Bindja e përgjithshme e specialistëve të shëndetit publik fillimisht ishte se COVID-19 prek të moshuarit, por realiteti i muajve të fundit e ka rrëzuar këtë bindje. Drilon Burda dhe Valbona Burda, një çift shqiptaro-amerikan me banim në Nju Jork, megjithëse në moshë të re dhe shëndet të mirë, kanë kaluar dhjetë ditë të vështira që pas diagnostikimit me COVID-19. Në një bisedë me kolegen Ardita Dunellari, Driloni shpjegon se në rastin e tyre, mosha e re u bë pengesë për të marrë vëmendjen e duhur mjekësore pasi sistemi shëndetësor në Nju Jork është mbingarkuar nga epidemia:
Zëri i Amerikës: Drilon, sa kohë t’u bënë në karantinë?
Drilon Burda: Kemi që në datën 29 mars që jemi në karantinë. Simptimat e para filluan që atë ditë. Ishte e çuditshme, të dy brenda një dite. Të dielën me datë 29 filluam me simptoma, me temperaturë. Dhe kishim shumë ethe. Mbas orës 7 pasdite ethet ishin shumë të theksuara; kam vënë dy-tre batanije se nuk rrija ngrohtë. Dy ditë e para ishin me temperaturë dhe ethe. Pastaj më kaloi në dhimbje koke dhe dhimbje trupi, sikur na kishte rrahur njeri, sic i thonë, sidomos nga shpatullat. Një ditë më kapi edhe dhimbje mesi. Tani kemi rreth gjashtë ditë që kemi humbur edhe shijen.
Zëri i Amerikës: Si u diagnostikuat?
Drilon Burda: Morëm në telefon në Nju Jork dhe nuk na pranuan për test sepse deri tani nuk kanë shumë dhe i ruajn për raste emergjente. Ne nuk konsideroheshim rast emergjent për t’u testuar dhe gjithashut ngaqë nuk punojmë në spitale dhe nuk na dhanë afat kohor për të bërë një test. Biseduam me doktorin, na tha “Ju e keni. Rrini në shtëpi. Besoj se jeni të shëndetshëm, nuk duhet të keni probleme. Monitorojeni dhe në qoftë se keni probleme nga frymarrja, duhet të shkoni në urgjencë”.
Zëri i Amerikës: Drilon, ju jeni çift i ri. A keni pasur probleme shëndetësore ekzistuese që mund t’ju vinin në rrezik për t’u prekur nga kjo sëmundje?
Drilon Burda: Ne jemi rreth 37 vjeç, nuk kemi pasur probleme shëndetësore. Megjithatë, njohim edhe njerëz të tjerë që, si ne, nuk kanë pasur probleme shëndetësore por kanë bërë grafi dhe kanë dalë me pneumoni.
Zëri i Amerikës: A i keni ndjekur udhëzimet? Si mendon që e morët infeksionin?
Drilon Burda: Ne i kemi ndjekur shumë strikt, kemi tre javë, plus, që kemi qenë në shtëpi, pa dalë fare, thjesht kemi shkuar një ose dy herë për të bërë pazar duke ndjekur udhëzimet, me mbrojtëse, me doreza.
Zëri i Amerikës: Si çift i ri, më fëmijë të vegjël, cfarë vështirësish keni pasur, Drilon?
Drilon Burda: Unë punoj nga shpia. Duhet të merrja pushim nga puna. Fëmijët kanë filluar ta bëjmë programin mësimor nga shpia online. Kjo krijon problemet e veta, sepse duhet t’i ndjekësh gjatë punës, ndërkohë që ishim edhe të sëmurë. Na prishi ritmin e ditës, nuk bënin dot asgjë. Si nga gatimi, për fëmijët, për ne, problemet e tjera me fëmijë të vegjël, moshë gjashtë vjeç e tre vjeç.
Zëri i Amerikës: Çfarë këshille do t’u jepnit atyre që janë të rinj në këtë situatë?
Drilon Burda: Kjo sëmundje përcillet shumë shpejt, me anë të takimit, me një prekje të dorezës së derës, në rastin tonë ndoshta duke larë rrobat. Nuk e di se ku e morëm. Ju lutem, ndiqni rregullat, mos u rrini afër njerëzve të moshuar, apo njerëzve të sëmurë.
Komentet