve grekë në malet e Gramozit dhe Viçit, por kreu agresion edhe ndaj territorit shqiptar, ku u përplas me ushtrinë shqiptare, me viktima nga të dyja palët.
Në fund, rezultati ishte puna e përbashkët e dy flotave detare dhe deklarimi i Kanalit të Korfuzit, “i hapur dhe i sigurtë për lundrim ndërkombëtar”. Por le ta nisim nga e para.
Përgatitjet kishin nisur që në fillim të vitit 1958, siç e tregon dhe autorizimi i datës 29 janar me firmë të ministrit të Jashtëm shqiptar Behar Shtylla, për kapitenin e rangut të parë Abdi Mati, shef i shtabit të Flotës Luftarake Detare, që ky i fundit të zhvillojë bisedime dhe të nënshkruajë bashkë me përfaqësuesin përkatës grek, protokollin mbi masat praktike për spastrimin e Kanalit. Në fakt, Shqipëria si anëtare e Traktatit të Varshavës, kishte bërë përgatitje paraprake, trajnim në terren dhe konsultime intensive politike dhe teknike (për mungesë të pajisjeve të duhura detare dhe përvojës) me sovjetikët përgjatë gjithë vitit 1957. Abdi Mati ishte personaliteti kryesor ushtarak detar i Shqipërisë dhe së shpejti do të ngrihej deri në rangun e kundëradmiralit, ndërsa ne delegacion ishin dhe ushtarakë të aftë si Mark Plani, Paskal Thanasi etj. Mati kishte përballë kreun e delegacionit të qeverisë së mbretërisë së Greqisë, kapitenin Emanuel Dhimotaqis. Palët u mblodhën në qytetin e Korfuzit dhe nga data 3 deri më 8 shkurt 1958, përfunduan protokollin dypalësh. Çfarë parashikonte ky protokoll? Secila palë, brenda ujërave të veta territoriale dhe me mjetet e veta, do të kryente punimet përkatëse për pastrimin e minave. Në protokoll bien në sy koordinatat e veçanta (po botojmë faksimilet e tyre) që pala shqiptare dhe ajo greke veçmas, kishin si kufi ujërash territoriale, ndërkohë që në zonën e ngushticës së Korfuzit (pjesa më e afërt me tokën shqiptare, pranë Ksamilit), të përcaktuar me shtatë koordinata, pastrimi do të kryhej me radhë nga të dyja palët, njëra pas tjetrës.
Operacioni i pastrimit nisi në datën 15 mars 1958 dhe përfundoi më 7 korrik të këtij viti. Pala shqiptare përdori 2 dragamina, 1 anije shenjëvendosëse, 1 anije polumbare dhe 1 helikopter, ndërsa marina greke 5 dragamina të mesme, 3 dragamina të vogla, 2 anije shenjuese dhe 1 anije ofiçinë. Minat që kërkoheshin nga koha e luftës ishin të llojit mina me spirancë, mina akustike dhe manjetike. Në fakt, do të ishte e udhës që të quhej “operacion kërkimi”, sepse në nenin 7 të Protokollit të përfunduar dypalësh, theksohet se asnjë nga palët nuk gjeti minë në zonën e vet të tralimit (term detar për kontrollin ujor).
Atëherë pse u ndërmor ky operacion? Në bazë të detyrimeve ndërkombëtare, palët duhej të kryenin kontroll në zonat e tyre të përgjegjësisë dhe në ato të përbashkëta, dhe të deklaronin ujëra të sigurta për lundrim ndërkombëtar. Por nga ana tjetër, siç vihet re nga dokumentet, ishte koha që Shqipëria i kishte bërë disa ftesa Greqisë mbretërore për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Provokacionet e gushtit 1949 dhe vala e viteve 1949-54 e dërgimit të diversantëve nga kufiri grek kishte marrë fund. Shqipëria ishte pranuar në OKB dhe përgjithësisht, realiteti i një Shqipërie sovrane ishte fakt i kryer tashmë. Nga ana tjetër, në vendin tonë ndodheshin shumë ushtarakë grekë të zënë rob nga koha e provokacioneve të gushtit, që Greqia kërkonte t’i riatdhesonte, ashtu si dhe shumë luftëtarë të majtë grekë që pas dështimit të luftës civile, kaluan këtej kufirit. Një pjesë e komunistëve grekë u transportuan pastaj nëpër vende të tjera të Europës Lindore dhe Bashkimin Sovjetik, por shumë syresh mbetën këtu.
Faktikisht, gjesti i vullnetit të mirë nga ana shqiptare për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike nuk kishte marrë përgjigje pozitive nga Athina,që megjithatë i kërkonte shtetasit e vet. Lirimi i këtyre të fundit që vazhdoi deri në fillim të vitit 1958, ishte paraprirë nga kërkesa e palës greke që në vitin 1956, e cila me pastrimin e përbashkët të Kanalit të Korfuzit, po testonte synimet dhe qëndrimin shqiptar.
Për të shqyrtuar punën e kryer, delegacioni grek mbërriti në Sarandë më 30 korrik 1958 dhe për tre ditë u zhvilluan bisedimet përmbyllëse dhe i firmos deklarata e fundit për çështjen e Kanalit. Përbërjen interesante të delegacionit grek e jep një raport i plotë i palës shqiptare mbi këtë çështje. Përveç kreut Dhimotaqis, nënkryetar i grupit grek ishte himarioti Spiro Milo, kapiten i rangut të dytë në marinën mbretërore greke, nëna e të cilit jetonte ende në Himarë. Anëtar delegacioni ishte komandanti i bazës detare të Korfuzit, kapiteni i tretë Lagonikas, dhe tre ushtarakë të tjerë: komandant dragamine Zulias, oficeri i shtabit të marinës Dhaispis dhe oficeri i ministrisë së Marinës, Agapitos.
Sipas një informacioni të detajuar shqiptar dërguar qendrës, këta të fundit ishin aty për plotësimin e delegacionit, pasi Dhimotaqis dhe Spiro Milo ishin ata që kryenin të gjithë bisedimet dhe kishin autoritet absolut. Jo vetëm kaq, por këta të dy një pjesë të mirë të komunikimeve e bënë pa delegatët e tjerë dhe sipas shqiptarëve, ata kishin simpati të fortë politike nga e majta.
Pjesë e grupit ishte dhe përkthyesi Konstandin Cigos. Ja çfarë thotë për të raporti konfidencial shqiptar: “Si përkthyes, delegacioni grek kishte sjellë Konstandin Cigos,i cili është rritur në Sarandë dhe bashkë me familjen e tij është larguar legalisht për në Greqi më 1946, dhe sipas shenjave, duhet të jetë ndonjë agjent. Ky ka ardhur edhe katër herë të tjera në Shqipëri si përkthyes i delegacioneve greke që kanë tërhequr ushtarakët grekë të strehuar në Shqipëri. Qëndrimi i këtij gjatë gjithë kohës në Sarandë ka qenë jo i mirë, aq sa atë e shanë edhe vetë kryetari dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit grek, dhe pothuaj në të gjitha bisedimet ai nuk u përdor fare si përkthyes”.
Anëtarët e delegacionit grek ishin të lirë të shëtisnin dhe bisedonin nëpër Sarandë, sigurisht të mbikqyrur. Bisedimet dypalëshe përfunduan më 2 gusht, kur u firmos edhe protokolli përfundimtar mbi punimet për pastrimin e Kanalit të Korfuzit, bashkë me komunikatën e përbashkët për shtyp, e cila shpallte se “përfaqësuesit e të dy qeverive deklarojnë se duke filluar nga ora 12.00 e datës 2 gusht 1958, Kanali i Korfuzit është i lirë për lundrimin e anijeve të mbiujshme”. Në të njëjtën orë të datës 4 gusht, mund të kryhej shpallja me të gjitha mjetet e informacionit, për të njoftuar lundërtarët.
Ajo çka bie në sy nga kjo marrëveshje, është se përmes neneve të ndryshme të saj Shqipëria dhe Greqia ja kanë njohur njëra-tjetrës ujërat përkatëse territoriale me koordinata të definuara qartë, edhe pse bëhej fjalë për dy vende pa marrëdhënie diplomatike dhe praktikisht në gjendje lufte. Pra do të ishte naive të thuhej se mes tyre nuk kishte kufi ujor të përcaktuar. Gjithsesi, do të duheshin konventat e mëvonshme ndërkombëtare mbi kufijtë detarë, detin territorial, zonën speciale, rrafshnaltën kontinentale etj, që kjo njohje të ishte e vlefshme dhe e sanksionuar në aspekt global.