Punimet për të rindërtuar një shkollë të dëmtuar nga tërmeti i pesë vjetëve më parë në Durrës të Shqipërisë, nxorën në dritë një pasuri të rrallë arkeologjike për këtë vend.
Sipas arkeologëve, bëhet fjalë për një vilë dymijëvjeçare.
Arkeologu me përvojë që udhëheq punimet, Luan Përzhita, thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri tash, aty janë zbuluar katër mozaikë.
Si erdhi deri te zbulimi?
Zbulimi i këtij vendbanimi ndodhi krejt rastësisht, ndërsa punohej për të rindërtuar Shkollën “Gjergj Kastrioti”, e cila u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, që goditi kryesisht Durrësin.
“Aty ishin të pranishëm arkeologë, pasi Ligji i trashëgimisë kulturore në Shqipëri obligon që ndërtimet të mos bëhen pa testimet arkeologjike. Sapo u shfaqën gjurmët e këtij vendbanimi, menjëherë u bllokuan punimet dhe nisi gërmimi arkeologjik”, thotë Përzhita.
Shkolla që u shkatërrua nga tërmeti, ishte ndërtuar në vitet ‘70 dhe nuk i përballoi lëkundjet e forta.
Një pjesë e saj, thotë arkeologu, ishte e ndërtuar mbi këtë vendbanim të hershëm.
Bllokimi i punimeve në shkollën e re u bë në tetor të vitit 2023. Më pas, zona u mor në ruajtje nga shteti dhe ka një muaj e gjysmë që po punohet për të zbuluar se çfarë fshihet brenda.
Përzhita thotë se në gërmimet dhe konservimin e objekteve të gjetura, po punojnë 22 persona, të ndarë në dy ekipe: arkeologë dhe restaurues.
Zbulimi i parë ishte një mozaik i brendshëm, që dha sinjale se zona prej 1.200 metrash katrorë mund të nxirrte në dritë gjetje të tjera arkeologjike.
“Vila e zbuluar apo vendbanimi luksoz i përket fundit të shekullit të parë të erës sonë, fillimit të shekullit të dytë. Këto janë të dhënat e deritanishme”, thotë Përzhita.
“Është një vilë shumë luksoze, e pajisur me disa mozaikë. Vetëm pak ditë më parë e kemi zbuluar të katërtin”, thotë ai.
Si duket vila e zbuluar?
Sipas arkeologut, vila është e organizuar me tarraca, ambiente të ndenjës, pishina e të tjera, ndërsa janë zbuluar edhe shumë kanale të qarkullimit të ujit, si dhe kanali kryesor që e derdhte atë në det.
Ai thotë se, në bazë të të dhënave të deritanishme, ky monument ka kaluar në disa faza.
“Ka pasur një shkëlqim deri në vitet 180 – kohë kur ka rënë një zjarr që e ka shkatërruar thuajse gjithë pjesën e vilës. Pastaj, është bërë rindërtimi i saj në fund të shekullit të tretë, fillim të shekullit të katërt, kur edhe vila e ka humbur shkëlqimin e saj dhe nuk është përdorur më si ambient banimi, por është kthyer në punishte për punime qeramike”, shpjegon Përzhita.
Më vonë, sipas tij, një tërmet i vitit 334 e ka shembur përfundimisht vilën, sepse ka qenë shumë i fuqishëm.
Ai thotë se në fund të shekullit të 5-të jeta në këtë territor është rikthyer, por një tërmet i 517-ës, pastaj, e ka shuar sërish.
“Pra, ky monument ka kaluar dy tërmete në shekujt e parë, ndërsa i treti, ai që ka rënë më 26 nëntor, 2019, në Durrës, e ka zbuluar atë”, thotë Përzhita.
Ai tregon se mozaiku i brendshëm i vilës është i krijuar me ‘tesera’ ose kokrriza të vogla guri “që nuk i kalojnë 6 mm katrorë”.
“Janë me mijëra të tilla dhe krijojnë një dekor, që ka figurën gjeometrike të hekzagonit. Kjo figurë është përdorur në mitologji si një figurë që lidh botën e përditshme me atë të përtejme”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Arkeologu tregon, po ashtu, se mozaikët e jashtëm kanë lindur si produkt në shekullin e parë para erës sonë në Mesdhe dhe se janë përhapur gjatë shekullit të parë të erës sonë.
“Janë shumë të kushtueshëm. Teknikisht bëhen me pluhur tulle dhe gëlqere të stazhionuar, mbi të cilën vendosen guralecë që e dekorojnë. Janë të bardhë, të zinj, blu, që krijojnë katrorë të ndryshëm shumë të këndshëm”.
“Ambiente të tilla të jashtme, në formën e pishinave, janë të kornizuara me afreske shumëngjyrëshe, që kapin një lartësi prej 60 cm mbi nivelin e mozaikut. Kemi zbuluar edhe shumë bazamente të vendosjes së kolonave, që me siguri kanë qenë të ngritura në lartësi dhe kanë krijuar ato kopshtet e famshme të asaj kohe”, thotë Përzhita.
Ngjashmëri me zbulimet në Pompei
Arkeologu thekson se shihen ngjashmëri të shumta edhe me zbulimet në qytetin antik në Itali, Pompei, ndërsa ky vendbanim kaq luksoz, sipas tij, është i vetmi në Shqipëri i zbuluar deri tani.
“Ngjashmëria qëndron në kohë, në periudhën që daton ndërtimi i tyre, dhe tek afresket e zbuluara, pikturat e asaj kohe, ngjyrat dhe mënyra e realizimit të tyre”, thotë Përzhita.
Një vilë e ngjashme me atë në Durrës, e njohur si Vila Diaporti, Përzhita thotë se është zbuluar edhe në Liqenin e Butrintit – ka pak a shumë të njëjtën sipërfaqe, por jo të njëjtin luks, sipas tij.
“Vila si kjo në Durrës janë të ndërtuara nga ajka e shoqërisë së saj kohe. Një të tillë mund ta bënin super të pasurit. Gjatë gërmimeve, mbase, gjejmë edhe shënime se kujt i përkiste vila, cilës familje. Por, deri tani, nuk e dimë”, thotë ai.
“Aktualisht, jemi në katin e dytë. Na duhen edhe tri metra e gjysmë gërmime për të kaluar në kat të parë”, thekson arkeologu.
Ai tregon se, shumë shpesh, gjatë punimeve kanë tërhequr edhe vëmendjen e turistëve, kryesisht të huaj.
“Jemi në një pozicion që shihemi nga lart. Shumë turistë na shohin nga lart dhe bëjnë fotografi. Ka edhe kolegë arkeologë nga Italia, Gjermania, Franca, që kanë ardhur të na shohin dhe e vlerësojnë zbulimin”, thotë Përzhita.
Projekti mbyllet më 23 qershor dhe Përzhita kërkon investime të tjera që këto gjetje që janë më të rejat në Shqipëri, të ekspozohen edhe për zhvillimin turistik. REL