Një grup ish të përndjekurish politik kanë hyrë në ditën e tretë të grevës së urisë në ish-burgun e Qafë Barit. Ata kërkojnë me anë të kësaj greve tu njihen një sërë të drejtash të cilat i kanë përmbledhur në 8 pika kryesore. Greva që ishte planifikuar të zhvillohet në Tiranë, tashmë është vendosur në një zonë shumë larg Tiranës, vend që në fakt ka simbolikën e jetës së tyre dhe të gjithë atyre që s’janë me ta por që i mbështesin nga kudo që ndodhen në botë. Në fakt historia e protestave, grevave dhe pakënaqësive me të gjitha qeveritë për shkak të dëmshpërblimeve që nuk u janë dhënë ndër dekada është e gjatë.
Shpesh ish-të përndjekurit u bënë objekt nga të gjitha palët politike pasi ën zgjedhje gjithmonë u përdorën si mbartës votash të shumta dhe asnjëherë nuk u mbajt premtimi për shumë prej kërkesave të tyre. Duke iu referuar të dhënave të dala nga organizatorët e grevës së fundit bëhet me dije se mes tyre ka patur debate lidhur me kohën kur kanë vendosur të hyjnë në këtë grevë. Kundërshtuesit kanë pretenduar me të drejtë se greva është në kohën e paduhur për shkak se do të lexohet se grevë e shtyrë politikisht, por në fakt ata këmbëngulin që nuk kanë lidhje me asnjë parti politike por kërkojnë të drejtat e tyre në këto pragzgjedhjesh të drejta që u janë mohuar ndër vite.
Kërkesat
1. Ndryshimi dhe përmirësimi i ligjit që përjashton, persekuton dhe diskriminon qindra të ish-të burgosur politik (2007-2009 e në vijim)
2. Përfshirja e letrave me vlerë në dëmshpërblimin financiar
3. Kthimi i parave të mbajtura në faturën e dëmshpërblimit nga përfitimi falas i banesave nga shteti për kategorinë tonë
4. Kompensim fizik e material të pasurive të konfiskuara, pronat dhe tokat bujqësore të grabitura nga diktatura e ligjit 7501
5. Njohja me projektligj dhe vlerësimi i punës së papaguar të të gjithë të dënuarve dhe të përsekutuarve politik
6. Status të veçantë pakete ligjesh për pensionet duke u dëmshpërblyer të gjithë të dënuarit pa avokat mbrojtjeje
7. Financa të ligjëruara për sëmundje profesionale të fituar dhe trashëguara nga puna e rëndë e me pasoja në miniera, këneta etj
8. Vlerësimi i krimeve të komunizmit si krime kundër njerëzimit, në përputhje me praktikat ndërkombëtare të shteteve ish-komuniste
Komentet