KUMANOVE– Mediat maqedonase kanë publikuar momentin kur makina përplas për vdekje fëmijën 4-vjeçar në Kumanovë. Varrimi i Almirit 4-vjeçar u bë ditën e shtunë ndërsa sot pritet të mbahen protesta në të cilat do të kërkohet drejtësi dhe dënim maksimal për atë që kishte bërë shkeljen e tij, maqedonasin Boban Iliç, i cili tanimë gjendet në paraburgim.
Për vrasjen e Almirit 4-vjeçar kanë reaguar qytetarët, subjektet nga Maqedonia dhe nga jashtë, institucionet, por edhe i gjithë opinioni i gjerë.
Sedat Aliu, babai i Almirit 4-vjeçar i cili u vra mizorisht pak ditë më parë nga një shtetas maqedonas në spitalin e Kumanovës, ka rrëfyer për “Telegraf”, ngjarjen e rëndë që i mori jetën të birit.
“Ishim në spitalin e Kumanovës duke pritur radhën për t’i dhënë djalit një injeksion. Në ato momente erdhi një rast urgjent dhe ne i dhamë përparësi. Këtë gjest njerëzor nuk e mirëpriti B.I., i cili po priste njëjtë në radhë. Madje ai, i revoltuar thirri në telefon përforcime për të më sulmuar mua me familjen”, – ka thënë Aliu.
“Në këto rrethana m’u desh edhe mua të thërras vëllaun dhe nipin tim. Pasi dolëm jashtë, ata kishin qenë duke na pritur të armatosur. Morën hov dhe na goditën së pari me makinë të tipit ‘Mercedes C200’. Na mbështetën për muri. Djalin tim e bëri copa, gruas dhe mua na shkaktoi lëndime të rënda, ndërsa më pas dolën nga vetura duke na rrahur me shkopinj bejsbolli. Këtu e pësuan rëndë edhe vëllai im A.A. dhe nipi im S.D., të cilët gjendet njësoj në gjendje të rëndë në Spitalin e Shkupit”, – është shprehur babai i 4-vjeçarit, vdekja tragjike e së cilit ka shkaktuar një zemëratë të përgjithshme veçanërisht te shqiptarët e Maqedonisë.
“Pikë së pari, ju faleminderit të gjithë shqiptarëve që kanë qenë masivisht në varrim, ju faleminderit të gjithëve! Për momentin kemi përkrahjen e gjithë familjes, shokëve, dashamirëve. Nuk di si ta përshkruaj, po Zoti deshti kështu, dhe ashtu edhe u bë!” – tha Sedat Aliu, babai i katërvjeçarit Almir Aliu. Sedat Aliu thotë se kjo ishte një vrasje e qëllimshme, ndaj pret që Boban Iliç të marrë dënimin maksimal. “Ne presim prej organeve, institucioneve të shtetit që krimineli të marrë dënimin e merituar, maksimalisht”, – thekson prindi i Almirit, Sedat Aliu.
Mijëra qytetarë përcollën dy ditë më parë në banesën e fundit Almirin e vogël, në varrezat e qytetit në Kumanovë. Miq, dashamirës e bashkëqytetarë trokitën në derën e familjes Aliu, në ditën e parë të pritjes, për të ndarë dhimbjen së bashku dhe për t’u shprehur ngushëllime për humbjen e pakompensueshme.
Në rrjetet sociale, qytetarë të thjeshtë kanë bërë postime nën hashtagun #WhoIsAlmir4, në të cilat shprehin sensibilizimin e tyre për ngjarjen e rëndë, e cila fillimisht u përcoll si një aksident dhe më pas rezultoi se mund të kishte sfond etnik. Vrasja mizore e Almirit 4-vjeçar nga Kumanova nga maqedonasi Boban Iliç ka shkaktuar reagime të shumta dhe revoltë në Maqedoni. Në disa fletushka që po shpërndahen në Kumanovë dhe në rrjetet sociale, paralajmërohen protesta ditën e sotme në Kumanovë. Marshi protestues do të fillojë para gjimnazit “Sami Frashëri” dhe do të mbarojë me bllokimin e rrugës ku ndodhen institucionet e gjykatës, komunës dhe stacionit policor.
Komentet