Postimi i parë në Facebook i kryeministrit Rama pas video-skandalit të kryetarit të Bashkisë së Dibrës lidhej sërish me një video, e cila tregon një të ri që rrëfen se si ai aplikoi tek zyra e punës me sukses.
Duket se kryeministri problemin e vërtetë e sheh tek goditja që i bën kjo video, skenarit propagandistik qeveritar që në tre muajt e fundit ka në epiqendër të tij arritjet e rilindjes me punësimin.
Rama vetë i ka kushtuar një vëmendje të posaçme kësaj propagande, i vetëdijshëm se në zgjedhjet e vitit tjetër, do duhet të tregojë se çfarë ndodhi me premtimin e qeverisë së tij për 300 mijë vende të reja pune.
I gjendur që në ditët e para të pushtetit nën skepticizmin e emërimit të drejtoreshave pa rekorde apo të administratorëve e përfaqësuesve me implikime kriminale, Rama nisi një fushatë të gjerë propagandistike e cila synonte të zhvendoste problemet e emërimit të drejtorëve drejt sukseseve dhe panaireve të punës.
Aq agresive u bë kjo propagandë sa ministri i Punës Blendi Klosi dhe vetë kryeministri nisën të bënin dhe përcaktime për shqiptarët duke i quajtur dembelë apo të pakualifikuar siç duhej.
Jo më larg se një javë më parë Rama përsëriti të njëjtën ide dhe në panairin e radhës që u hap në Tiranë.
Publikimi i video-skandalit të Shukri Halilit nga ana tjetër; ishte një goditje e hidhur dhe pa ekuivok që ja ka ngushtuar mundësitë kryeministrit për të luajtur me tezën e punësimit në muajt e ardhshëm elektoralë.
Tani ai do e ketë vërtetë të vështirë të deklarojë publikisht se ‘shqiptarët janë dembelë’, pasi përgjigja që do marrë do jetë Shukriu dhe deviza e tij për t’u punësuar me brekë nëpër këmbë. / HashtagAL
Komentet