Një prej ngjarjeve më të rëndësishme letrare në Shqipëri është padyshim botimi i librit të fundit të nobelistit Gabriel Garsia Markez.
“Shihemi në gusht” është romani i fundit i autorit kolumbian, që tashmë ka njohur dritën e botimit në 30 gjuhë të botës e është prezantuar si premierë botërore më datë 6 Mars 2024 në ditën e lindjes së shkrimtarit gjenialë.
“Shihemi në gusht” që është shoqëruar me polemika, debate dhe një zhurmnajë të gjerë mediatike, ngase porosia e fundme e Markezit ka qenë shkatërrimi i tij, është sjell në të njëjtën kohë me botën edhe në gjuhën shqipe, përmes përkthimit të Mira Meksit.
I ftuar në emisionin “Odeon” në Syri Tv, botuesi i nobelistit në shqip, Bujar Hudhri, rrëfeu rrugën se si erdhi kjo vepër kaq e veçantë e krijimtarisë së Markezit në gjuhën shqipe, kalvarin e gjatë të blerjes së të drejtave të autorit, mezipritjen e lexuesit në botën mbarë për ta pasur në duar dhe raportin e lexuesit që po bjerret dita – ditës nga ikjet masive të shqiptarëve përtej kufijve.
Hudhri i tregoi gazetares Egla Xhemalaj, pse nobelisti qe i ndaluar të botohej në gjuhën shqipe.
Pjesë nga intervista
Bujar Hudhri: Shqipëria ka qenë te vendet e hequra nga agjencia, që administron të drejtat e botimit të Markezit. Pra, u arrit pikërisht kjo për hir të lexuesit shqiptar. Unë si botues tani që po bëj një farë bilanci për Markezin, që u shndërrua në një lajm botëror ky libër secila gjuhë, secili vend, shumë studiues, gazetarë komentojnë tani marrëdhëniet me Markezin, veprat e tij në përgjithësi këtë vepër në veçanti, kurse unë si botues doja t’i thoja shikuesit tuaj, pse vepra e Markezit ishte e palejuar të botohej në shqip.
Kjo është histori që fillon qysh në kohën e komunizmit, kur u botua libri i parë i Markezit i përkthyer në shqip nga Aurel Plasari, pastaj libri i dytë “Dashuria në kohërat e kolerës” i përkthyer nga Mira Meksi dhe gjatë viteve 1999-2000 pothuaj u përkthye krejt vepra e Markezit, u botua pa leje. Pa të drejtat e autorit, pa të drejtat e agjencisë.
Unë kam dashur që ta vija në vijë këtë punë. Më tepër jam marrë me autorët e letërsisë shqipe, ju e dini që kam autorët më të mirë të letërsisë shqipe. I kisha dhënë shumë hapësirë letërsisë së huaj sepse unë synoja majat e saj. Këto maja ishin të vështira të pushtoheshin, në pikëpamje të marrëdhënies tënde me agjencitë. Shqipëria tanimë ishte në demokraci dhe respektimi i pronës intelektuale, duhet ta pranojmë që ne nuk është se ia kishim idenë. Kjo ishte si një inerci e shoqërisë komuniste. Ky nuk ishte vetëm problem i Shqipërisë.
Dua t’u kujtoj ju që në vitin 1990 Markezi në vizitën e tij të parë dhe të fundit në Kinë, kur ishte në Pekin dhe në Shangai vërejti që libri i tij “100 vjet vetmi” ishte botuar dhe shitej në masë pa të drejtat e tij. Kinezët shumë të entuziazmuar asokohe, ngase vepra e tij ndikoj shumë në letërsinë kineze. Markezi u thotë: Po kujt i keni marrë leje?
Ato as që e mendonin që duhej marrë leje. Markezi e thotë këtë edhe në shtypin botëror. Është përmendur para disa ditësh, ku thuhej se Markezi u betua: Edhe 150 vjet mbas vdekjes sime nuk do ta autorizoj agjencinë, që ti japi të drejtën e botimit Kinës. Pra, të mendosh një popullsi 1 miliardë e gjysmë dhe vijmë tani te Shqipëria dy milionë a tre milionë banorë.
Agjencia nuk donte t’ia dinte, aq më tepër kur mori vesh që ishte botuar pa leje në Shqipëri. U desh një luftë e madhe. Unë kam komunikuar me agjencinë, nuk merrnim përgjigje, madje kam dërguar dhe njeri në Barcelonë. Kemi pasur kontaktet e sërish jo. Unë pata një rast fatlum do ta thoja e shfrytëzova në këtë rast, kur në vitin 2014, viti në të cilin ndërroi jetë Markezi (vdiq më 17 prill 2024), në shtator të atij viti unë mora vesh që agjencia e Markezit, me pronaren Carmen Balcells po bënte një bashkim kompanish me agjentin Enri Uaili të Ismail Kadaresë në Neë Jork. Ajo është agjencia më e madhe që ka bota dhe ka yjet e letërsisë botërore. Asokohe unë i thashë Kadaresë: A mund t’i shkruani ju agjentit tuaj që pse agjencia e Markezit nuk i jep të drejtat e botimit Shqipërisë? Çfarë arsye kanë?
Ja bëmë letrat, ia dërguam, megjithatë asnjë përgjigje deri në Marsin e vitit pasardhës, që i bie 2015. Mbaj mend që ka qenë 6 Marsi ditëlindja e Markezit, kur e telefonova vet agjencinë e Kadaresë seksionin e Londrës, ku ne kishim komunikim të përjavshëm për librat e Kadaresë dhe i thashë meqënëse sot është ditëlindja e Markezit, a ka ndonjë gjë të re? Nuk vonoi më shumë se pesë minuta, kur nga Barcelona më vjen një email, në të cilin thuhej, na jepni ju letrën të cilën ia keni dërguar Uailit. Më pyetën se çfarë problemi kishim ne, u thashë se problemin e kishin ata.
Unë kam paguar një farë dëmi që botuesit shqiptarë kanë bërë. E kam bërë këtë edhe për dinjitet përballë agjencisë, për të krijuar besueshmërinë e tyre, që kjo ishte një punë serioze, që unë isha një botues që kisha jo vetëm Kadarenë, po kisha synimin që të sillja në shqip letërsinë më të mirë e ta filloja me Markezin”, u shpreh Bujar Hudhri në “Odeon”.