Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se çdo garanci të sigurisë për shtetin e tij në mënyrë që t’i jepet fund luftës me Rusinë do të ishin kuptimplotë vetëm nëse ato do të jepeshin nga Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se shpreson se do të takohet shpejt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, pas inaugurimit të tij më 20 janar.
“Pa SHBA-në, garancitë e sigurisë nuk janë të mundura”, tha ai në një intervistë triorëshe me Lex Fridman, që u publikua më 5 janar.
“Po flas për garanci të sigurisë që mund ta parandalojnë agresionin rus”, shtoi ai.
Gjatë kësaj interviste, që u zhvillua në Kiev, Zelensky foli në gjuhën angleze, ukrainase e madje edhe ruse. Ai tha se beson se një armëpushim pa garanci të sigurisë për Kievin do të përdorej nga Kremlini si një mundësi për t’u furnizuar dhe riorganizuar për ofensiva të reja.
Teksa përvjetori i tretë i nisjes së pushtimit rus të Ukrainës po afrohet, vdekjet dhe shkatërrimi po vazhdojnë në shumë qytete ukrainase, veçmas në lindje dhe në territorin e pushtuar nga forcat e Kremlinit, por edhe në Kursk, rajonin kufitar rus.
Kohë të pasigurta po e presin Kievin, teksa Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Trump, i cili ka qenë kritik për sasinë e ndihmës së ofruar amerikane për Ukrainën, vazhdimisht është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, edhe pse për këtë ai ka dhënë pak detaje. Shumë mbështetës të Ukrainës janë të shqetësuar se ai do të shtyjë përpara kushte që do të jenë të papranueshme për Kievin.
Përpjekjet për një armëpushim janë të pashmangshme, në dritë të premtimeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në një periudhë të shkurtër kohore.
Administrata në largim e presidentit Joe Biden, në katër vjetët e fundit i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër në vlerë prej afër 60 miliardë dollarësh.
Zelensky ka një histori të gjatë dhe të vështirë me Trumpin.
Gjykimi i parë ndaj Trumpit për shkarkimin e tij nga posti i presidentit më 2019 u nxit nga një bisedë telefonike që ai kishte zhvilluar me Zelenskyn, në të cilin Trump dukej se kishte kushtëzuar ndihmën ushtarake amerikane në këmbim të hetimit nga Ukraina të familjes së Bidenit.
Trump disa herë e ka kritikuar Zelenksyn. Gjatë fushatës zgjedhore, ai vazhdimisht e ka përshkruar presidentin ukrainas si “tregtarin më të mirë në botë” – referencë për dhjetëra miliarda dollarë ndihmë që ligjvënësit e dy partive në SHBA kanë miratuar që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.
Megjithatë, gjatë intervistës Zelensky tha se është i bindur se Trumpi do të sjellë një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme të paqes, së bashku me garancitë e kërkuara të sigurisë.
“Trumpi dhe unë do të arrijmë deri te një marrëveshje… të ofrojë garanci të forta të sigurisë, së bashku me Evropën, dhe më pas ne mund të flasim me rusët. Ne dhe Trumpi jemi të parët, dhe Evropa do të mbështesë pozicionin e Ukrainës”, tha ai.
“Mendoj se presidenti Trump jo vetëm që ka vullnet, por i ka të gjitha mundësitë dhe këto nuk janë vetëm fjalë”.
“Unë vërtetë llogarisë në të dhe mendoj se njerëzit tanë vërtetë llogarisin në të, prandaj ai ka fuqi të mjaftueshme për t’i bërë presion atij, për t’i bërë presion [presidentit rus, Vladimir] Putin”, shtoi Zelensky.
I pyetur se çfarë kërkon që ta shqyrtojë një armëpushim, Zelensky tha se janë garancitë e sigurisë, mundësisht përfshirja në NATO, diçka që Putin e ka kundërshtuar me forcë.
Anëtarësimi në NATO ishte një nga argumentet fillestare që Kremlini përdori për të justifikuar luftën kundër Ukrainës.
Për çdo marrëveshje, Zelensky tha se partnerët perëndimorë, të paktën duhet të garantojnë sigurinë në territorin ukrainas që aktualisht nuk është i pushtuar nga Rusia, të vazhdojnë mbështetjen ushtarake dhe të mbajnë në fuqi sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.
“Nëse nuk ka garanci të sigurisë, Putin sërish do të sulmojë”, tha ai.
Sipas tij, qëllimet e Putinit janë një “NATO e dobët” dhe një “Ukrainë që nuk mund të mbijetojë në fushëbetejë” dhe “të pamundësohet një raport i fortë me Trumpin”. REL
Panoramë kaotike
Kah je? Ksajde. A dalim ecim pak? Dalim. A po del menjëherë? Po. Behëmi bashkë. Duke u parë në sy dhe duke zgjatur duart me nga një “si je e ç’bëre e si ia kalove”. Hë, kah po shkojmë? A po e vazhdojmë ecjen e zakonshme a ndërrojmë pak rrugëtimin edhe pse s’flitet për ndonjëfarë ndryshimi lëvizjesh kushedi se çfarë. Merremi vesh. Kuptohemi. Pajtohemi që rrugëve t’u japim këmbëve edhe pse keq s’do të ishte të udhëtonim me pajton a mjete tjera lëvizjeje më bashkëkohore. E vazhdojmë ecejaket në ambientin tollovitës e trullosës me kujdes të shtuar duke tejkaluar vetura të parkuara trotuareve të ngushta, por kjo s’do të thotë të mos gostitemi me ndonjë sirenë që po të jetë e ndonjë mjeti të rëndë transportues ka për t’i dhuruar do të rrëqethura të forta trupi. Dhe nëpër mend vërtiten pamje të shumta aksidentesh, vetaksidentesh e incidentesh që kemi parë jo vetëm kronikave mediale. Dhe ne të humburit e të zhgënjyerit e mëdhenj humbasim nëpër fjalë. Humbim nëpër shpërthime e plasje fjalësh sikur mjete lëndësh plasëse për aktu(ban)alitetin shoqëroro-politik e mjerano-idiotik. Që vazhdon. Pamjet e përditshme me prindër me fëmijët e tyre përdore duke i dërguar e marrë prej shkolle, e shkolla të duket si kamp refugjatësh dhe mendja të vete se mos po na vije puna se është duke na ardhur puna të mësojmë përsëri të mësojmë nëpër shkolla shtëpi si atëherë në robëri në sistemin paralel. Ku nuk na shkon mendja neve robërve të lirë e modern. Lëmë mendjen të lirë dhe shfrytëzojmë rastin për t’iu drejtuar një të njohuri për të ndërruar kokën e një poçi të djegur elektrik dhe për një gyp uji që rrjedh. Kryen punë dhe i lehtësuar që ndonjë usta për kaq punë nuk ta rrëmben një 10-she a 20-she mbase dhe më shumë. Dikur një copë dite mund ta kalosh në ndonjë qendër të madhe tregtare, fëmijët t’i lëshojmë brenda kënde lojrash e vetë të ndodhemi përballë një espresoje në kafenenë që mban emrin e një kryeqendre të njohur jo vetëm europiane. E sytë mbi ajfon, samsung e bredh diku e bredh dikund. Si e thotë njëra prej këngëve: “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”. Mund edhe ta lexosh libër-thin që e bleve në njërin nga kioskat e librave në sheshin e kryeqendrës me titullin: “Fati i njeriut”. A të shfletosh të hënën një gazetë të dieleje që e blen të shtunën. Gjumin mund ta bëjmë jo të lehtë e me ëndrra plumb të rënda. Zgjimi sjell fjalë të papunësh e punëtorësh që të lodhur me kokat tym e të pëhumbur e të mrrolur, themi çka është kah bëhet e deri në vit të ri a po ka liberalizim. Një roje rri para një shumëkatëshje së cilës po i bëhet izolimi, e dikush aty ushqen dy mace. Është natë dhe fryen erë. Kanë nisur të përhapen fjalë se Kosova së shpejti mund të mbesë me 300 mijë ose 400 mijë banorë… Përditshmëria përsëritet. Pret ftesën me fjalët: Kah je, a po dalim?…