Senatori i mirënjohur Robert Menendez është Kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan. Ky komitet ështëi një nga më të fuqishmit dhe më prestigjiozët në Senat, për shkak të historisë së tij të gjatë, ndikimit të gjerë në politikën e jashtme të SHBA-së, juridiksionit mbi të gjitha nominimet diplomatike dhe si i vetmi Komitet i Senatit që diskuton dhe konfirmon traktatet ndërkombëtare.
Doktor i Jurisprudencës, Senatori Menendez ka qenë në shërbimin publik të popullit amerikan për pesëdhjetë vjet dhe ka mbajtur poste të ndryshme të rëndësishme. Me njohurinë dhe përkushtimin e tij për të drejtat e njeriut kudo në botë mund të krahasohet me kongresistin legjendar Tom Lantosh. Si fëmijë i një familje emigrantësh ikur nga Kuba e kupton fare mirë ndjekjen e njerëzve të pafajshëm nga regjimet komuniste dhe fashiste si Kuba dhe Serbia.
Fjalimi i tij në takimin me komunitetin shqiptaro-amerikan, të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga heronjtë e gjallë të kombit shqiptar Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi ishte historik. Qëndrimet e tij ishin të qarta, të arsyeshme, të argumentuara, të drejta dhe të forta. Njohuritë e tij, edhe në detaje, për konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës janë mbresëlënëse.
“Zgjidhja e përhershme nuk mund të arrihet me vendime të këqija afatshkurtra”, tha Menendez. “Kosova e ka pranuar planin e Ahtisaarit dhe të njëjtën duhet ta bëjë edhe Serbia. Kushtetuta e Kosovës në bazë të këtij plani garanton të gjitha të drejtat e pakicës serbe. Ka edhe keqpërdorime nga ana e tyre, në komunat me shumicë serbe nuk mësohet gjuha shqipe, ndërsa në ato me shumicë shqiptare mësohet serbishtja”.
“Paqja arrihet me njohjen e Kosovës nga Serbia, jo me asociacion një-etnik, i cili krijon përçarje etnike dhe minon funksionimin e shtetit. Njohja e pavarësisë është e para, gjithçka tjetër është e lidhur dhe mund të zgjidhet me të. Kjo nuk është e mirë vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin, si dhe për interesin kombëtar dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.