“Ta shikojnë familjet të cilëve u ka vrarë djemtë se në çfarë kushte mbahet ky vrasës me pagesë nga SPAK-u, më saktë nga prokurorët Altin Dumani dhe Behar Dibra!” – Këtë mesazh ka përçuar sot gazetari Flamur Vezaj duke publikuar një video dhe fotografi, të shfaqura kohët e fundit në Top Channel dhe që dëshmojnë kushtet reale në të cilat po jeton sot dhe po vazhdon edhe aktivitetin e tij kriminal duke vrarë, famëkeqi Nuredin Dumani.
Pamjet më poshtë nuk shfaqen më pas publikimit të tyre të parë dhe duket se një sy i mprehtë ka ndikuar që ato të zhduken nga sytë e publikut. Por gazetari me përvojë e ka një ide: “Këtë video e ka publikuar “Top Channel” por e kanë fshirë nga sistemi me ndërhyrjen e SPAK-ut dhe prokurorëve Dumani dhe Dibra besoj”, shkruan Vezaj. Ndiqni gjykimin e tij në vazhdim bashkë me skenat që i kanë drithëruar familjet e viktimave të vrasësit dhe jo vetëm ato.
“Ky që shikoni është Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë i 12 personave! – shkruan Flamur Vezaj. – Po, po, ka vrarë 12 persona dhe ka tentuar të vrasë 4 të tjerë! Këto krime janë ato që ai ka “rrëfyer” vetë, pasi prokurorët ende nuk kanë zbuluar të tjerat pas zbardhjes së SkyEcc etj.!
Ta shikojnë familjet të cilëve u ka vrarë djemtë se në çfarë kushte mbahet ky vrasës me pagesë nga SPAK-u, më saktë nga prokurorët Altin Dumani dhe Behar Dibra!
Pra, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, ky vrasës me pagesë, që nuk është treguar i sinqertë në disa raste, në qelinë e tij të paraburgimit 313, ka kompjuter, biseda Skype, telefon, kondicioner, gira, shtanga, televizor me programet e Digitalb etj.!
Me gjithë këto kushte luksoze, ai ka rrahur të burgosur tjerë dhe ka mundësi edhe të komunikojë me femra, t’i zërë “dashnore”, të kërcënojë apo të detyrojë të bëjnë punë për të, të vendosë gjoba, por edhe të flasë lirshëm me persona jashtë burgut!
Për të gjitha këto, ndaj tij ka një kallëzim në SPAK ku është denoncuar, e çfarë po bëhet me këtë kallëzim?!?
Pra, njeriu që ka bërë 12 vrasje kundrejt parave, ka ekzekutuar 12 të rinj, jeton në kushte luksi vetëm se ka pranuar t’i tregojë prokurorëve Dumani dhe Dibra krimet e tij! Përveç kushteve të luksit, ai do të përfitoi edhe një dënim të ulët në fund të gjykimit dhe do të dërgohet në një vend të sigurt për të vazhduar jetën i qetë!
Këtë video e ka publikuar “Top-Channel” por e kanë fshirë nga sistemi me ndërhyrjen e SPAK-ut dhe prokurorëve Dumani dhe Dibra besoj!
P. s. Unë kam një kërkesë: duke qenë se është shumë vapë, dërgojeni në një resort në jug ku ka edhe pishinë që të ndihet më i relaksuar që të kujtojë krimet që ka bërë e më pas t’i rendisë në letër!” përfundon gazetari.