Tritan Hamitaj është kreu i trupës gjukuese në Gjykatën e Apelit në Durrës që vendosi lirimin e të forit të Durrësit, Lulzim Berisha.
Vendim që mori sot reagim të ashpër edhe nga ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, i cili akuzoi gjykatën për korrupsion dhe kërkoi indinjatë të qytetarëve përballë vendimeve të tilla.
“Lirimi i Lulzim Berishës është bërë për shkaqe të panjohura.
Hamitaj, që shihni edhe në foto ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të drejtësisë. Dua t’iu them gjykatave të korruptuara se ky vendim është i papranueshëm,” ka thënë sot ambasadori Lu.
Berisha, një prej emrat e rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri u la i lirë të martën më 6 dhjetor nga Gjykata e Apelit Durrësit, kur i mbeteshin edhe 5 vite nga mbyllja e dënimit.

PSE RA BURGIMI I PERJETSHEM
Në vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, i përbërë nga 448 faqe në total, Kolegji Penal arsyeton se Shkalla e Parë dhe Apeli për Krimet e Rënda ka gabuar duke zbatuar në mënyrë të padrejtë ligjin penal të kohës kur kanë ndodhur tri episode kriminale, në të cilat Lulëzim Berisha akuzohej të kishte konsumuar akuzën e “vrasjes me paramendim”.
Sipas Gjykatës, duke iu referuar ligjit të kohës, si ligji më i favorshëm për të gjykuarin Lulzim Berisha, duke iu referuar rrethanave të faktit, provave dhe akuzave që janë ngritur ndaj tij, ekzistonte vetëm një rrethanë rënduese.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në ndryshim nga gjykatat e faktit, vlerëson se, në periudhën e kryerjes së veprave penale nga i gjykuari Lulzim Berisha, tetor 1998 – gusht 1999, ka ekzistuar vetëm një rrethanë rënduese, që është ajo e parashikuar nga germa ‘gj’ e nenit 50 të Kodit Penal të kohës së kryerjes së veprave penale dhe që është ‘kryerja e veprës penale në bashkëpunim’”, arsyetonte Gjykata e Lartë.
Më tej, Gjykata shprehej që duke qenë se i gjykuari Lulzim Berisha është akuzuar nga Prokuroria për kryerjen e veprave penale, vetëm në prani të rrethanës rënduese të bashkëpunimit, gjykatat nuk mund të dilnin në një konkluzion tjetër.
“Arsyetimi që bëjnë gjykatat e faktit që, sipas tyre, ekzistojnë disa rrethana rënduese në kryerjen e veprave penale, nga i gjykuari Lulzim Berisha, është haptazi i pabazuar në ligj, sepse, nuk mund të deklarohet fajtor një i gjykuar, pa pasur akuzë përkatëse, të ngritur nga Prokuroria edhe në lidhje me rrethanën rënduese konkrete, sepse cenohet në këtë mënyrë parimi kushtetues i të drejtës së mbrojtjes së të gjykuarit”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Përfundimisht, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludonte se për të pandehurin Lulzim Berisha duhet të zbatohej ligji përkatës i kohës, para ndryshimeve të pësuara në vitin 2001, ku “vrasja e kryer me paramendim dënohej me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzetepesë vjet burg.
“Përfundimisht, pas ndryshimit të pjesshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të gjykuarit Lulëzim Berisha me 25 vjet burgim”, thuhej në dispozitivin e vendimit në lidhje me të akuzuarin Berisha.
Komentet