Bujar Tërstena
Masa të shtuara të sigurisë i përcollën përgatitjet e lojtarëve të Kosovës dhe atyre të Izraelit për ndeshjen që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Trajneri i Kombëtares së Izraelit në futboll, Alon Hazan, dhe kapiteni Eli Dasa, thanë se po ndihen të sigurt në Kosovë. Kjo ndeshje, kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024, do të jetë ndeshja e parë e ekipit të Izraelit që nga nisja e luftës kundër grupit radikal palestinez Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor.