– Shënime kritike rreth romanit “Këpuca e aktorit” të shkrimtarit Visar Zhiti, botimet “Onufri”, Tiranë 2022 –
TRE BREZA NË SKENË
Shfaqja mbaroi. Sipari ra. Pas gati 500 faqesh natyrshëm po ripërtyp ato që lexova.
Romani është konceptuar si një dramë në tri pamje, ku kohët janë të ndryshme, po personazhet janë të së njëjtës familje, të cilët i bashkon jo vetëm gjaku, po edhe përjetimet jetësore.
Roman tronditës. Dramatiko – ekzistencial. Me skena apokaliptike. Përshkohet tej e ndanë nga një ironi tragjike të fatit dhe të fatalitetit të një familjeje gjatë tranzicionit të saj shekullor nëpërmjet tri breznive dhe tri epokave historike: nga 1912-ta, periudha e Zogut dhe e Luftës së Dytë Botërore, tek ajo e Socializmit dhe e Demokracisë në ditët e sotme.
Në qendër të romanit është familja Tomorri me origjinë diku në malet e Skraparit, në një fshat rrëzë Tomorrit, që është “froni i Perëndisë”, siç thotë Naim Frashëri, ku jetojnë njerëz të mirë, që e duan atdheun dhe kulturën, janë të shkolluar dhe kanë njohje me figurat më të shquara të kombit tonë, siç janë vëllezërit Frashëri, Butkallinjtë dhe poeti At Gjergj Fishta. Kjo njohje miqësie dhe farefisnie e ka bërë familjen Tomorri të hyjë në familjet më me ndikim në krahinë. Ajo bën një jetë komode midis maleve, ku kishte një shtëpi të bukur e madhështore, të rrethuar me mur të lartë e portë hekuri në hyrje. Për ta shijuar më mirë natyrën, kishin ngritur një kulë pushimi e vëzhgimi, ku mund të pije kafe e të kundroje krejt pamjen që të shtrihej përpara, si nga një ballkon natyror – pamje që e kishin vetëm dyert e mëdha të kohës.
Koha dhe personazhet përzihen me njëri – tjetrin, aq sa humbet mes tyre. Ngjarjet zhvillohen sa nga njëra kohë në tjetrën, duke ruajtur koherencën. Po kështu dhe personazhet, të cilët dalin me emrat herë Moisi, herë gjyshi; herë Hektor, ky është dhe protagonist, herë tjetër babai, në vetën e parë të gjithë si të ishte njëri në larminë e pafund. Kjo të krijon huti artistike në fillkapjen e ngjarjes. Po pikërisht kjo krijon dhe atë që quhet modernizëm në letërsi. Gjithsesi, ngjarjet ndjekin fillin e tyre logjik. Jepet jeta e gjyshit, babait dhe autori i fshehur që tregon. Personazhet dalin, siç e thamë, me përemër vetor: Unë I (gjyshi), Unë II (babai) dhe Unë III (rrëfyesi-autor). Kështu jepet më mirë lidhja e familjes, e të njëjtit gjak. Është i njëjti Unë I dhe të gjithë ata veç e veç.
Romani është ndërtuar mbi simbole, siç janë këpucët dhe maskat. Këpucët, si mjet mbathjeje e njeriut, e shoqëron atë gjatë gjithë jetës, siç e kanë shoqëruar në histori, që nga kohët më të hershme. Përbërja e këpucës, forma e mjetet e bërjes kanë evoluar. Fillimisht kanë qenë prej druri, më vonë iu shtua një rrip mbajtës, më vonë akoma u bënë me lëkurë kafshe, retra, e cila mbështillej rreth këmbës, lëkurës i hapeshin vrima, nëpër të cilat kalonin rripa për t’i shtrënguar. Këpucët gjithmonë kanë ndryshuar. Ai që nuk ka ndryshuar është njeriu, që gjithmonë ka pasur nevojë për këpucë për të mbrojtur këmbët e veta, ndaj i ka përsosur vazhdimisht. Duke folur për këpucët, autori flet për rrugët e njeriut. Cilësia e këpucës është e lidhur me gjendjen dhe fatin e zhvillimit shoqëror.
Këpucët si simbol i shërbejnë autorit për organizimin e gjithë lëndës së romanit. Edhe kur gjyshi shkon në Normalen e Elbasanit për studime, humbja e njërës këpucë i hap rrugë fatit të mëtejshëm të tij. Mbetet me një këpucë (të cilën ia vjedhin), duke aluduar se mbeti me gjysmë fati, gjysmë që do ta shoqëronte edhe në vitet e mëvonshme.
Në Elbasan u njoh me njerëz të shquar të kulturës dhe atdhetarë me emër. Ishte kjo koha kur njohu At Gjergj Fishtën, takim që i la mbresa komunikimi njerëzor me këtë poet të madh.
I formuar me këtë kulturë tolerante, gjendet në Luftën e Dytë Botërore, ku populli ynë u ngrit në luftë për mbrojtjen e atdheut. Fatkeqësisht këtu fillon edhe përçarja në internacionalistë dhe kombëtaristë (komunistë e ballistë). Si një pjesë e familjeve shqiptare, edhe familja Tomorri në roman u nda në mbështetës të partizanëve dhe të ballistëve. Nga tre vëllezërit, njëri u bashkua me ballistët, tjetri me partizanët dhe tjetri, më i madhi, humbi, u largua mbase në emigracion prej kohësh.
Ai që simpatizonte ballistët, por që kishte shokë dhe partizanët, më tepër merrej me shkrime dramash dhe jepte shfaqje në radhët e luftëtarëve ballistë e partizanë. Ishte natyrë paqësore dhe nuk i pëlqente lufta me armë, por me penën rilindase. Ndaj shkroi poemën – dramë “Kundërshtarët përqafohen”, e cila jepte mesazhin e pajtimit, se luftëtarët ishin vëllezër. Në prag të mbarimit të Luftës, në nëntor 1944, në një grindje me një partizan, bëjnë duel me nagant. Sipas kushteve të duelit, secili kishte fishekët e vet. Kur qëndruan përballë njëri – tjetrit, gjakrat u ftohën, gjithsesi dueli vazhdoi. Nuk qëllonte drejt partizanit, se nuk donte ta vriste, po edhe partizani nuk po e qëllonte dot. Partizanit i mbaruan fishekët. Babai i dha disa fishekë nga të tijat. Partizani qëlloi i pari dhe plumbi kapi babanë. Ai vdiq me plumbat që dha vetë. Fjala u hap se babai u vra në luftë si tradhtar. Kjo e shoqëroi gjatë gjithë viteve familjen Tomorri si një njollë e zezë bashkëpunimi me armikun.
Në vitet e Luftës takon edhe një pinjoll të familjes Frashëri, Mithat Frashërin, i cili ishte kryetar i Ballit Kombëtar, njeri i kulturuar. Kishte një librari në Tiranë. E quan fatkeqësi vëllavrasjen, por fajin ua hidhte komunistëve, që shkelën Marrëveshjen e Mukjes.
Odisenë e jetës së vet, autori e tregon kur shembet teatri. “… do të flas për vete si për një tjetër dhe, kur tregoj për tjetrin, kam treguar edhe për vete”,- thotë ai. Ky është fati i aktorit në jetë.
Pas Çlirimit fillon punë në qytetin L. Megjithëse kushtet ishin të vështira, punoi me pasion si në interpretim, edhe në organizim dhe shkrimin e materialeve për skenë. Shumë shpejt u bë aktor i dashur për popullin.
Në një premierë përuruese do t:e ihte i pranishëm edhe E. Hoxha, i cili e duartroket dhe ngjitet në skenë për ta uruar. ” Ti luan mirë”, i tha udhëheqësi, i cili e kishte kuptuar rolin e teatrit në edukimin e masave dhe donte t’i kishte në anën e vet aktorët më të mirë. Më shumë se gëzim, fjalët e udhëheqësit iu ngulën në trup si shigjeta.
Pas ca ditësh e thërrasin në Degën e Punëve të Brendshme. Shqetësim. Pse? Kryetari i tha të përgatiste një teatër me punonjësit e Degës: policët, sekretaret, rojat etj., duke përjashtuar të burgosurit, të cilët nuk e gëzonin këtë të drejtë. Duhej për konkurim në olimpiadën e ndërmarrjeve. E kishin zgjedhur Hektorin, sepse ai ishte vlerësuar nga E. Hoxha dhe po të vlerësoheshe nga ai, i kishe dyert të hapura kudo. Kryetari i vuri kusht vendin e parë, siç ia kishte dhënë një vit më parë zdrukthtarisë. Tekstin e dramës ia diktoi vetë: Një armik donte të kalonte kufirin, por në momentin e fundit, bashkëpunëtori i tij, i infiltruar, i drejton pistoletën dhe e kapin. Teksti i dramës duhej shpejt, që t’u lihej kohë aktorëve ta mësonin. Ndaj Hektori duhet të mbyllej në një qeli burgu brenda Degës dhe ta shkruante. Nuk do të kthehej në shtëpi pa e përfunduar, megjithëse në shtëpi e prisnin për të festuar ditëlindjen e vajzës, Irisit.
Përgatitja e dramës brenda burgut shpreh idenë se arti, që nuk njeh pranga, tani sikur bëhet brenda një qelie.
LOJA E JETËS DHE E VDEKJES
Situata e krijuar përreth krijon një gjendje persekutimi te Hektori. Ai nuk ndien siguri për vete dhe për familjen. Dhe vendos që për të shpëtuar familjen, duhej të mos e kishte pranë vetes. Duhej shpëtuar ç’mundej. Nuk mjaftonte vetëm sakrifica. “Gjersa na mashtrojnë, duhet të mashtrojmë; gjersa luajnë me ne, duhet të luajmë”, – mendon Hektori dhe i shpreh bashkëshortes, Erikës, opsionin e ndarjes fiktive: ajo me vajzën, Irisin, të shkojnë në Tiranë për të shpëtuar të ardhmen, sat ë ihste e mundur. Familjen po e ndiente si barrë. Nuk mund të shpërngulej bashkë me ta në internim, nëse do ta gjente kjo hata, përkundrazi, ata duhet ta tërhiqnin në Tiranë. Gjithsesi, duhej bërë ndarja më parë.
Ndarja solli pasoja. E larguan nga teatri dhe e çuan në Durrës për riedukim me punë korrektuese, ku po zbulohej amfiteatri. Do të punonte si punëtor në zbulimin e tij. Mes rrënojave të Amfiteatrit antik jep shfaqjen e parë pas gati dy mijë vjetëve heshtjeje. Gjatë shfaqjes-delir ai thekson se “dëshiron të flasë për këpucët, që janë edhe të aktorit… Kështu mbase ngacmohemi të ndiejmë historikun e ecjes, të dramës do të thosha, jo që ta zbuloj, por që ta mbuloj, të nevojshme të dyja, se këpucët maska janë në fund të fundit, maska të këmbëve siç janë maskat këpucë të fytyrave, gjithmonë sipas meje…”
U kthye përsëri në L. Aktor, me të njëjtat kushte, me të njëjtën pagë mujore. E njëjta përditshmëri e rutinë mendore. Iu rikthye e njëjta frikë, se mos e thërrisnin në Degën e Punëve të Brendshme dhe do t’i kërkonin bashkëpunimin, jo për teatër… është vonë… Atëherë prit dëbimin tjetër, pa shpresë kthimi… Sa mirë që kishte hequr që këtu të shoqen me vajzën.
Si një hije e keqe e ndiqte Anastasi, Çaçoja, i cili ishte i sigurt se do të fillonte punë në teatrin e ri të estradës. Marangoz? Jo, aktor, a po… Pas çmimit si amator në Olimpiadën e klasës punëtore, ai u bind se meritonte të fillonte si profesionist në estradë. Për t’ia arritur qëllimit, iu qep Hektorit për ndonjë fjalë të mirë. E thërriste për ndonjë gotë raki dhe i servilosej për çdo ndihmë që i jepte në skenë dhe për rolet që zgjidhte.
Çaçoja e provokonte në çdo temë bisede që hapte, madje e pyet edhe për shkaqet e ndarjes nga bashkëshortja. Si rastësisht gjejnë 1200 lekë në rrugë. Këtë e lidh me një bisedë të dëgjuar në zyrën e operativit, sikur Hektori me Çaçon kishin konsumuar alkool me tepri, por edhe fjalë, etj.
Pas emërimit si profesionist, në debutimin e parë në skenë, Hektori e ndihmon që Çaçoja të binte në sy si aktor i mirë. Në darkën e shtruar me këtë rast, njihet me të shoqen dhe të bijën, të cilat i afrohen shumë Hektorit.
Çaçoja është prototipi i njeriut arrivist, që vendos maskë për të fshehur fytyrën e tij të vërtetë, derisa t’ia arrijë qëllimit. Është njeriu i ri komunist, që sakrifikon gjithçka nga vetja, madje dhe familjen e vet, për të zbatuar detyrat që i kanë ngarkuar si bashkëpunëtor i Degës, si spiun, si 1200-sh. Ai përpiqet të manipulojë Hektorin për ta goditur më lehtë; p.sh, i bën një raft librash me materiale të zdrukthtarisë pa i kërkuar lekë; i fut në dhomë dy punëtore të zdrukthtarisë, që ta akuzonte për prostitucion, por nuk bie në grackën e tyre. Edhe kur gruaja dhe vajza e Çaços, (e cila përfundon si prostitutë në Greqi), i afrohen për marrëdhënie intime, degjenerimi i familjes, por ai refuzon me delikatesë vajzën, duke pasur parasysh rritjen e brezit të ri…$
Njerëz të tillë si Çaçoja dhe familja e tij kishte jo pak në diktaturë, që rënien morale e vazhduan dhe në demokraci.
Në Tiranë protagonist njihet me një kamariere – pronare, me bashkëshort italian, që rrinte më shumë në Itali sesa në Tiranë, por që ngjan si lojë dhe kjo. Rinjihet me një infermiere, kur ishte shtruar në spital kishin bërë dashuri por dhe një shfaqje. Infermierja ishte e bukur dhe e kujdesshme. (Në një farë mase ajo po zëvendësonte Erikën, të cilën kishte shumë kohë pa e takuar, pas largimit të saj nga Shqipëria për në SHBA). Në spital krijoi një estradë, siç kishte bërë në shtëpinë e pushimit, në burg e në Amfiteatër. Infermierja ishte njëra nga aktoret, këngëtare dhe konferenciere.
Hektori kalon gjendje të tjera makthi. Në pallatin përballë, që ishte thuajse ngjitur me të tijin, iu shfaq Atjoni, një djalë i ri, i cili i jep çakmakun, metafore e shkendijmit të ideve, i hedh nga ballkoni në ballkon dhe flasin mbi zhvillimet në vend dhe teatrot në Evropë. Me Atjonin kanë një bashkëbisedim të ëndërrt, madje u shfaqet si shajni edhe një eskavator midis pallateve. Kova e eskavatorit Atjonit i duket si një skenë e vogël shëtitëse.
Pandemia dhe ekskavatori – një lloj futurizmi industrial, jepen si shkatërrues të jetës për kryeqytetin që s’ka një teatër, ku kullat ngrihen si dinozaurë, që kacafyten. Mes tyre futet dinozauri-ekskavator, me kovën skenë…
Romani mbaron siç fillon me shembjen e teatrit. Gjatë shembjes së teatrit Hektori goditet në kokë nga një tra dhe bie në gjendje koma. Sheh vegime të çuditshme. E sheh veten në arkëmort, të rrethuar nga këpucë e maska. Kishte personazhe që i kishin ardhur për ngushëllim. Kishte mbartur jetët e tyre, duke qenë aktor i jetëve të tjera. Jam hamall i ngarkuar me valixhet e të tjerëve.
Vesha këpucët e tyre. Mbarta kohë nga të gjithë dhe e shkarkova. Sa e rëndë! Megjithëse duket si prej ajri. Luajta sa desha. Jo sa desha unë, por sa deshën të tjerët dhe kur donin ata. E Hektor-kufomë-gjallë-zvarrituri! – përcakton ai vetveten me këto fjalë si një e vetme, që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
Nga të gjitha maskat, Hektori falënderon maskën me fytyrën e askujt dhe aq shumë të përgjithshme, me fytyrën e popullit, – mendon në kllapi. Një hop ai përmendet : Kisha bërë sikur kisha vdekur (a vdesin njerëzit kur luajnë?), kur të gjithë bëjnë sikur jetojnë (nuk jetohet me g:enjeshtrën e jetës…).
Shembja e teatrit është edhe shembja e Hektorit si aktor. Ai e donte teatrin, ashtu siç ishte, se kishte kujtime me të. Le të ndërtohej një teatër i ri, po i vjetri të ruhej si monument kulture. Pa teatër nuk ka qytet.
Irisi, e bija, aktore dhe ajo dhe Marini, i dashuri i saj nga Kosova, të dy kthehen nga Çikago, bashkëpunojnë dhe me Hektorin-baba. Por ai u duket me sindromin e ri të këpucës së vjedhur. Të ecjes së penguar. E tillë ishte jeta e brezit të tij tij: e vjedhur dhe e penguar.
Babai u bë këpucë edhe vetë. E futa në valixhe atë, këpucën e djegur përgjysmë, – thotë Irisi, kur niset në aeroport. Duna të shkojnë në Ukrainë, ku po bëhet tani teatri i luftës…
Romani mbyllet me fjalët optimiste të Irisit : – Unë jam shtatzënë, – mërmëriti dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë, duke dhënë mesazhin se jeta vazhdon dhe bashkë me të edhe e ëndrrës së Hektorit për aktrim në skenat më të mëdha botërore.
PËRMBLEDHJE
* Ky roman është risi në krijimtarinë e e shkrimtarit Visar Zhiti, por edhe në letërsinë tonë. Në të ka prurje letrare që gërshetojnë personazhet fiksion me ata realë dhe ngjarjet historike me ato romanore.
* Ka një gjuhë të përpunuar në shkallën më të lartë në të gjitha elementet e saj, qoftë leksikore, sintaksore, morfologjike apo dhe letrare nëpërmjet figurave të larmishme të përdorura, teksa personazhet flasin me gjuhën e tyre.
* Stili i autorit është koherent, forma të reja po aq dhe vazhdimësi e tij, madje pjesë të tëra në roman na nëpërmendin romanet e tjerë të Visart që të pëlqen t’u rikthehesh si “Funerali i pafundmë”, “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, “Në kohën e britmës” të vlerësuar dhe të përkthyer dhe në gjuhë të tjera.
* Romani “Këpuca e aktorit” është një shkollë krijimtarie, madje krijuesit e rinj, studentët mund ta marrin edhe si temë studimore a punë diplome e masteri, ndaj dhe kritika ime ishte e tillë, jo vdetëm shpalosëse, por dhe si një thirrje për lexim dhe nxitje për të shkruar…
Komentet