(Bashkwngjitur, video dhe evidenca të vjedhjes dhe manipulimit të votave të Delegatëve të Kuvendit të Vatrës 26 Shkurt 2022.)
Dje u bë një vit nga Kuvendi i Federatës Vatrra, i cili, siç e thonë të gjithë në Vatër ishte problematik dhe nuk arriti që t’i përfundojë punimet. Mbas një viti diskutimesh dhe debatesh nga ato të ashprat brenda strukturave, Vatra akoma nuk po gjen qetësinë e saj, kaq të nevojshme për anëtarët e saj vullnetmirë. Duke parë se Vatra vetë nuk po arrin që ta mposhtë të keqen brenda saj, po bëj këtë hap, duke ju drejtuar publikut shqiptar dhe sidomos atij shqiptaro-amerikan, që ta gjykojë dhe pse jo ta ndihmojë Vatrën në këtë situatë të vështirë që ndodhet. Mos harroni, Vatra është aset i të gjithë shqiptarëve.
Do të doja të gjej një fjalë më të butë, por nuk gjej më të përshtatshme se VJEDHJA e votes së delegatëve në Kuvendin e 26 Shkurtit, ishte në mes shumë të tjerash akti më i shëmtuar, i cili ka lënduar shpirtrat e vatranëve. Pa qenë brenda Vatrës, çdokush e ka të vështirë ta besojë që ky akt ka për protagonist kryetarin dhe nenkryetarin e Vatrës, që tashma po vërtetohet me zë dhe figurë.
Megjithëse Kryetari i Vatrës i ka bllokuar videot e Kuvendit, prapë ne mundëm që të sigurojmë disa pamje ku tregohet momenti i verifikimit dhe regjistrimit të mandateve tw delegatwve nga kryesia e Kuvendit, dhe pjesën e votimit të nenit për mandatin 4-vjeçar për kryetarin e vatrës, kjo e dyta e publikuar para disa ditësh nga vatrani veteran Lek Mirakaj. Aty, ju mund të shihni dhe degjoni, se si i hiqet vota njërit dhe i kalohet tjetrit, sikur të mos sihin vota por gurabia. Këto video i kam bashkëngjitur në një.
Për sqarim, në Kuvendin e Vatrës në Shkurt 2022, unë si delegat i Michiganit, isha i mandatuar nga kryesia e Degës me shkrim dhe certifikuar nga Kuvendi për dy vota, për atë të Michiganit dhe votën e deleguar të Richard Ndojës (Kolec Ndojës) të Floridës së Jugut. Nga pamjet në video, gjatë verifikimit të mandative, unë u ngrita dy here në këmbë, dhe u dola për zot këtyre dy mandateve të cilat u verifikuan dhe u regjistruan nga Kryesia e Kuvendit. Për më tepër, unë kisha autorizimin me shkrim nga kryetari i degës Michigan, z. Rakaj, ku një kopje e tekstit me shkrim është mbas videos së parë.
Nuk arrij që ta shpjegoj se pse, por votimi i nenit mbi mandatin 4-vjeçar të kryetarit të Vatrës u përsërit tre here. Ky nen për t’u aprovuar kërkonte 18 vota nga 27 gjithsej, pra 2/3. Herën e parë, ky nen mori vetëm 11 vota, që degjohet qartë në video. Me gjasa, personat e interesuar që kërkonin me ngulm një mandat 4-vjecar, Alfons Grishaj dhe Besim Malota, me britma në formë kërcenimesh, ndërhynë tek delegatët në mënyrë të kundraligjshme për një process votimi dhe pati ndikim në rezultatin e votave. Për shembull, delegati Rafael Floqi, i cili, siç duket në videon e parë, ishte mandatuar për votën e tij dhe votën e deleguar të Gani Vilës, herën e parë votoi me dy votat e tij kundër mandatit 4-vjeçar, por kur votimi u përsërit, votoi pro, kjo mbas ndërhyrjes së Alfons Grishaj, i cili megjithëse nuk kishte asnjë rol në kuvend, degjohet në video tek ju flet delegatëve me zë të lartë.
Fillimisht, pati tendenca nga Grishaj dhe Musabelliu për t’ja kaluar nje votë timen delegatit Rafael Floqi, por kryetari i Kuvendit, Ervin Dine, flet qartë që Rafaeli dhe Valentini kanë nga dy vota. Unë votova kundër mandatit 4-vjeçar me dy votat e mija, Rafaeli votoi pro me dy votat e tij.
Në momentin e numërimit të votave, në tentativë për të arritur me çdo kusht 18 votat e nevojshme për të kaluar nenin, duket qartë manipulimi dhe tjetërsimi i votës time nga zonja Veliu kur thotë: “po ia heqim një votë zoterisë [Lumaj] dhe ja kalojmë tek Floqi”, thotë ajo me zë të plotë.
Për sqarim znj. Veliu zevëndësoi përkohësisht sekretarin e zgjedhur të kuvendit, z.Eduart Aranitasi, pra nuk kishte asnjë tagër për të numruar votat, dhe roli I sajkishte mbaruar me kthimin e sekretarti Aranitasi në tavolinë. Ndoshta mungesa e informacionit për Nazon, ngaqë nuk ishte ajo që bëri verifikimin e mandateve, ishte arsyeja që Nazua ju nënshtrua presionit të z. Grishaj dhe z. Malota, të cilët urdhëronin nga salla për të tjetërsuar votën time. Ajo është zonjë me karakter të fortë. Unë kundërshtova, ngrita duart gjithë kohën, u ngrita në këmbë, bëra debat me Grishajn dhe Malotën, ju tregova edhe mandatin, bëra aq sa ma lejonte etika e një vatrani, dhe me shpresë qëgjërat do te sqarohen më vonë.
Megjithë kalimin e votës time tek z. Floqi, prapë 17 votat e deklaruara nga Nazo Veliu mbas numërimit final, prapë nuk plotësojnë 2/3 e nevojshme. Edhe duke e ditur këtë, z. Besim Malota, i cili nuk kishte asnjë rol në Kuvend, më vonë e manipulon edhe një here rezultatin e votimit dhe paraqet një procesverbal (shih më poshtë) ku thuhet se kryetari mori 18 vota nga 27. Çfarë ka lënë gojëhapur vatranët është reflektimi në Kanunoren e Vatrës I këtij manipulimi duke i dhënë kryetarit një mandate 4-vjeçar.
Për informacion, në Amerikë shoqatat dhe organizatat jo-fitim prurëse kanë në përgjithësi mandate 2-vjeçare për kryetarët, meqenëse janë detyra shoqërore pa rrogë. Bazuar në Kanunoren e saj të vitit 1926, Vatra ka operuar me një mandate një-vjeçar. Kur u pyet një herë nënkryetari Grishaj se ç’e doni katër vjet për kryetarin, qe Përgjigj: “vlla, të rregullojmë disa punët tona një herë, mandej e bajmë dy vjet”!!!!
Ka një vit që në Vatër debatohet ky nen. Dejtuesi i Vatrës, Elmi Berisha, fillimisht bllokoi të gjitha pamjet filmike të regjistruara. Kur unë i pata kërkuar kameramanit të Vatrës, Dritan Haxhia videot e kuvendit, ai një herë më tha po, por mandej qe përgjigjur: nuk mundem vëlla, kam marrë urdhër nga Kryetari i Vatrës që të mos jepen videot për vatranët dhe publikun.
I nderuar publik i ndershëm dhe i ndjeshëm shqiptar, sidomos ju që keni përqafue edhe vlerat e qytetërimit amerikan, Vatra e kolosëve të kombit, Noli dhe Konica, ka shkarë nga shinat ku dikur ishte aq e dinjitetshme. Vatra ka nevojë për të gjithë ne, që ta ruajmë dhe ta mbrojmë nga dy persona që sot po e trajtojnë në mënyrë tribale dhe nepotike për interesa personale. Ju lutem bashkojuni zërit të ngritur të vatranëve të ndershëm dhe patriot, që nuk jam vetëm unë.
Fillimisht kanë qenë rreth 20 vatranë të cilët kërkuan kuvend shtesë dhe deklaruan se kryetari nuk i kishte marrë votat për mandatin e tij 4-vjeçar, ndër ta Vatranë elitarë që i kanë shërbyer Vatrës për shumë dekada, përmend Sergio Bitici, Naum Prifti, Cezar Ndreu, Shpëtim Ndreu, Klarenc Novaku etj.
Fill mbas, kryetari i Kuvendit Ervin Dine, deklaroi zyrtarisht me shkrim se Kuvendi nuk i përfundoi punimet dhe de ka refuzuar që të nënshkruajë procesverbalin përfundimtar të manipuluar të
Kuvendit, mbasi kryetari nuk i kishte marrë votat për një mandate 4-vjeçar. (Shih dokumentin më poshtë)
Sekretari i Kuvendit, z. Aranitasi, nuk e ka nënshkruar procesvervalin përfundimtar të Kuvendit.
Më vone edhe kryeredaktori i Gazetës Dielli, i ndjeri Dalip Greca doli kundër këtij mandati 4- vjecar.
Zonja e nderuar, dr. Hilmije Mara, pati deklaruar në një intervistë të dhënë edhe si delegate dëshmitare, se neni për 4-vjeçarin e kryetarit të Vatrës nuk i mori votat e mjaftueshme. Kjo deklaratë u botua tek gazeta Dielli, dhe u hoq më pas për arsye të deklarimit të saj.
Redaktorja e Diellit, intelektualja e nderuar, Rafaela Prifti, pati botuar një artikull mbi votimet e Kanunores së re, ku vinte në pikëpyetje legjitimitetin e votave të delegatëve. Megjithëse redaktore e diellit, artikulli i saj nuk u lejua të publikohej tek gazeta Dielli.
Komplet dega Mannhattan me kryetar Agustin Mirakaj, kanë deklaruar në vazhdimësi se kryetari nuk i mori votat e mjaftueshme për një mandatt 4-vjecar.
Vatrani i nderuar veteran Lek Mirakaj, në vazhdimëri ka deklaruar se Neni për 4-vjecarin e Kryetarit nuk kaloi dhe së fundmi publikoi një video ku paraqiten momentet e votimit dhe manipulimit të votave.
Para pak kohësh une pata organizuar një pyetësor enkas për këtë nen, ku janë pyetur rreth 30 anëtarë të kryesisë dhe të Këshillit dhe figura të tjera Vatrës. Për etikë nuk do të paraqes emra, por shumica absolute e tyre janë shprehur kundër një mandati 4-vjeçar.
Po ashtu jemi dëshmitarë te rritjes së zërave dhe presionit për një mbledhje të Këshillit të vatrës për të zgjidhur këtë çështje dhe shumë të tjera.
Vetëm ditët e fundit Kryesia e Vatrës nxorri nën dorë kopje të Kanunores së re, ku shkruhet se mandati i Kryetarit është katër vjet. Ky është akti më i rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në Vatër.
Edhe pse, me zë dhe figurë dhe dëshmitarë të gjithë atyre që ishin në atë process zgjedhor, votat e delegatëve vidhen dhe rezultati manipulohet pa dhënë asnjë shpjegim.
Ja të dashur shqiptarë, kemi mbërritur në këtë pikë, në këtë situatë në Vatër, që në fakt shkeljet janë shumë më tepër se kaq. Jepeni vetë gjykimin tuaj se në çfarë duarsh ka rënë Federata Vatra. Ju bie në kujtesë, një postim të mëparshëm, ku faktuam abuzimin me $60 dollarë të buxhetit të Vatrës.
Kështu vidhen votat dhe dollarët në Vatër, shqiptarët ndaj shqiptarëve, tashmë amerikanë. Në vend që Vatra të jetë shembull i aplikimit të demokracisë amerikane, i këtyre të drejtave dhe lirive që ky vend i bekuar na ka dhënë dhe mësuar, dy-tre persona me të shkuar që të lë të dyshosh, të cilët kanë mashtruar edhe më parë me burgjet ordinere apo me edukimin e tyre akademik, sot bëhen shembëlltyra e antivlerës, duke na njollosur ne të gjithëve si vatranë.
Si përfundim:
Mbas këtyre provave të pakundërshtueshme, Kryetari i Vatrës Elmi Berisha nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për një mandat 4-vjeçar. Meqenëse Kuvendi i 26 Shkurtit 2022, u mblodh bazuar në Kanunoren e Vatrës të vitit 1926, si kusht nga gjykata Federale Amerikane, kjo detyron drejtuesit e Kuvendit dhe të Vatrës qe ta zbatojnë atë siç është shkruar pa asnjë ekuivok.
Meqenëse ky nen nuk kaloi dhe kanunorja e re e miratuar nuk parashikon zgjidhje tjetër, atëherë automatikisht mbetet në fuqi Nyja 11 (shih nenin më poshtë) e Kanunores 1926, bashkëngjitur kanunores së re, që përcakton një mandat një vjeçar të Kryetarit, pra mandati i kryetarit të Vatrës ka mbaruar dje me datë 26 Shkurt.
Prandaj, bazue në Kanunoren e Vatrës dhe mbi këto evidenca më poshtë, i bëj thirrje publike shoqnore kryetarit të Vatrës Elmi Berisha, që brenda 7 ditëve të japë përgjigje, ose:
1- të pranojë vullnetin e shumicës së vatranëve dhe të japë dorëheqjen,
2- të deklarojë një Kuvend të ri.
Në të kundërt, shumë kjo çështje do të ndiqet me rrugë ligjore në një gjykatë Federale amerikane.
Valentin Lumaj, Michigan, 27 Shkurt 2023