Para pak ditësh bashkëmoshatari dhe miku imi vjetër Tasim Besho, më dhuroi librin “Vite që s’harrohen” të autorit Bedri Çiçi. Ky është libri i dyti këtij autori, pas të parit, “Hysni Çiçi, devolliu që nuk i trembej vdekjes”.
Të them të drejtën nuk e njoh autorin. Ai është nga Devolli, shpërngulur dhunshëm nga trualli ku lindi dhe që, ka kaluar në udhën e mundimeve të diktaturës. Pas mundimeve disa vjeçare, e sjellin në Fermë të Sukthit, në rrethin e Durrësit, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës, deri në fillimet e demokracisë, kur emigroi në Itali, ku jeton edhe sot.
Kur e shikon titullin, rrëmbimthi të shkon mendja te përmbajtja në dy kuptime: Si fillim, m’u duk si libër me poezi dashurie, që nuk treten edhe kur përrenjtë e jetës nisin e shteren në fund. Mendova, është kujtuar plaku të hedhë në letër sevdanë e shkuar, si merak i mbetur në buzën e pashuar.
Më pas, kur pashë vargjet të vendosura në kapakun e fundlibrit: “Eh, moj nënë si më rrite/fshehtas dritës me mundime”, vargje nga poezia “Vite që s’harrohen”, që është edhe më e bukura e librit, u kthjellova e ndërrova mendje. Që në titull, autori nxiton të tregojë, se paska shumë dhimbje e vrer jete, halle e derte që paskan nisur që në vogëli. Kam përshtypjen, se Bedriu, nuk është lodhur për të gjetur titulli, sepse ai flet vetë, thjesht dhe bukur, si një kumt i vuajtjeve, për të mos u harruar nga brezat që vijnë dhe, që për ironinë tonë, nuk na besojnë, më së shumti i quajnë përralla apo sajime të trishta.
Që në hyrje të librit, Rexhep Polisi, shprehet: “Askush nuk mund të rrëfejë më bukur, përjetimet e ferrit, apo kampet e internimit, se sa ata që i kanë provuar e jetuar ato”. Ndaj edhe vargjet në poezitë e Bedriut, mbajnë shumë trishtim, diku edhe lot mallëngjimi, sepse janë ushqyer nga balta plot vuajtje, nga përbuzja shoqërore e nxitur pa shkak nga “lufta e klasave”. Ai e ndjeu shumë jetën pa baba, jetim me babën gjallë, të arratisur në Australi. Që i vogël u shpall dhe u rrit si armik, endur nëpër kampet e internimit. Marrëzitë e kohës, do të shprehet dikush. Marrëzi është fjalë e butë, po të shohim pasojat e përçarjes së shqiptarëve me njeri-tjetrin: “gjysmës së kombit shqiptar i prenë frymën në fyt”…., shprehet poeti Vullnet Mato, diku në një varg të poezisë “Ku shkuan Xhelatët?”, publikuar së fundi.
Trishtimi i grumbulluar ndër vite, gjen shteg dhe shpërthen në një frymëzim diku të egër e diku si klithma, që kërkojnë drejtësi, por që nuk duket gjëkundi e as ka ndërmend të vijë. Ja dy-ter vargje nga poezia: “Ata që na vranë baballarët”…. “Ju që prindërit tanë i vratë,/ sepse deshën liri dhe atdhe,/ si fantazma ju ndjekin shpirtrat e tanëve baballarë,/ që ju i quajtët tradhtarë”...
Ndoshta sot gajasemi së qeshuri, ku lexojmë këto pak fjalë, që përmbledhin mijëra faqe leksione, mbi teorinë dhe praktikën e luftë së klasave, kësaj murtaje të përçarjes kombëtare, të zbatuar mizorisht mes shqiptarëve. Gjykojeni vetë: “Bariu i fshatit, në tufë dhinë nuk e pranonte,/ se edhe ajo titullin “Armik i klasës”, gëzonte”.
Një numër poezish i kushtohen Hysniut, babait të munguar, një luftëtar nacionalist dhe atdhetar, që pasi i rrezikohej jeta, arratiset në prag të çlirimit, për të gjetur strehë në Australi. Bedriu loton në heshtje për babën, të cilin nuk mundi ta shohë, sepse ai ndërroi jetë në kontinentin e largët dhe udhët tona ishin të mbyllura. Për ç’ udhë po them unë, kur kufiri ishte i rrethuar me tela, si një burg i madh?
Brenga që nuk e pa babën, e shtyn autorin në gjetjen e vargjeve për të thurur poezitë më të ndjera: Ja disa prej tyre: “Nuk dua të vdes/ pa u përkulur/ pranë varrit tënd….”, për të vazhduar më tej: “I shtrenjti im, baba/ në dhe të largët u trete./ për së gjalli na ndanë,/ por në zemrën time ti mbete”. Vargje amanet, për t’u përmbushur pas më shumë se gjysmë shekulli më vonë, me ndryshimin e sistemit, për t’i çuar një dorë dhe, nga trualli shqiptar, një tufë me lule, mbi të heshturin varr.
Jo më pak vlera njohëse ka në pjesën e dytë, të titulluar “Përjetime”, ku shkruhet në prozë. Aty thjesht, shkurt dhe bukur përmenden emrat e personave, që i kanë lënë mbresa apo janë edhe miqtë e tij, si Komandant Zemani, Tasim Besho, Bilal Xhaferri, mes tyre edhe njerëzve të tij të dashur, nipër, mbesa, miq të hershëm të familjes, që u bënë të njohur e u lidhën, vetëm pas viteve 90-të. Është një pjesë që i shton vlerat librit dhe autorit.
Me këtë libër, Bedriu i bashkohet fjalës së At Zef Pllumit: “Rrno për me tregue”, që është një amanet, për të gjithë ata që kaluan në kalvarin e burgjeve dhe internimeve të diktaturës. Historia që nuk shkruhet, si fillim harrohet, nga pluhuri mbulohet, e më pas asgjë s’mbetet, si shkrimi në rërë, nga valët e detit.
“I mjerë është ai që s’ka kujtime! Fatkeq është ai që, s’di t’i shkruajë ato”. Këto janë falë, që përmbledhin filozofinë e Bedriut, si psherëtimë mëshire dhe piskamë ndëshkimi, ndaj vetes dhe të tjerëve. Prandaj, autori tashmë në moshën e thyer të kapërcyellit të viteve, në këtë libër modest, është përpjekur të na sjellë jetën e tij, nëpërmjet copëzave të këputura nga zinxhiri i viteve, të trazuar e të gatuar, me lot në heshtje, vuajtje shpirti dhe mallkim ndaj xhelatëve. Kjo më nxiti t’i them dy fjalë, në pak vargje, ashtu siç i meriton vetë Bedriu:
Kush më mirë, do shkruajë historinë tuaj?
Ti mos prit, këtë barrë ta mbajë një i huaj.
Shpirti i derdhur në libër, një gjurmë me vlerë,
Pasuri për brezat. Mësojnë edhe të tjerë.
Besoj se Bedriu, autorit të librit “Vite që s’harrohen”, i shkojë përshtat fjalët e shprehura nga filozofi shqiptar Isuf Luzaj, kur thotë: “Tri dashuritë e mia: Dashuria për atdheun, dashuria për librat, dashuria për shkrimin”.
Kadri Tarelli
Durrës më: 19, të Korrikut, 2018.
Komentet