Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj, i është drejtuar mbrëmjen e 28 korrikut me një mesazh të parë me video, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, me rastin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE dhe 100-vjetorin e miqësisë me SHBA-në.
Presidenti e ka publikuar sot në Fb me shënimin: “Mesazhi im për bashkëkombasit shqiptarë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe 100- vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Të dashur qytetarë,
E sotmja është një mbrëmje feste, pasi ri konfirmojmë rrugën e pakthyeshme evropiane dhe partneritetin me aleatin tonë prej një shekulli.
Jam i vetëdijshëm se 10 ditë më parë, me vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në rrugën që kemi zgjedhur, në rrugën e bashkimit në një federatë popujsh e kombesh që u krijua si bashkim vullnetesh – e vetmja në histori deri më sot – do të ketë ndryshime jo vetëm në rrafshin politik e shtetëror, por edhe në koncepte të tilla themelore si pavarësia e identiteti.
Duke promovuar identitetin tonë kombëtar, faktorin më të rëndësishëm historik e kulturor, që nuk njeh kufij dhe nuk ka pengesë për t’u lartësuar, shqiptarët do të jenë qytetarë dhënës në qytetërimin europian.
Jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë, dhe më shumë akoma, jam i vetëdijshëm për vështirësitë që do të na duhet të përballojmë.
Por, nëse punojmë të gjithë duke pasur në mendje dhe në zemër Shqipërinë, interesin kombëtar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë e të brezave të tjerë që do të vijnë, jam i bindur, se jo vetëm vështirësitë do t’i përballojmë, por atdheu ynë do të përparojë e zhvillohet.
28 korriku është një datë shumë e rëndësishme edhe për popullin shqiptar dhe atë amerikan, si dy popuj që i bashkojnë vlerat, parimet.
Në 100 vite, SHBA kanë qenë aty për ne, duke mbështetur cdo hap të Shqipërisë drejt transformimit demokratik dhe drejt rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nën modelin e demokracisë amerikane dhe unitetin e familjes evropiane, Shqipëria ka nevojë për përkushtimin tonë, ka nevojë për ndershmërinë tonë, ka nevojë për punën dhe besimin e të gjithëve ne, ka nevojë për dashurinë tonë.
Është koha t’ia japim ato pa asnjë rezervë, pa u lodhur, por me devocion e përkushtim.
Komentet