Voal – Sot në Kuvend, Berisha bëri një deklaratë skandaloze. Debati ka nisur për arrestimin e Emiljano Shullazit. Ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili i kujtoi deputetëve të mazhorancës se në kohën e qeverisjes së tij, e kishte arrestuar katër herë. Berisha i bëri thirrje popullit të armatoset për t’u mbrojtur nga qeveria kriminale.
Ai akuzoi sërish kryeministrin Rama dhe Tahiri se kanë lidhja të ngushta me Shullazin, duke u vënë gjoba biznesmenëve dhe qytetarëve të ndryshëm në vend. Berisha përgëzoi Prokuorinë e Përgjithshme që reagoi menjëherë për të arrestuar Shullazin, i cili akuzohet edhe për kërcënimin e akademikut Mynyr Koni për të dhënë dorëheqjen nga gara për kandidat si rektor i Universitetit të Tiranës.
“Gjatë qeverisjes sime, Shullazi është arrestuar 4 herë. Shullazi është skandali i radhës i kësaj qeverie, – tha Berisha nga foltorja e Parlamentit. – Kjo qeveri është e përfshirë në skandale të pafundme. Të gjitha këto vetëm për një arsye, për shkak të lidhjeve të ngushta të Shullazit me Ramën dhe Tahirin. Rama e ka shndërruar qeverinë në një organizatë kriminale”.
Më pas, Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të sigurojnë armë zjari për t’u mbrojtur nga organizatat kriminale që mbështeten nga qeveria.
“I sugjeroj qytetarëve të armatosen me armë për të mbrojtur pronat, bizneset, vatrat e tyre, sepse nuk kanë asnjë siguri, – theksoi Berisha. – Nëse kjo qeveri, si organizatë kriminale, kërcënon opozitën me banda kriminale, të jeni të bindur se hqiptarët do t’jua kthejnë me të njëjtën monedhë, ku nuk mund të gjeni dot vrimë miu ku të futeni. Duhet t’u jepet e drejtë qytetarëve të mbajnë armë, sepse me këtë organizatë kriminale nuk ka rend, nuk ka qetësi. E përsëris, shqiptarët të sigurojnë armë për t’u mbrojtur”.
Berisha korrigjon deklaratën: T’i përmbahemi ligjit amerikan
Por në një qëndrim të dytë teksa është pyetur nga gazetarët jashtë Parlamentit, Berisha ka korrigjuar deklaratën e bërë në foltore, duke thënë se “unë iu përmbajta ligjit amerikan për armët”.
“Çdo qytetar i ndershëm duhet të ketë të drejtë ligjore për të mbajtur armë për t’u mbrojtur. Me ligj, jam i mendimit, që derisa të zhduken bandat, njerëzit të kenë të drejtë të mbrohen, – shtoi Berisha. – Ligji amerikan është ligji më i drejtë, unë do ta shoh këtë. Unë s’mund ta konceptoj këtë që një bandë me 40 vetë të bëjë terror në mes të Tiranës”
Komentet