Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e Rexhep Selimi janë liruar nga aktakuza për rrahjen e kolegut të tyre nga Partia Demokratike e Kosovës, deputetit Bekim Haxhiu. Kurse me gjashtë muaj burg me kusht, është dënuar Besart Bujupi, po ashtu i përfshirë në këtë rast.
Vendimi është shpallur nga gjyqtari i rastit, Vesel Ismajli i cili ka thënë se nuk është arritur të vërtetohet më prova bindëse se të akuzuarit Visar Ymeri dhe Rexhep Selimi kanë kryer veprën penale dëmtim trupor.
Ngjarja ka ndodhur më 28 qershor të vitit 2012 gjatë një pauze, ku pas një debati në Kuvendin e Kosovës kishte ardhur deri te përplasja mes këtyre deputetëve.
Në këtë rast është i përfshirë edhe ish-deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, por ai ndodhet jashtë Kosovës kështu që procedura ndaj tij mbetet e veçantë.
Komentet