Sapo është botuar libri më i fundit i Visar Zhitit, “Si na erdhi ai, i ndaluari”. Libri është një rrëfim ngulmues me befasira, ku lidhen si me një fjongo të errët dy kohë e dy breza me dëshmi poezinë dhe dhembjen.
Shkas dhe protagonistë janë poeti rus, Evgeni Jevtushenko bashkë me një student shqiptar me emrin Atjon, biri i autorit. Nëpërmjet kësaj trinie përmblidhen këtu një sprovë e thukët, shoqëruar me brilante nga krijimtaria e Jevtushenkos si dhe një përshkrim udhëtimi në vendin e tij me frymëzime nga andej, të përziera si rrallëherë në një libër.
Ky takim dritëhijesh, që vazhdojnë dhe në të përtejmen përbën një përsiatje për të kuptuar më mirë veten si një e vërtetë dramatikisht e bukur.
Nga Visar ZHITI
…buzëqesha edhe unë. Vëzhgim befasues, edhe i gjetur, edhe i guximshëm, edhe i bukur, edhe…. S’kishte si të mos më dukej kështu, edhe ngaqë ma kishte thënë im bir, Atjoni, edhe ngaqë hapte debate e mundësi ballafaqimesh, madje midis brezash. Kishim dalë në ballkonin e vogël të apartamentit tonë në Tiranë dhe më pushtoi një si ndjesi sikur ndodheshim pezull midis tokës dhe qiellit, më afër baltës, të krijuar prej shirave më të fundit, teksa përsipër hapësira ngushtohej padurueshëm prej pallateve përreth, fërgëllonte e copëzuar në ngjyrë ere, sikur kërkonte të shmangte retë, t’i bënte të paqena. Thitha sërish cigaren dhe përmes tymit po shikoja nga Atjoni. Sa është burrëruar dhe zgjatur, thashë me vete, ka mendime, edhe pse me mua flet pak, por ato që ka nisur të shkruajë, të bindin. Ajo pakëz mjekër, push ziosh në faqe, i ishte rritur dhe dendësuar disi, eh, student filozofie, viti II, i takon ta mbajë. Fitoi vetë një bursë në Universitetin Katolik “Sacro Cuore” në Milano. Kishte shumë butësi në fytyrë, tejet të shndritshme, por dhe siguri të mirë, gati të rreptë. I shihej në sytë e mëdhenj, në ballin e lartë, te buzët e plota, por sidomos te nofullat. Shpatullat i qenë zmadhuar, krahët, qafa e gjatë, e mermertë si e së ëmës. Kaçurrelat i qenë përhapur edhe më, nga ana e majtë i binin mbi sy. Më pëlqente më shumë kështu, sesa kur qethej fare, por dhe atëherë i zbulohej koka e rregullt dhe kishte tjetër hijeshi. Kisha ëndje të futja gishtërinjtë nëpër flokët e tij, siç bëja kur ishte më i vogël, por e dija që nuk do të më linte. Si i thoshin shokët në Milano, në klubin ku shkonte në breg të lumit të Navilias, cappeli importanti, “flokë-rëndësishmi”? Si Samsoni biblik. Ndërkaq, mua s’më tregonte ndonjë gjë për Dalilat e Rahilat moderne të shkollës, për Zhuljetat, Liviat e Olimpiat etj., mamit po, dhe Eda m’i thoshte edhe mua. Jo të gjitha.
Kur ndodhte të bënim ndonjë copë rrugë bashkë, shkonte andej nga “Blloku” të studionte në një librari të re, kisha parë vajzat që kthenin kokën nga ne. Me mua e kanë? – tallesha unë. Po, po, aty mbahu, – ma kthente me bezdi të gëzueshme.
Kishte ardhur me pushime. Dhe unë e pyeta për takimin, kisha kërshëri të dija në i kishte pëlqyer ai takim, duhej të kishte qenë i veçantë dhe ndryshe sipas meje. Me pak fjalë, ai më tha shumë më tepër nga ç’prisja, dhe jo atë që kisha paramenduar. M’u duk dhe si një lloj goditjeje.
Dhe u habita. Më vuri në mendime. Pyetjes sime sapo i ishte përgjigjur prapë me pyetje. … mos janë ca si egocentrikë ata që i ka përkëdhelur regjimi? – Dhe priti një grimëherë… Para kësaj më kishte thënë: …ishte interesant, por dhe narcist… – Do të doja të ma shpjegonte. Por ai ma kishte kërkuar mua ndërkaq.
Përcaktorët interesant dhe narcist, pastaj togfjalëshi egocentrikët e përkëdhelur… m’u dukën si një zbulim i tij, se edhe unë e kisha takuar atë e nuk di të kem pasur ftillime të tilla, kaq të qarta e përmbledhëse.
Po, po e kisha takuar edhe unë shumë vjet para Atjonit, le që e kisha takuar edhe më përpara se ta takoja. Në rrethana që dramatizoheshin rëndshëm. Prandaj edhe takimi im real me të m’u duk si i përhënur, ndodhi në dy ditë të huaja, të begata, që si kohë i ngjanin kthimit të mugëtirës në agshol, të paktën kështu ishte për mua. Takimin e tretë e bëri Atjoni si vazhdim të tyre, por më të njëmendtin, besoj. Në fakt, në takimin e tij ai ishte pa mua, por me mamin e tij. Ndoshta të gjitha këto copëra takimesh përbëjnë një të vetëm, kështu do të më pëlqente ta quaja, në copëra kohësh të ndryshme, të pangjashme, të përjetuara nga mosha të ndryshme. Siç thashë, unë e kisha takuar atë edhe kur nuk e kisha takuar, atëherë kur ishte rrezik, kështu më dukej dhe kur e takova, sikur nuk e kisha takuar, kishte qenë më i fortë mostakimi. Takimi i Atjonit ishte përmbyllës.
Do të desha të dija se ç’mund të kishte shtuar im bir, si mbresë, si perceptim, se nuk ishte një takim i zakonshëm, sipas meje. Vërtet do të ketë qenë mbresëlënës, rrezëllitës, rast fatlum për një student, por me sa ndikim tek ai!
Çfarë gjeniu! – ishte e pritshme të thuhej në një rast kësisoj, kurse im bir e kishte thyer këtë pritshmëri duke e parë ndryshe. Në fare pak kohë. Që as mund të quhej kohë. Dhe për kë kështu? Për një personalitet botëror, me famë. Po më pëlqente skajshëm gracka ku po bija.
Dhe m’u rikthye pyetja e tij. Përgjigjen po e ndieja jo vetëm si detyrë, por dhe si mundësi për ndonjë krijim. Si një shkak, sepse po e tregoj qysh në fillim, Atjoni më kishte thënë, ashtu shkujdesur, që pse nuk bën një libër me… dhe kjo për mua u shndërrua në porosi… sublime.
DENONCIME
TË FSHEHTA…
“…Bashkëpunëtori “Flaka” në datën 25.2.1974 informon se Visar Zhiti, student i vitit të tretë gjuhë-letërsi, merret me përkthime të poezive të poetëve hermetikë nga rusishtja si të Jevtushenkos, të poezive me theksa pesimistë të shkrimtarit francez Pol Eluar, të poetit spanjoll Federiko Garcia Lorka, të poetit turk Nazim Hikmet”…
U trondita kur e lexova, megjithëse kishin kaluar vite, ishte ndërruar shekulli dhe kishte ardhur një mijëvjeçar tjetër e perandoria komuniste kishte kohë që kishte rënë.
Po shfletoja tani vonë dokumente, të nxjerra nga Autoriteti i Dosjeve, institucion i krijuar rishtazi, që, sipas kërkesës, të jep materiale nga arkivat sekrete të shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të burgjeve, të dënimeve etj. Pra, isha denoncuar qysh student, nga ndonjë shok mes nesh. “Flaka”? I kujt mund të ishte denoncimi? Pseudonimi i gjithkujt? Jo, jo, më vinte keq dhe turp ta pranoja. Ishte i askujt. Doja ta ruaja imazhin e shokëve, të atij sinqeriteti e gëzimesh të varfra të asaj moshe… sa të tim biri tani, sa shokë të mirë e të sinqertë që janë ata… nuk doja ta pranoja spiunin në dhomën time, le të mbetej jashtë, as në auditor, as në bisedat në ndonjë bar në muzg, teksa me naivitet do të kem treguar: shiko ç’kam përkthyer… si shkruhet andej dhe si shkruajmë ne… E ai, çfarë më tha? Ku shkoi më pas? Natën. Dërgoi letër apo takoi operativin? Ku? Pas mureve të Institutit apo në rrethinë? Takimi pranë WC-ve të… Të ketë raportuar me dashje apo e shtrënguan? Iu djersit balli? Iu turbullua vështrimi? E zuri gjumi më pas? Si do të ketë dalë në provime? Po me mua a do të jetë takuar përsëri?
Si fillim i shkresës nxinte një tjetër denoncim, po kundër meje, “i depozituar” nga “Pena e artë”. E i kujt do të qe ky pseudonim vezullues, i ndonjë shkrimtari? Po tani ku është, deputet apo ka ikur fare? Pikë e zezë!… Po unë kam marrë dhe një çmim tani me këtë emër… A ta kthej si dekoratën e presidentit?… Pastaj më poshtë vinte “Flaka” për Jevtushenkon…
Dhe poshtë e më poshtë, sikur zbritej shkallëve të ferrit, një denoncim i tretë: Bashkëpunëtori “Rozafati” me datën 25.2.1974 informon: … “është fjala për disa shfaqje hermetizmi në shkrimet e disa studentëve, që u lënë shkas interpretimeve jo me partishmëri. Kështu ka ndodhur me studentin Visar Zhiti, i cili shkroi një poezi me këtë frymë dhe kjo u afishua te stenda e rrethit letrar të institutit, më vonë u hoq, por çfarë u bë me të, u diskutua apo jo nuk e dimë”.
Mbaronte faqja e parë. Ky duhej të ishte denoncim pedagogu, me pseudonim legjendar. O Zot, cilët na paskan mësuar ne, ata që na kanë vrarë…!
Komentet