Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora e Ora News, senatori italian Tomaso Nannicini, hartues i amendamentit për njohjen e viteve të punës për emigrantët shqiptarë në Itali ka zbardhur detajet e këtij fondi special i cili është përfshirë në plan buxhetin e ardhshëm trevjeçare të qeverisë italiane 2022-2024.
Kur do të jetë aktiv ky fond, çfarë vlere ka, cilët emigrantë shqiptarë do të mund të përfitojnë, kur pritet të nënshkruhet marrëveshja mes dy qeverive?
Alba Kepi: Senator ju jeni Kryetar i Komisionit Parlamentar për kontrollin e aktivitetit të enteve menaxhuese të detyrimeve mbi sigurimet shoqërore e asistencën sociale dhe hartues i amendamentit “Nannicini”, pra që mban emrin tuaj, e që ka të bëj me aprovimin në Senat të një fondi special për një marrëveshje mes Italisë e Shqipërisë mbi sigurimet shoqërore brenda buxhetit të ardhshëm trevjeçare.
Çfarë nënkupton aprovimi i këtij fondi hoc e cili është qëllimi i tij?
Senator Tomaso Nannicini: Së pari ky fond i sapo aprovuar në Senatin Italian nënkupton se pas vite e vite që flitej për këtë problem dhe në takime institucionale dypalëshe, të njihen të drejtat e mohuara të punonjësve emigrantë shqiptarë që kanë derdhur sigurimet shoqërore në Itali, që kanë kontribuar e kanë sakrifikuar për ekonominë e këtij vendi e pa mundur që sakrifica e tyre të njihej si një e drejtë që i takon pensioni. E kjo vlen dhe për shtetasit italianë që kanë punuar në Shqipëri.
Më në fund kemi arritur në një rezultat të caktuar. E pika e parë e këtij rezultati është se ka një fond prej 20 milionë euro në buxhetin e shtetit italian që mund të financoj një marrëveshje dypalëshe mes dy vendeve, për të njohur kontributet e sigurimeve shoqërore e pra për njohjen e së drejtës së pensioneve.
Me këtë rezultat të arritur, kemi hequr alibinë që mbahej në këmbë prej vitesh se nuk ka parà, nuk ka fonde për arritjen e kësaj konvente. Me amendamentin e hartuar nga unë kemi më në fund në dispozicion 20 milionë euro nga buxheti italian për të arritur nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe.
Këto 20 milionë nuk janë zgjedhur rastësisht me këtë vlerë, por vijnë nga një listë e caktuar të drejtash në sigurimet shoqërore e që u duhen njohur personave që kanë derdhur kontributet në këto dy vende. Pra kemi një buxhet të caktuar që dy qeveritë duhet të bazohen për të arritur sa më parë marrëveshjen mes tyre.
E përbërësi i tretë është koha, është data e caktuar për aktivizimin e këtij fondi e që është 1 janari 2023. Brenda datës 31 dhjetor 2022, duhet gjetur rruga e përbashkët. Kemi tashmë të gjitha kushtet e duhura për të arritur këtë të drejtë të mohuar të emigrantëve, janë në dispozicion burimet financiare, është vullneti për të arritur këtë kërkesë e është një datë e paracaktuar, 1 janari 2023, dita që ky fond special për emigrantët shqiptarë të aktivizohet. Gjëja më e rëndë e që nuk duhet të ndodhë është që kjo marrëveshje të mos vonohet e këto burime financiare të vëna në shërbim të kësaj kërkese, të mos shkojnë dëm. Prej vitesh shumë emigrantë që kanë derdhur sigurimet shoqërore si në Shqipëri e në Itali janë në pritje të së drejtës së tyre për t’ju njohur reciprokisht vitet e punës e paga e pensionit.
Alba Kepi: Senator ju flisni për një fond vjetor prej 20 milionë eurosh nga buxheti italian, por në amendamentin e aprovuar në dekret ligjin e buxhetit, janë përcaktuar vlera të tjera që ndryshojnë nga viti në vit. Në 2023 lexohet se ky fond duhet të jetë 7.6 milionë, në 2024, 9.8 milionë e më 2025 një tjetër vlerë deri më 2032 kur arrihet në atë c’ka ju konfirmuat, pra në rreth 20 milionë euro vjetore. Pse vlera e këtij fondi special për Shqipërinë ndryshon nga viti në viti?
Senatore Tomaso Nannicini: 20 milionë euro është vlera maksimale e në ekuilibër i këtij fondi, pra kur do të arrihet mbulimi total i kësaj kërkese. Është parashikuar nisja e aplikimeve me kuota të caktuara. Pra është në varësi të numrit të personave që kanë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore, kur i kanë derdhur e koha kur dalin në pension. Fillimisht ky fond do të jetë në dispozicion të atyre që janë në moshën e pensionit, e që përmbushin këtë të drejtë për shkak të sigurimeve shoqërore të mohuara. Më pas vit pas viti do të jenë persona të tjerë që do të mund të kenë pension më të lartë pasi tashmë do të kenë të tjera sigurime shoqërore që sot u njihen, ndërsa më parë jo. Pra vlera e ndryshme e në rritje e këtij fondi siç është përcaktuar në plan buxhetin italian, varet pasi janë breza të ndryshëm që dalin në pension, duke ndjekur një vazhdueshmëri.
Alba Kepi: Plot një vit më parë ju e prezantuat këtë amendament në Senatin Italian por për fat të keq nuk mundi të kaloj, pra nuk u votua nga shumica. Çfarë ndodhi kësaj here? Si ja dolët?
Senatore Tomaso Nannicini: Në Itali përdorim shprehjen “kush këmbëngul gjatë, fiton”. Duhet të insistosh sidomos kur ke objektiva të qarta e në këtë rast objektivi ynë qe mjaft i qartë, pra të njihej një e drejtë e mohuar. E nuk qe vetëm një punë parlamentare, politike, por dhe një mobilizim i gjithë komunitetit të emigrantëve shqiptarë. Kujtoj këtu peticionin e firmosur e lëshuar nga aktivistja Geri Ballo e firmosur nga më shumë se 14 mijë persona, gjithashtu takimet dypalëshe institucionale si ai i pak kohëve më parë mes kryeministrit italian Mario Draghi e kryeministrit shqiptar Rama që e vunë këtë problem në qendër të vëmendjes. Pra të gjitha këto përbërës bashkë, krijuan presionin e duhur që kësaj radhe amendamenti im të aprovohej e jam vërtetë mjaft i kënaqur.
Alba Kepi: Ky dekret ligj u aprovua fillimisht në Senatin Italian. Çfarë pritet të ndodh tani, cila është rruga adminsitrative e këtij amendamenti?
Senator Tomaso Nannicini: Nga ana e palës italiane ajo që pritet është të nis një tavolinë pune ndërministrore. Përcaktues është roli i ministrit të Punës e Çështjeve Sociale Andrea Orlando i cili ndihmoj mjaft dhe në aprovimin e këtij amendamenti. Kjo tavolinë pune duhet të bëjë bashkë këtë Minsitri, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme e të përgatisin një buxhet të marrëveshjes dypalëshe në varësi të këtij fondi e që i duhet propozuar palës shqiptare. Më pas pritet të nisin takimet dypalëshe e uroj të bëhen sa më parë. Unë kam qenë personalisht pak kohë më parë në Shqipëri duke kërkuar të nxis që këto raporte bashkëpunimi mes dy vendeve të jenë sa më të shpejta. Së bashku me Ministrin Orlando do të ndjek nga afër këtë proces pasi nuk mjaftohemi vetëm duke vënë në dispozicon këtë fond , por kërkojmë që këto para të përdoren sa më shpejt e mirë për ata që u është mohuar për shumë vite e drejta për të pasur një pension. Pra do të nis rrugëtimi i një procesi për të hartuar modelin e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve. E mbi të gjitha kemi një kohë të përcaktuar qartë; brenda 2022 kjo marrëveshje duhet firmosur.
Alba Kepi: Ndryshe çfarë mund të ndodh? Pra nëse nuk arrihet të nënshkruhet brenda afatit kohor 12 mujor të 2022?
Senatore Tomaso Nannicini: Cfarë mund të ndodh është e qartë. Emigrantët shqiptarë do të vazhdojnë të kenë të drejta të mohuara e para të shkuara dëm nga ana e palës italiane.
Do të jenë paratë e këtij fondi që nuk do të mund të përdoren. Pra do të kemi një situatë të dyfishtë pa sens politike e sociale. Nuk dua as ta imagjinoj se nuk do të mund të arrihet kjo marrëveshje kësaj here. Kësaj here falë kushteve që kemi krijuar me anë të këtij amendamenti duhet të ja dalim.
Është e drejtë të japim informacione të qarta për ata që na dëgjojnë se kur do të mund të arrihen këto të drejta që emigrantët shqiptarë presin prej vitesh.
Pas rrugëtimit për arritjen e marrëveshjes për konvertimin e viteve të punës së emigrantëve mes dy vende, e që duhet kryer brenda vitit 2022, duhet nënshkruar dhe një marrëveshje teknike mes dy Instituteve të sigurimeve shoqërore në Shqipëri e në Itali. Pra ndoshta do të duhen të kalojnë dhe disa muaj të tjerë gjatë vitit 2023 për t’u njohur me detajet teknike. Por e rëndësishme është që hapat e bashkëpunimit të ecin shpejt e të drejtat të nënshkruhen.
Alba Kepi: Siç thatë dhe më sipër ky memorandum qe punë e një skuadre e cila u bazua në një listë llogaritjesh e të drejtash të munguar që vlejnë rreth 20 milionë euro në vit për të përmbyllur këtë kërkesë të emigrantëve shqiptarë. A keni një të dhënë se sa është numrin i shqiptarëve në Itali që do përfitojnë nga ky fond?
Senator Tomaso Nannicini: Janë disa qindra e disa mijëra shqiptarë. Kjo vlerë vjen në rritje sepse vit pas viti do të jenë dhe shumë të tjerë që dalin në pension e që kanë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore në Itali e në Shqipëri. Pra është një numër që shkon në rritje.
Alba Kepi: Pas lajmit se ky amendament u aprovua në Senatin Italian, në redaksinë tonë ka pasur një interes të lartë nga emigrantë shqiptarë që kërkojnë të njihen më hollësisht me të drejtat që u takon. A ka limite ky amendament për ata emigrantë që kanë punuar shumë vite në Itali e janë kthyer në Shqipëri?
Senator Tomaso Nannicini: Jo nuk do të ketë limit, por për detajet teknike gjithçka mbetet në duart e qeverive që do të punojnë për hartimin e marrëveshjes. Por e përsëris zgjedhja e një shume të tillë nuk është e rastësishme, por me idenë e përmbushjes së kërkesës së numrit të personave që kanë derdhur sigurimet shoqërore në dy vendet.
Një marrëveshje të tillë Italia e ka kryer me më shumë se 40 vende jashtë Bashkimit Evropian e ishte pa sens që një marrëveshje e tillë të mungonte me Shqipërinë, një vend kaq pranë Italisë. Pra kjo vlerë e këtij fondi është bazuar dhe në eksperiencat që Italia ka pasur me këto vende por që e përsëris detajet teknike i takojnë marrëveshjes që do arrijnë qeveritë. Konkretisht kërkuam e arritëm me këtë amendament se kush ka derdhur sigurimet shoqërore që kanë prodhuar një të drejtë pensioni meritojnë t’u njihet kjo e drejtë.
Alba Kepi: Ju thatë se ky fond i përket jo vetëm shqiptarëve që kanë punuar e punojnë në Itali por dhe shtetasve italianë që punojnë në Shqipëri. A mund ta kuptojmë më qartë?
Senator Tomaso Nannicini: Po është një marrëveshje dypalëshe e vlen dhe për shtetasit italianë që kanë derdhur e derdhin kontributet shoqërore në Shqipëri. Nga këndvështrimi financiar kuptohet se nga ana e shtetit italian shpenzimi është më i lartë, e shpresoj që të ketë dhe nga ana shqiptare një mbulesë të shpejtë financiare.
Alba Kepi: Në komunitetin e emigrantëve shqiptarë në Itali ekziston perceptimi se shteti shqiptar nuk është impenjuar sa duhet për hallin e tyre, duke i lënë gjithë këto vite pa një mbështetje institucionale. Ju sapo jeni kthyer nga Shqipëria, a ka ndryshuar kjo qasje e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi?
Senatore Tomaso Nannicini: Unë në Shqipëri zhvillova një sërë takimesh politike e teknike e kuptova se pala shqiptare është gati për ta çuar deri në fund këtë çështje, Është e vërtetë u mbajt e bllokuar për shumë vite e shpresoj kësaj here t’ia dalim. Perceptova vetëdijen se duhet të gjejmë zgjidhjen e kësaj çështje.
Alba Kepi: Në amendamentin tuaj janë përfshirë dhe pensionet e invalidëve? A mund ta kuptojmë më qartë.
Senatore Tomaso Nannicini: Ky amendament përfshin të gjithë ata emigrantë që gjatë viteve të punës në Itali kanë derdhur sigurimet shoqërore qofshin invalidë ashtu dhe për ata emigrantë të aksidentuar në punë.
Alba Kepi: Ky draft ligj i buxhetit 2022-2024, i cili përmban dhe amendamentin Nannicini mbi fondin special të njohjes së të drejtës së pensionit dhe për emigrantët shqiptarë, u aprovua në Dhomën e Senatit Italian. E kur pritet të bëhet ligj?
Senatore Tomaso Nannicini: Pas dhomës së Senatit ky draft ligj u aprovua dhe në Dhomën e Deputetëve. Më pas do të publikohet në Fletoren Zyrtare e prej datës 1 janar 2022 hyn në fuqi, pra është ligj.
Ndërsa burimet financiare siç thashë do të aktivizohet më 1 janar 2023.
Alba Kepi: Ju nënvizuat shumë herë rëndësinë e vitit 2022 për të përmbushur këtë të drejtë të emigrantëve shqiptarë. Çfarë na takon ne si komunitet të bëjmë?
Tomaso Nannicini: Ftoj komunitetin shqiptar të mobilozohet për të shtyrë realizmin e kësaj të drejte. Ta ndjekin hap pas hapi deri në firmosjen e saj dypalëshe. Personalisht do ta ndjek këtë proces e nëse ka vonesa të gjithë duhet të impenjohemi ta mbështesim deri në përfundimin e suksesshme të saj.
Alba Kepi: Askush më mirë se ju nuk njeh këtë çështje. A do të jeni pjesë e tavolinave të punës?
Senatore Tomaso Nannicini: Marrëveshja i takon dy qeverive, por pa dyshim si detyrim parlamentar e hartues i këtij amendamenti do të jenë pranë ministrit Andrea Orlando gjatë përpilimit të kësaj marrëveshje.
Komentet