VOAL – PRISHTINË, 9 NËNTOR – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visa Ymeri, në një status të tij menjëherë pas zhvillimeve të sotme në UNESCO: “Mospranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO është një lajm i keq për ne dhe njëkohësisht indinjues. Fatkeqësisht Asambleja e kësaj agjencie të OKB-së, agjenci kjo që është e thirrur t’i mbrojë dhe çojë përpara vlerat e të drejtat universale për zhvillim kulturor e arsimor të popujve, sot vendosi bazuar në partikularitetin e interesave të ngushta mes shteteve të caktuara dhe avancimit hegjemonist të Serbisë dhe Rusisë.
Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar. Sa më të urtë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, aq më e egër ajo ndaj nesh. Prandaj me të nuk mund të merremi vesh e të dialogojmë pa ndryshuar thelbësisht njëherë ajo. E, aq më pak t’ia plotësojmë kërkesat në Kosovë.
Megjithë rezultatin negativ për Kosovën gjejmë rastin të falenderojmë përzëmërsisht Republikën e Shqipërisë, Ministrat Bushati e Kumbaro, si dhe vendet mike që sinqerisht e mbështesin Kosovën.”
Komentet