Familjarët e 27 vjeçarit Jani Rustemi i cili ndërroi jetë në ambientet e Reanimacionit të QSUT të shtunën, kanë protestuar para Ministrisë së Drejtësisë. Teksa kërkojnë të vendoset drejtësi dhe të zbardhet e vërteta e vdekjes së 27-vjeçarit, ata pretendojnë se i riu është dhunuar nga policia.
SYRI TV
Familjarët e Jani Rustemit i cili u arrestua për vjedhjen e një tapeti dhe ndërroi jetë në ambientet e spitalit të QSUT pasditen e së shtunës, kanë protestuar para Ministrisë së Drejtësisë.
“Duam të drejtën kush na e ka vrarë. Duam drejtësi. Po na vret shteti. Ju lutem shqiptarëve, sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë një tjetri, të çohemi të gjithë për të drejtat e fëmijëve tanë, motrave tanë. I bëj thirrje kryeministrit të bëjë drejtësi”, tha kunati i Rustemit, Lulzim Mehmeti.
Ata pretendojnë se i riu është dhunuar nga policia, ndërsa kërkojnë të zbardhet e vërteta e vdekjes së 27-vjeçarit.
“Kontrollova djalin dhe ka pasur dhëmbin e thyer dhe pjesën e veshit të nxirë. Në Spital nuk na lejonin ta shikojmë. Nuk e dimë se s’na lejonin ta shohim. Do të vazhdojmë protestat dhe do të kërkojmë të drejtën kudo. Policia nuk ka të drejtë të prekë një njeri me dorë. Çfarëdolloj krimi të kenë bërë. Askush s’ka të drejtë të dhunojë askënd”, tha e ëma e të riut që humbi jetën.
Jani Rustemi u arrestua më 12 prill dhe dy ditë më pas, më 14 prill shfaqi probleme shëndetësore.
Gjendja iu përkeqësua më 17 prill, ndërsa u shtrua në spital më 19 prill.
Për rreth 1 muaj ai ka qëndruar në gjendje kome, deri ndërroi jetë të shtunën e 20 majit në orën 16:20 në Reanimacionin Qendror në QSUT, atu ku ishte shtruar.
Të riut dyshohet se i është dhënë dozë më e lartë metadoni, çka mund të jetë bërë shkak për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të tij, që e coi deri në humbje jete.
E teksa prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për vdekjen e 27-vjeçarit Jani Rustemi, ngjarja është mbushur me pikëpyetje të shumta dhe mbetet ende mister.