Ish-i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi gjatë presidencës Trump, në një intervistë për Human Events në qershor të këtij viti, zbuloi disa prapaskena sipas tij, nga marrëvshjet e diskutuara mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit në vitin 2020.
Richard Grenell thotë edhe arsyen që sipas tij çoi në burgosjen e Thaçit në Hagë.
Grenell thotë se burim ka qenë marrëveshja që do arrihej për mbylljen e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.
“Një nga pikat që kam negociuar për muaj të tërë ishte se ne do t’i jepnim fund Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë që po ndiqte qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Prokurori i mëparshëm, para Jack Smith që ishte në Hagë, tha se ne po i mbyllim ndjekjet penale dhe unë nuk po padis askënd sepse kanë kaluar 20 vjet dhe nuk mund të dal me një çështje bindëse për të paditur dikë.
Pra, mbani mend se personi para Jack Smith hoqi dorë dhe nuk publikoi asnjë aktakuzë pas vitesh dhe vitesh ndjekjeje penale.
Unë isha duke negociuar marrëveshjen (Kosovë-Serbi) dhe një nga pikat e marrëveshjes ishte që të hiqeshin gjykatat e ashtuquajtura Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Vendosa që një nga pikat do të ishte që ndjekjet penale të kryheshin në vendet respektive.
Kështu që nëse do të ishte një krim i Kosovës të ndiqej në Kosovë, krimet serb në gjykatat në Serbi. Në Kosovë ne kemi dhënë miliona e miliona dollarë për të trajnuar njerëz. Ishte koha që ata ta bënin vetë dhe t’i jepnim fund kësaj Gjykate Ndërkombëtare ku Jack Smith ishte prokurori”
Më pas, Grenell thotë se telefonoi Bruce Shwartz të Departamentit të Drejtësisë përgjegjës për gjykatat ndërkombëtare për t’i thënë mbi marrëveshjen që do mbyllte Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
“Vendosa të informoj Departamentin e Drejtësisë dhe t’i bëj të ditur se palët do të binin dakord për të mbyllur gjykatën në Hagë. Bruce Schwartz ishte personi në Departamentin e Drejtësisë përgjegjës për gjykatat ndërkombëtare.
Më 29 janar 2020, i lashë një mesazh dhe ai më telefonoi dhe folëm. Unë ende e kam mesazhin, ne folëm për mbylljen e gjykatës. I thashë: “hej Bruce, që ta dish, palët ranë dakord ta bënin këtë”.
Reagimi i tij ndaj meje ishte i pabesueshëm, ai u përgjigj: “oh jo jo jo jo nuk e di nëse mund ta bësh këtë”.
“Ju e dini që do më duhet të lajmëroj prokurorët amerikanë atje”, dhe unë i thashë “mirë shkoni dhe lajmëroni prokurorët amerikanë, por të dy palët kanë rënë dakord për këtë dhe ata po vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe ne do ta bëjmë këtë pas disa muajsh, sepse ne jemi duke përfunduar negociatat”, shpjegon Grenell.
Grenell beson se arsyeja e vetme që ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është tani në burg është se marrëveshja do i mbyllte punën prokurorit Jack Smith. Sipas tij prokurorin e lajmëroi Bruce Schwartz i Departamentit të Drejtësisë.
Ai thekson se menjëherë sapo u lajmërua, përpara se Thaçi të shkonte në Shtëpinë e Bardhë për të firmosur marrëveshjen që i jepte fund Gjykatës në Hagë, Jack Smith e ndoqi penalisht Thaçin.
“Unë nuk e di saktësisht se çfarë bëri Bruce, ai telefonoi Jack Smith, sepse ai tha: “Njeriu ynë Jack në Hagë duhet ta dijë këtë” dhe kjo ishte brenda disa muajsh kur presidenti i Kosovës po negocionte në njërën anë dhe presidenti i Serbisë në tjetrën.
Kur presidenti i Kosovës ishte nisur për në Uashington DC për të përfunduar negociatat për këtë marrëveshje, Jack Smith shpalli aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës. Ai shpalli një aktakuzë që ishte thjesht politikë e 20 viteve më parë.
Lufta e 20 viteve më parë ishte e mbushur me emocione po problemi këtu është se presidenti i Kosovës është ende në burg pas gjithë këtyre viteve, pas tre vjetësh.
Tre vjet burg për shkak se Jack Smith e ka paditur dhe jam shumë i bindur se kush është e vetmja arsye që presidenti i Kosovës u padit nga Jack Smith në Hagë. Pasi prokurori i mëparshëm tha se nuk kishte asgjë atje, ai tha se do të largohet dhe se nuk do të ndjekë penalisht askënd.
Arsyeja e vetme që ai (Jack Smith) e bëri këtë është sepse Bruce Schwartz në Departamentin e Drejtësisë e informoi atë se ne do t’i mbyllnim punën e tij. Ne do të hiqnim qafe Gjykatën dhe se të dyja palët, Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord ta bënin këtë, dhe unë i thashë atij se Shtetet e Bashkuara do ta çonin këtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe do të shpëtonin nga Gjykata Ndërkombëtare (ICTY).
Ju thashë se ajo që bëri Bruce Schwartz, jam shumë i sigurt se informoi Jack Smith dhe më pas Jack Smith u përpoq të bënte një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës i cili ende qëndron në burg”, deklaroi Grenell.
Më tej Grenell bën edhe një deklaratë të fortë duke thënë se Thaçi dhe Vuçiç ishin duke negociuar edhe për heqjen e trupave të NATO-s nga Kosova.
Ai e shpjegon këtë duke thënë se në 2020 palët ishin duke përparuar në përmirësimin e marrëdhënieve sa po mendonin dhe largimin e trupave nga Kosova.
Por sipas Grenell, me ardhjen e Biden politika e SHBA-ve ndryshoi dhe tashmë situatën në dorë e kanë europianët që kanë sjellë vetëm kaos.
“Pra, ajo që ai (Jack Smith) bëri, në thelb ishte një kontratë e re për jetën e tij, sepse nëse do të anulonim gjykatën, ata nuk mund të ishin numri një, pas kësaj ata kishin nevojë për diçka të profilit të lartë.
Ai donte që jo vetëm që të vazhdonte gjykatën, por sigurisht të pasuronte rezymenë e karrierës së tij, për të qenë në gjendje të thoshte “shikomëni mua, kam ndjekur penalisht presidentin e Kosovës”.
Unë mendoj se një pikë tjetër është se urrejtja e tij për Donald Trump. Nëse i ktheni një vështrim lajmeve menjëherë përpara aktakuzës, lajmi ishte shumë i qartë se Donald Trump dhe ekipi i tij po bënin lëvizje të paprecedentë për të pajtuar Kosovën dhe Serbinë.
Mos harroni se kjo ishte marrëveshja e katërt që Donald Trump bëri mes Kosovës dhe Serbisë, ne kishim marrëveshje ekonomike që të dyja palët po i shtynin.
Më duhet të jem i sinqertë me ju, do të jap një lajm të vogël dhe do t’ju them këtë: Ne diskutuam mes Kosovës dhe Serbisë idenë e mundshme për të hequr qafe forcat e NATO-s në Kosovë sepse ne po bënim kaq shumë përparim në vitin 2020.
Ky do të ishte një zhvillim madhor. Ato kanë qenë atje që nga vitet 1990 duke pritur që ta bëjmë këtë.
Ne po bënim kaq shumë përparim, por atëherë kur ekipi i Biden-it erdhi në ata vendosën të ndryshonin politikën e SHBA-së në Ballkan.
Tani që për tre vitet e fundit evropianët kanë qenë në kryene shohim kaos, shohim dhunë, shohim luftime dhe shohim një rritje të pranisë së trupave në Kosovë në vend të një rënieje”, përfundoi Grenell.
Titulli është i Ditës, përkthimi nga Hashtag
/ dita