(Kur artistët i këndojnë shpresës për jetën dhe humanizmit mes bashkatdhetarëve)
Jordan Hall në Boston, përcolli të Shtunën më 27 Maj një mbrëmje të bashkatdhetarëve shqiptaro-amerikanë ku thellësisht u bashkuan misioni humanitar, arti i interpretuar në skenë dhe një
publik i përthithur nën tingujt duke kumbuar një zë malli “Dua më shumë Shqipërinë”.
Në qoftë se kjo do të ishte pika më kulmore e shfaqjes në Koncertin Gala, atëherë atë si askush tjetër këtë nivel dhe mjeshtëri të munguar prej kohësh në mjediset e diasporës do të mund sillnin dy artistët shqiptar Inva Mula dhe Genc Tukiçi falë bashkëpunimit dhe përqafimit të kësaj ideje dhe kauze me organizatën “Shqiptarët Mundin Kancerin” (Albanians Fighting Cancer).
Fjalët e mirëseardhjes për këtë veprimtari u drejtuan nga Eglantina Kica, Sponsore e Përgjithshme dhe Këshilltare Ekzekutive, dhe Roberta Panariti Nashi, Themeluese dhe kryetare e organizatës SHMK vlerësuan përpjekjet gati pesë vjeçare, njerëzoren dhe sublimen e pacientëve dhe të mjekve bashkë, për t’u ndalur në ndërgjegjësimin dhe parandalimin e sëmundjes, diagnostikimin dhe kapjen në kohë, mposhtjen e stigmës dhe fitoren e pavarësisë për ta çmuar jetën, të mbijetuarit që nuk tërhiqen nga rrethanat e vështira që fatkeqësisht ndeshen.
Duartrokitjet e shpeshta ishin shenja që ftuan butësinë dhe shpërthimet e Inva Mulës dhe Genc Tukiçit në këtë koncert klasik me pjesët e ndjera nga Bach, Vivaldi, Handel, Puccini, De Kurtis, dhe këngë lirike shqiptare në një program prej gati dy orësh. Heshtje dhe mbajtje fryme për të përjetuar zërin e Invës dhe tingujt e pianos nga Genc.
Emocione dhe lot, por edhe shoqërime të përbashkëta për pjesët e njohura dhe shumë duartrokitje që ta mbushin zemrën me gëzim.
Finalja u duk se erdhi shumë shpejtë, por mesazhet e falenderimit shkuan gjatë dhe e thyen edhe protokollin e koncertit.
Dr. Agim Aliaj u shpreh:-“Në qoftë se do të thoshim dy fjalë për të përmbledhur mbrëmjen e sotme, mund të thoshja që është mirënjohje dhe krenari. Mirënjohja për artistët tanë të mrekullueshëm. Mirënjohje për juve që na nderuat sonte. Mirënjohje për bashkëatdhetarët tanë të suksesshëm me bizneset e tyre wë sponsorizuan këtë Koncert dhe mirënjohje për Bertën e palodhur. Krenari për komunitetin shqiptar,… krenari për emrin dhe ngjyrën shqiptare që i dhamë kësaj salle dhe krenari të jesh shqiptar. Të dashur artistë këto buqeta kanë diçka të veçantë. Në çdo petal keni një zemër të shqiptarëve të Bostonit”.
Përgëzime, kujtime nga Shqipëria dhe nga kudo ku artistët janë ndjekur prej publikut,.. Fotografi në grup dhe thuajse askush nuk mungoi pa shtrënguar duart dhe dhuruar buzëqeshje.
Mes kësaj ngjarje të artistëve shqiptarë në Jordan Hall të Bostonit energjitë buronin, ishte një përkushtim i publikut dhe i drejtuesve të organizatës Shqiptarët Mundin Kancerin me një përgatitje katër-pesë mujore që mundësuan këtë Koncert.
Mbresat e fituara mbetën pjesë e një bashkëbisedimi të ngrohtë dhe përgëzues mes Invas, Gencit dhe Robertas.
Nga mbresat me artistët Inva Mula dhe Genc Tukiçi që na krijuan mundësinë e një interviste shkëputem këtë fragment.
Inva Mula:- “… mendoj që sonte u arrit një emocion i tillë që ishte dhe momenti magjik në sallë, kur salla bëhet një me skenën dhe kur jemi në një valë energjie me njëri tjetrin… dhe këto janë raste që nuk ndodhin në çdo Koncert. Sonte e ndjeva një gjë të tillë”.