Në një ceremoni private nën kujdesin e vajzave Mirelës dhe Edlirës, u bë përcjellja e Sekine Sharofi Athanas – Soliste dhe Prima balerina e Teatrit të Operas, një Grande Etoil në majën e hierarkisë së Baletit Shqiptar. Balerina shqiptare tani do të prehet pranë dashurisë së jetës, Tenorit të shquar Gjoni Athanas, dy Yje në konstelacionin e kulturës shqiptare.
Në video do të shihni një Prima Balerina absolute që interpreton për një Prima Balerina absolute – do të shihni Mjellmën Bijë me një interpretim brilant për Mjellmën Nënë – Skenë sublime – Art i pastër, dashuri e pastër, tronditje, dhimbje e lot margaritarë për cilindo që e sheh këtë moment kaq universal që duket sikur është një vazhdim i veprës të Saint-Saëns dhe Fokine, por që nuk e kishte parë askush, si një premierë e destinuar vetëm për yjet e mëdhenj të skenës që meritojnë lot, nderim dhe duartrokitje!
Interpretimi nga Edlira Athanas, dikur prima balerina e Teatrit të Operas e Vdekjes së Mjellmës – La Mort du cygne – nga suita Karnavali i Kafshëve – The Carnival of the Animals, e kompozitorit Saint-Saëns me koreografi të Michel Fokine – i ngjan skenave të një filmi Oskar, për realizimin e të cilave qendron një ekip i gjithë Artistësh, por në fakt aty gjithçka është reale, e vërtetë, e prekëshme ku në sfond ndihen ngeshërenjat, pra jeta reale e tejkalon edhe artin.
Në fjalët që shoqëron videon Mirela Athanas shkruan si më poshtë: “Edlira tha balerinat shprehin gjithçka me levizje, keshtu qe une dua t’i jap pershendetjen e fundit mamit me “Vdekjen e mjellmes” te cilen ajo e ka kercyer vete vite me pare dhe me pas ia ka mesuar Edlires. Te gjithe po lotonim me dhimbje te papershkruar…”
Ndërsa vetë Edlira Athanas Joseph i jep lamtumirëm me fjalët: “Goodbye Mami. This was my way of saying goodbye to you. My way of saying goodbye to a prima ballerina , my mentor, my hero, my mami… – Mirë u pafshim Mami. Kjo është mënyra për të të thënë mirë u pafshim. Mënyra ime për t’i thënë mirë u pafshim një prima balerine, mentores time, heroinës time, my mami…- ”
Voal.ch iu bashkohet në këtë dhimbje./ Elida Buçpapaj
U nda nga jeta Sekine Sharofi – Athanas Grande Etoil i Baletit Shqiptar – Lajmin e dhanë dy vajzat Mirela dhe Edlira Athanas