Nga njohja reciproke, te dënimi i kriminelëve të luftës, republikanët e Kosovës dhe Serbisë pakt historik mes tyre
Kreu i republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviç, tha se kjo marrëveshje është një hap drejt së ardhmes, teksa premtoi se do të punojë për zbardhjen e krimeve të luftës.
Partitë e vogla në Kosovë dhe në Serbi kanë dhënë sot një mesazh shumë të qartë për të dyja anët e kufirit. Ashtu sikundër e paralajmëroi “Pamfleti” dje, Partia Republikane e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë firmosur një marrëveshje për njohje reciproke mes tyre.
Pakti u firmos nga dy liderët e partive Nikola Sanduloviç dhe Faton Kurti. Theks të veçantë, partitë i dhanë formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve në Serbi. Sipas tyre, asociacioni është burim konflikti.
Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, e cilësoi këtë marrëveshje si historike, teksa tha se dy partitë kanë ndërmarrë hapa konkret në zbardhjen e krimeve serbe ndaj popullatës shqiptare, që nga viti 2015.
“Është një ngjarje historike për dy vendet tona, ku dy partitë republikane ofrojnë një zgjidhje reale për të ardhmen. Në kohën kur makina e propagandës serbe është më aktive se kurrë kundër Kosovës, historia rrezikon të shtrembërohet. Kurrë më parë gjatë historisë së njerëzimit, nuk ka ndodhur që nga viktima të kërkohet të bëhen lëshime, si formimi i “Zajdenicës” në Kosovë, duke rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kurti tha se këto dy parti njohin vetëm një rrugë për paqe dhe afrim: Njohjen e ndërsjellë dhe kërkim-faljen nga Serbia. “Një krim i mohuar është vrasje për se dyti, ndaj republikanët në bashkim me republikanët e Serbisë njohin vetëm një rrugë për afrim dhe paqe mes dy popujve tanë – njohja, pranimi, kërkimi i faljes nga ana e Serbisë për gjenocidin në Kosovë. Sot, do të nënshkruajmë marrëveshjen historike mes dy partive republikane, asaj të Kosovës dhe të Serbisë, njohjen reciproke, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, me hyrje të përbashkëta në BE dhe NATO”, ka thënë ai.
Ndërsa kreu i republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviç, tha se kjo marrëveshje është një hap drejt së ardhmes, teksa premtoi se do të punojë për zbardhjen e krimeve të luftës.
“Po e përsëris qëndrimin tim, i cili nuk ka ndryshuar që 20 vjet, sepse kam dhënë premtim që të gjithë kriminelët që kanë kryer krime, do të përgjigjen para drejtësisë”, tha ai.
Sanduloviç, muajin e kaluar është takuar me kryeministrin e Kosovës, Aljbin Kurti, ku, siç thotë ai, ia ka bërë të qartë se “Bashkimi i Komunave Serbe është shkatërrues dhe burim i përjetshëm konflikti”.
“Për mua ky është një fakt i papranueshëm dhe mendoj se ne e kemi anashkaluar sekuencën e njohjes reciproke të pavarësisë së të dy vendeve, në mënyrë që çdo marrëveshje në atë propozim të famshëm francezo-gjerman të mund të vazhdojë dhe besoj se po të isha në pushtet, gjëja e parë që do të bëja do të ishte nënshkrimi i njohjes reciproke të Republikës së Kosovës dhe Serbisë sepse mendoj se kjo është parakusht për të gjitha marrëveshjet e mëtejshme”, tha ai.
Ndërsa, nënkryetari i Republikanëve të Kosovës, Mehmet Prishtina, tha se një ndër kushtet është zbulimi i varrezave masive, teksa ka treguar edhe një rast të suksesshëm që partitë kanë zbardhur. “Një ndër kushtet kryesore ka qenë zbulimi i varrezave masive. Ne kemi punuar që nga viti 2015 për zbulimin e rasteve konkrete të vrasjeve masive nga ish-ushtarët serbe, mund ta ceki vetëm një rast. Ne e kemi sjellë në vitin 2017 dëshmitarin se kush i ka vrarë vëllezërit Bytyçi, dokument i cili ka shkuar edhe në Departamentin e Shtetit amerikan, dhe në kohën e sotme jemi duke punuar konkretisht për rastet specifike për zbulimin e varrezave masive në Kosovë, dhe trupat e përcjellë për Serbi në varreza masive”, tha ai.