Intervistoi: FATMIRA NIKOLLI
TIRANE – Një vit pas debatit, Visar Zhiti vjen në një rrëfim për detyrën e marrë në Vatikan dhe marrëdhëniet me të gjithë: ata që propozuan, ata që e kundërshtuan dhe ata që e mbështetën. Punën e tij ai e sheh si ‘mision për të bërë më të mirën, s’ka rëndësi emri…’. Ai flet për detyrën e marrë, takimet e shumta, diplomacinë, bisedat me Papa Françeskun dhe si i sheh sot, një vit më pas ato që u thanë një vit më parë.
Për kujtesë, kur qeveria shqiptare, me në krye kryeministrin Edi Rama e propozuan emrin e tij si ambasador në Vatikan, Presidenti Bujar Nishani doli kundër dhe nuk e emëroi atë. Më pas, ishte George Frendo nga Konferenca Ipeshkvnore, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” kundërshtoi emrin e tij, edhe pse ai u pendua më pas për intervistën dhe kërkoi ndjesë.
Sot, Zhiti i pyetur për këto kundërshti thotë: “Por ju kujtuat akuj, ata janë tek mua tani, m’i solli fati, mundohem të mos më pengojnë për të tjerët, në kryerjen e detyrave dhe si një i krishterë mërmëris që të bëhet më e mira në emër të Atit dhe të Birit (tim) dhe të Shpirtit të Shenjtë…”
– Kemi parë takimin tuaj me Papa Françeskun, mediat e dhanë fjalën e tij para trupit diplomatik. Si shkoi takimi, cila ishte atmosfera?
Dëshira dhe gjendja ime tani janë të tilla që më kërkojnë të flas sa më pak dhe të bëj në heshtje ato që është e mundur, sa më shumë. Për aq sa më ka mbetur. Por ju më bëni një pyetje që nuk e shmang dot të rrëfyerit, bëhet fjalë për një fakt shumë shpirtëror për mua, frymëdhënës, që më afron për andej nga kam humbur, nga qielli, është si një (a)rritje, do të thosha. Po, unë e takova Papa Françeskun, liderin moral më të fuqishëm sot në botë, Kreun e Selisë së Shenjtë.
Ishin mbledhur ambasadorët dhe krerët e misioneve të ambasadave të 180 shteteve me të cilat Vatikani ka lidhje. Mes tyre unë përfaqësoja vendin tim. Ati i Shenjtë do të mbante Fjalën e Tij të fillim të vitit para trupit diplomatik në sallën e mrekullueshme ‘Regia’, gjithë afreske të shenjta e dritë misterioze.
U duartrokit gjatë nga ne, të pranishmit. Papa Françesku foli për të ikurit, të përvuajturit, për lirinë dhe besimin dhe dinjitetin e çdo jete e vendi, me porosinë që të punohej për një botë më të mirë për të gjithë.
Më pas Papa Françesku priste me radhë nga të gjitha përfaqësitë. Në takimin tonë pata fatin të rrimë më gjatë. Më shumë se sa zyrtaro-diplomatik, ai po i ngjante një takimi të përshpirtshëm, prandaj dhe mund ta tregoj disi. Pasi më shtrëngoi dorën, fillimisht i thashë se vizita e Shenjtërisë së Tij në Tiranë, para një viti, kujtohet vazhdimisht dhe emocionon si në atë ditë… Papa me ngazëllim të dukshëm më tha se gjeti një popull rinor, gjithë gjallëri, një rini që ecën… Kumtet Tuaja, i thashë më pas, porositë që dhatë, janë të vlefshme për përherë. Ju kujtuat një popull martir dhe martirët e tij, ju prisnin, portretet e tyre kishin mbushur bulevardin dhe endeshin si engjëj nëpër erë, plagët dhe shqiponjën, theksuat Ju, lejomëni t’ju jap një roman me këtë temë dhe ca poezi, një pjesë të shkruara të burg. Kur pashë librat e mi në dorën e Tij, në atë dorë që mban kryqin, që përshëndet njerëzimin, teksa në sytë e qeshur dhembshurisht kishte vëmendje ikonash, vërtet pata një ndjesi ndryshe, të panjohur. Edhe tani më vjen zëri i tij atëror, kur na tha: “Lutuni për mua!” Dhe ime shoqe që ia ktheu me përdëllim: “Edhe Ju, Ati i Shenjtë, lutuni për djalin tonë, ka një vit që është në qiell.” Befas Papa Françesku pyeti për më shumë, deshi të dinte, madje edhe emrin dhe kur mësoi kuptimin e tij, e shqiptoi shqip: “At’jon”. Do të lutem, na tha me zërin që sikur i vinte nga thellësitë, do të lutem nesër në meshë.
Dhe ne në çdo të nesërme tani kemi lutjen e Atit të Shenjtë, që na jep kurajë. E ndjej si për të gjithë ata që kanë një dhembje të ngjashme. Ndërkaq, besoj, se kisha dhënë ca frymë Shqipërie më shumë se notat verbale që mund të dërgoja unë. Diplomacia e natyrshme njerëzore, mund ta quajmë, më e rëndësishmja… Kaq.
– Atëherë si ka ecur detyra juaj si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vatikan? Megjithëse, nuk është bërë ende një vit.
Po punojmë. Duke i kryer detyrat e ngarkuara. Duke kërkuar më të duhurën. Na thonë përreth se po punohet mirë. E nisëm me fasadën e ambasadës, krahas flamurit kombëtar dhe stemës së republikës, vumë dhe Skudin e ri të Papa Françeskut, si gjithkund. Në përfaqësi ka hyrje dhe dalje, pritje dhe takime. Janë vështirësitë e fillimit, normale, aq më tepër për mua, që megjithëse kam përvojë në diplomaci, kam qenë dy herë ministër këshilltar në ambasadën tonë në Romë dhe ky është shërbimi im i tretë dhe e filloja pas një tragjedie familjare, më të rëndën, përpirëse, i vetëm dhe vetëm Selia e Shenjtë ishte ajo që do të mund të më bënte të punoja dot. Kështu më dukej dhe sikur po plotësoja një amanet.
Vatikani është i tillë që të përçon frymën e mirëkuptimit, jo vetëm midis qiellit dhe tokës, por dhe midis nesh, të gjithëve. Prandaj më lejohet më shumë intimitet në bisedën tonë.
Përfitoj që të shpreh mirënjohjen time hapur ndaj atyre që ma besuan këtë detyrë, kryeministrit Edi Rama, që më dha shenjtërisht atë që më duhej tani, ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushatit, bashkëpunëtorëve të tij për mbështetjen institucionale e njerëzore, po kështu dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, gjithë grupit parlamentar të Komisionit të Jashtëm, majtas dhe djathtas, përkrahësve të gjithë e deri tek Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés.
Që të mos zgjatem në çështje pune, mund të them se Sekretaria e Shtetit në Vatikan më ka pritur shkëlqyer, ashtu siç dinë të presin ata, aq sa institucionalë, po aq dhe shpirtërorë, me korrektesë dhe të çiltër, me dinjitet dhe duke të dhënë dinjitet ndërkohë. Duke e çmuar vendin nga vjen.
Pas takimit të parë me Shefin e Protokollit, Monsinjor Bettencourt, jam takuar me ministrin e Jashtëm të Vatikanit, Monsinjor Gallagher, me ministrin e Kulturës, Kardinal Ravasi; me prefektin e Çështjeve të Shenjtëve, Kardinal Amato; me sekretarin e Çështjeve të Familjes, Mons. Paglia; me Presidentin e Komitetit Papal për Shkencat Historike, Padre Bernard Ardura, etj., e deri me Kryeministrin e Vatikanit, Sekretari i Shtetit Kardinalin Parolin. Po kështu dhe në Urdhrin Sovran Militar të Maltës, pranë të cilit ambasada jonë është e akredituar, kam takuar Princin Fra’ Mattheë Festin, si edhe kancelarin Albrecht Freiherr von Boeselager. Jam takuar me prefektin e Bibliotekës Apostolike, Mons. Cesare Pasini, në Radio ‘Vatikani’, në seksionin e gjuhës shqipe, me drejtorin don David Gjugja e stafin, po kështu dhe në gazetën e Vatikanit “Osservatore Romano”, me dekanin e Trupit Diplomatik, me ambasadorin e Italisë pranë Selisë së Shenjtë e me ata që mbulojnë Shqipërinë, me rektorë universitetesh papale e të tjerë, me presidentët e spitaleve që varen nga Vatikani “Bambino Gesù” e “Gemelli”, të cilët kanë pasur marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, etj.
Nuk mund të mos kujtoj nga ata, të thjeshtët, të panjohurit, për të cilët nuk shkruajnë gazetat, për Gjergj Ndocin, që punon në Vatikan e për motër Elena Lulashin, Superiore Gjenerale pranë abacisë në Grottaferrata, që na janë gjendur dhe na kanë mbështetur, po kështu dhe motër Majlinda Topalli e Ndue Lugja, edhe ky punon në Vatikan, këta së bashku me të tjerë si veprimatët Edmond Godo e violinisti Tonin Xhanxhafili, rrezatojnë një imazh shumë të mirë të shqiptarëve, kur ndokush, tribal, që paguhet dhe e ka për detyrë, bën të kundërtën.
Ambasada ndërkaq ka mbështetur shoqata e ka kryer disa veprimtari të sajat, tubime, koncerte e kuvende si ajo për Kanunin apo nga Lufta II Botërore, ushtarët italianë në Shqipëri, që gjetën strehë dhe mbrojtje në familjet tona, gjest i rrallë biblik, apo ajo e përkujtimit të një vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë e të lumturimit të Nënë Terezës, ku ftuam dhe aktorin e njohur Mirush Kabashi të recitonte pjesë të tyre, veprimtari të tjera për Festën tonë Kombëtare, për Jubileun e Mëshirës të shpallur nga Vatikani, kemi marrë pjesë në mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe në të gjitha meshat shqip të së dielës nga rektori Don Pasquale Ferraro e Don Gjovalin Sukaj në kishën që Papa Gjon Pali II ua dhuroi shqiptarëve në Trastevere, në Romë, etj.
Kam shkuar në Antrodoko, në veprimtari me kritikun e njohur të artit italian Vittorio Sgarbi për piktorin shqiptar Lin Delija, që më pas hapi dhe një ekspozitë në Universitetin Urbanian, kur u mbajt kuvendi “Shqipëria dhe Propaganda Fide”, me nismë dhe organizim të pararendësit tim në detyrë, Ardian Ndreca. Kam shkuar dhe më larg, në Mantova, psh., në ceremoninë bashkiake ku mora “dhuratën shqiptare”, që me propozimin tim, iu çua Papa Françeskut, një palë këpucë të kuqe në ngjyrën e Flamurit me shqiponjën dykrenore, vepër arti e mjeshtrit Petrit Kozeli.
U zgjata, dhe së fundmi, tri ambasadat shqiptare, e jona në Vatikan dhe ajo në Itali së bashku me atë të Kosovës po në Itali, përkujtuam së bashku në sheshin “Albania” 17 Janarin, 548-vjetorin e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, Heroit Kombëtar, kaq shumë përbashkues, Ja, na bëri bashkë tri ambasadat mes shqiptarëve të diasporës. Ta përhapim sa më shumë këtë frymë në bëmat tona. Ndërkaq është shumë e më shumë ajo që na pret të bëjmë…
Thashë në fillim se në Vatikan ndjehem sikur plotësoj një amanet. Im bir e dëshironte që unë të punoja këtu, ma thoshte dhe unë përpiqem që dëshirat e tij t’i kryej siç do të donte ai.
– Cilat janë përparësitë e diplomacisë shqiptare në Vatikan?
Janë po ato që ka përcaktuar Qeveria Shqiptare në program, që Ministria e Punëve të Jashtme i ka shpalosur për zbatim si ideal e vizion i një vendi demokratik, i realiteteve euro-atlantike, anëtar i NATO-s, që po përshpejton ritmet për t’u integruar në Bashkimin Europian, familja e natyrshme e Shqipërisë. Këto duan medoemos dhe shpirt dhe Vatikani është shteti – superfuqi shpirtërore.
Sivjet, në shtator, mbushen 25 vjet që janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit, me ambasadorin e parë Wily Kamsi. Por ato janë dhe shekullore, që me Skënderbeun, me kryediplomat Pal Engjëllin. Në udhëkryqet e historisë dhe në vështirësitë kolektive, Vatikani e ka mbështetur popullin shqiptar në tërësi, kombin tonë edhe sot dhe do të donim të arrihej dhe njohja e shtetit të Kosovës.
Si ngjarje e madhe na pret shenjtërimi i Nënë Terezës, figurë emblematike, përbashkuese dhe kjo, se i përket një populli, që në besim shumicën e ka myslimane, lind në Shkup, që do të ishte kryeqyteti i një vendi ku mbizotëron ortodoksia, punon si misionare katolike në Indinë e largët induiste. Ndërkohë ajo është universale, nuk është vetëm e kishës indiane, por botës mbarë. Ne, bashkatdhetarëve të saj, na takon të bëjmë më shumë për të, që të tregojmë jo vetëm sa është jona ajo, por dhe ne sa të sajët jemi. Ka rëndësi.
Shqipëria është vendi që e kanë vizituar dy Papë në këta 25 vjet, jo të gjitha vendet e kanë pasur këtë fat. Dhe të gjithë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar janë pritur në Vatikan. Marrëdhëniet e shkëlqyera me Vatikanin duhen mbajtur në këtë lartësi. Ndërkaq sipas hulumtimeve, 4 Papë janë me origjinë nga trojet ilirike, arbërore, pra shqiptarë, i quante gazeta vatikanase “Osservatore Romano”. Këto duhen treguar, bëjnë pjesë në detyrat tona.
Ne kemi një kler katolik të persekutuar, ndër më të kulturuarit në Ballkan e më gjerë, që kishin si credo atdheun dhe fenë, që kanë thirrur edhe para pushkatimit dikur: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria”. Sot ka një rimëkëmbje vërtet të bukur të klerit shqiptar në përgjithësi dhe një “vëllazëri fetare”, siç e evidentoi dhe vetë papa Françesku, emblematike dhe shembullore për botën.
Këto e shumëçka tjetër krijojnë një përparësi në veprimet tona në marrëdhënie me Vatikanin.
– A keni pasur ju takime me drejtues të Konferencës Ipeshkvnore pas debatit të vitit të shkuar për emrin tuaj?
Natyrisht që po, kam pasur takime. Jam takuar dhe me kryetarin dhe sekretarin e saj, arqipeshkvin e Shkodrës, Angelo Massafra në një kuvend në Romë si dhe me sekretarin e përgjithshëm, ipeshkvin e Tiranës, George Frendo, me të cilin jam takuar më shpesh. Kemi shkëmbyer dhe letra pune.
Tek mua nuk ka mbetur ndonjë ndjesi debati për emrin tim. Nëse e keni fjalën për ato që u thanë në prag të emërimit tim në ambasadën tonë në Vatikan, s’di si t’ju them, qëndrova larg tyre, nuk mundesha, por në parim, sipas Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ata kishin të drejtën e tyre të sugjeronin dhe të kërkonin. Në emër të mbarëvajtjeve të punëve të përbashkëta. Unë, ndërkaq, e përmbush kërkesën e tyre.
Njohja më shumë do na japë mundësi të bëjmë më shumë.
– Po me Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani? A janë thyer tashmë akujt?
Unë po punoj njëlloj atje ku më ka dërguar vendi im. Nuk ka rëndësi emërimi, më tha një ditë, Kardinal Pietro Parolin, Kryeministër i Shtetit të Vatikanit, në një nga takimet me të, por ka rëndësi që punon për vendin tënd..
Institucionin e Presidentit e nderoj me devocion, është detyrë qytetare. Si Kreu i Misionit në ambasadën e Shqipërisë në Vatikan tani, lejomëni të them, se të gjitha porositë, letrat që vijnë prej andej nëpërmjet MPJ, menjëherë kanë gjetur zbatim apo janë çuar në destinacionin e tyre të lartë.
Duke qenë diplomat i vendit tim, detyra ime tani është të përçoj “Shqipëri” dhe të kthej ca “Vatikan”, në dobi të ndërsjelltë. Nga Shqipëria ndjehem i zgjedhur që të mbart nga vullneti i popullit tim, nga dëshirat e tij për përparim dhe paqe, nga arritjet, nga vuajtjet dhe rimëkëmbjet, nga besimi dhe shpresa, të çoj histori për të marrë të ardhme, sado pak, Europë dhe dritë hyjnore, për t’ia bashkuar sonës, të kërkoj të na njohin gjithnjë e më shumë, të na duan gjithnjë e më shumë, të na pranojnë gjithnjë e më shumë, të gjej nga e kaluara jonë dhe nga kultura jonë, e ruajtur andej. Nga Vatikani dua të kthej sa më shumë nga besimi e mirëkuptim, jo vetëm midis qiellit dhe tokës, e përsëris, por dhe midis njerëzve dhe ndaj atyre që bëjnë politikë dhe atyre që e pësojnë atë, diplomacia e butësisë, sipas Papa Françeskut, e së mirës, pa ndarje dhe ashpërsi. Siç e dimë, është Viti jubilar i Mëshirës dhe kjo ka kuptim shumë më të gjerë se sa fjala, dikur e ndaluar, “mëshirë”, nga që ishte “fetare”, “borgjeze”, etj., por ky kumt shpalos edhe dhembje edhe dashuri për tjetrin, që të bësh për të tjerët. Së pari të mësojmë ta pranojmë, edhe kur mendon ndryshe. Të bashkëpunojmë. Një shembull të tillë, mendoj, se jap dhe duhet. Bashkësia në harmoni e të ndryshmeve është marrëdhënie universale.
Por ju kujtuat akuj, ata janë tek mua tani, m’i solli fati, mundohem të mos më pengojnë për të tjerët, në kryerjen e detyrave dhe si një i krishterë mërmëris që të bëhet më e mira në emër të Atit dhe të Birit (tim) dhe të Shpirtit të Shenjtë…
Visar Zhiti, propozimi dhe debatet
Visar Zhiti, emri i propozuar nga qeveria për të marrë postin e ambasadorit tonë në Vatikan, nuk u miratua nga presidenti i vendit, Bujar Nishani, një vit më parë. Emri i tij megjithatë, gjeti mbështetje nga qeveria e majtë dhe opozita e djathtë, duke bërë që të djathtët t’i dilnin hapur kundër presidentit Nishani. “Presidenti duhet ta votojë Zhitin ambasador në Vatikan. Duhet të ketë përjashtim, pavarësisht se mazhoranca nuk është konsultuar. Do të doja të falënderoja zotin Zhiti për pranimin e kësaj detyre në Vatikan. Zoti Zhiti hyn në visarët e kombit. Ai është një apostull shqiptar. Jemi krenar për emrin e Visar Zhitit, si njeri i fjalës shpirtërore. Zhiti ndoshta është ndër të paktët shqiptarë, që rrugët e ferrit i ka kaluar në tokë”, qe shprehur ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Ndërkaq, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, imzot George Frendo, ipeshkv ndihmës i dioqezës Tiranë-Durrës dhe sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike tregoi se Kisha Katolike ishte kundër kandidaturës së Visar Zhitit si ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Tri ditë pas botimit të intervistës, pas reagimit të Zhitit që shprehej i zhgënjyer dhe deputetëve të parlamentit që dolën në mbështetje të ish-ministrit, Frendo kërkoi ndjesë publike dhe u përpoq të përgënjeshtrojë intervistën, kopja e së cilës, e incizuar u publikua e plotë me zërin e tij, duke hedhur poshtë çdo dyshim mbi vërtetësinë e saj. Megjithatë, Nishani nuk e miratoi atë si ambasador, për ç’arsye ai është ende sot i Ngarkuar me Punë në Vatikan.
Komentet